Futboll

Mik i presidentit Maduro, Maradona drejt stolit të Venezuelës

Diego Armando Maradona është shumë pranë stolit të kombëtares së Venezuelës. Pas largimit të Dudamel nga drejtimi i kësaj skuadre, “El Pibe de Oro” shihet si favorit për të marrë vendin e tij.

Maradona drejton aktualisht Gimnasia La Plata në Argjentinë, por nuk është paraqitur në grumbullimin e ekipit për nisjen e stërvitjes pas festive të fundvitit. Sipas asaj që shkruan shtypi sportiv argjentinas, mungesa e Maradonës ka të bëjë pikërisht me faktin se ai është në bisedime për të marrë drejtimin e Venezuelës, pavarësisht se është justifikuar me disa kontrolle mjekësore.

Maduro dhe Maradona. Gazeta Si, 4 janar 2020

Argjentinasi i famshëm ka qenë gjithmonë i lidhur me ambientin venezuelian, ku ka dalë hapur në krah të presidentit Nikolas Maduro në më shumë se një rast. Maradona është një mik i ngushtë i tij dhe kjo është një arsye shumë e fortë që të ketë një marrëveshje për drejtimin e kombëtares venezueliane të futbollit. Në nëntor Maradona dha dorëheqjen nga drejtimi i Gimnasias, por më pas në klub ndodhën ndryshime të tjera, u ndërrua presidenca dhe me ndërhyrjen e tifozëve, ai u kthye sërish në stol pas disa ditësh.

Mbetet për t’u parë si do të rrjedhin ngjarjet, pasi nuk përjashtohet ndonjë surprizë e minutave të fundit. Maradona është krejtësisht i paparashikueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë