Ish Ministri i Financave në qeverisjen socialiste, njëkohësisht eksperti në financat publike Arben Malaj në një intervistë për gazetën “Si” thotë se viti 2019 nuk ka qenë i mirë për ekonominë dhe financat shqiptare.
Ai argumenton se “reduktimi i defiçitit dhe borxhit publik nuk vjen nga reduktim i shpenzimeve operative jo efektive, por kryesisht nga mungesa e realizimet në këto zëra, ç’ka nuk jep garancinë se janë duke u kryer reforma strukturore që do të lehtësojnë rritjen ekonomike apo se janë duke u zbatuar parime dhe rregulla konkrete në krijimin e një trendi pozitiv e të qëndrueshëm për stabilitetin e financave publike.”
Malaj mendon se viti që po troket është mbushur plot me sfida për ekonominë tonë, sidomos lidhur me efektin jopozitiv të pasojave të tërmetit në rritjen ekonomike, deri në momentin që do të fillojnë të injektohen në ekonomi paratë për rikuperimin e dëmeve dhe sidomos investimet për rindërtimin.
Si ka performuar sipas jush ekonomia përgjatë 2019-ës?

Viti 2019 nuk ka ndonjë moment pozitiv në ritmet dhe strukturën e rritjes ekonomike, e cila tenton të jetë poshtë nivelit të parashikuar.
Fakti që sektorët kryesorë me efekt jo pozitivë është energjia dhe rënia e ritmeve të rritjes se eksporteve edhe për shkak të mbivlerësimit të monedhës kombëtare, identifikohen probleme strukturore jo të lehta që e ekspozojnë ekonominë tonë nga goditjet e jashtme.
Lidhur me stabilitetin financave publike, uljen e defiçiti dhe borxhit publik, nëse do të mbetemi vetëm në shifrat absolute, që kanë nevojë të saktësohen duke përfshirë detyrimet e rritura të papaguara dhe të kostove në rritje të pjesës proporcionale vjetore të koncesioneve dhe partneriteteve publike private preferenciale (PPP-të), do të krijohet idea se ka një përmirësim.
Nëqoftëse do të kërkojmë “djallin në detaje”, ky përmirësim nuk vjen nga performanca më e mirë edhe e qëndrueshme e mbledhjes së të ardhurave buxhetore, bile ky tregues rezulton i përkeqësuar për vitin 2019.
Reduktimi i defiçitit dhe borxhit publik nuk vjen nga reduktim i shpenzimeve operative jo efektive, por kryesisht nga mungesa e realizimet në këto zëra, ç’ka nuk jep garancinë se janë duke u kryer reforma strukturore që do të lehtësojnë rritjen ekonomike apo se janë duke u zbatuar parime dhe rregulla konkrete në krijimin e një trendi pozitiv e të qëndrueshëm për stabilitetin e financave publike.
Buxheti 2019 a ka qenë buxheti i qytetarëve? Ka sjellë mirëqenie për ta?
Besoj se treguesit kryesorë duhet të jenë: punësimi, rritja e të ardhurave të disponueshme, rritja e mbështetjes për kohezion dhe solidaritet social. Të rëndësishme janë edhe investimet në sektorët me efekte pozitive afatgjatë në kapitalin human, social dhe në infrastrukturën kritike ligjore dhe fizike.
“Reformat strukturore sektoriale kanë një trend ngadalësues e në disa raste edhe deformues, ndërsa shkalla e mbështetjes financiare, si në raport me mbështetjen buxhetore, por sidomos me përmirësimin e gjithë procesit të buxhetimit të prioriteteve sektoriale, mbetet një sfidë e rëndësishme e cila nuk duhet të zbehet, nga rritjet sipërfaqësore që gjithnjë rezultojnë më pak se buxhetimi vjetor, por më të larta se viti kaluar, kjo edhe për faktin se buxhetet faktike të viteve të kaluara kanë brenda dhe mosrealizimet respektive.”-Malaj
Reformat strukturore sektoriale kanë një trend ngadalësues e në disa raste edhe deformues, ndërsa shkalla e mbështetjes financiare, si në raport me mbështetjen buxhetore, por sidomos me përmirësimin e gjithë procesit të buxhetimit të prioriteteve sektoriale, mbetet një sfidë e rëndësishme e cila nuk duhet të zbehet, nga rritjet sipërfaqësore që gjithnjë rezultojnë më pak se buxhetimi vjetor, por më të larta se viti kaluar, kjo edhe për faktin se buxhetet faktike të viteve të kaluara kanë brenda dhe mosrealizimet respektive.
Si e parashikoni 2020-ën për ekonominë dhe financat publike e mbi të gjitha për qytetarët?
Viti 2020 ka sfida specifike sidomos lidhur me efektin jopozitiv të pasojave të tërmetit në rritjen ekonomike, deri në momentin që do të fillojnë të injektohen në ekonomi paratë për rikuperimin e dëmeve dhe sidomos investimet për rindërtimin.
Një moment i rëndësishëm do të jetë edhe identifikimi i burimeve të brendshme të financimit të cilat mund të mos presin bërjen efektive të fondeve të donatorëve të cilët jo shumë do të jenë grante, ndërsa pjesa e luanit do të jenë kredi me kushte lehtësuese, por me procedura jo të përshpejtuara.
Pikërisht mospërputhja në procedura dhe në hapat e bërjes efektive dhe përdorimin e fondeve për rindërtim të qeverisë shqiptareve me ato të donatoreve e bëjnë të domosdoshme, eliminimin e vonesave në injektimin e fondeve në ekonomi, sepse vonesat dhe mbivendosjet mund të përkeqësojnë treguesit ekonomik, social dhe buxhetorë, prandaj duhet filluar me përdorimin e fondeve të qeverisë shqiptare dhe fondacioneve të ndryshme, të cilët mund të fillojnë me shpejtë, por gjithnjë brenda një plani kuadër për rindërtimin.
Kjo zbut pasojat negative dhe krijon një koordinim më të arsyeshëm edhe në kohë dhe me shtrirje më harmonike gjatë gjithë vitit.
Cili është qëndrimi juaj për Mini-Shengenin Ballkanik në këndvështrimin ekonomik dhe atë politik?
Mini-Shengeni nuk është një projekt me një datë të caktuar, me indikatorë apo projekte të paracaktuar. Mbi të gjitha ai është një mini projekt që mund të realizohet nga një ndryshim i madh në mentalitetin e liderëve dhe popujve të Ballkanit Perëndimorë, ku përfshirja konkrete e Kosovës është përcaktonjëse për të materializuar vizion dhe mbështetjen financiare të konferencës së Berlinit, ku fondet janë të rëndësishme, por jo më kryesorja.
Kjo pasi çdo projekt i financuar pjesërisht me grante nga BE dhe pastaj me bashkëfinancim nga Banka Europiane për Investime (BEI) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e donatorë.
“Europa e bashkuar nuk do të ndërtohet sipas një plani të vetëm, nuk do të ndërtohet brenda një afati të caktuar, ajo do të përparojë bazuar në solidaritetin e vendeve themeluese, solidaritet që mund të mbështetet vetëm nga sukseset e projektit në dinamikën e tij. Kjo vlen shumë edhe për liderët e Ballkanit Perëndimor, që të mos humbasin nëpër detaje, të mos lodhen duke përllogaritur projekte konkrete dhe burime financimi alternative, por të garantojnë vullnetin e qartë dhe përkushtimin e sinqertë dhe maksimal për solidaritetin e nevojshëm që ky projekt të jetë i suksesshëm.”- Malaj
Serbia ka disa vite që pengon bërjen efektive të një projekti të rëndësishëm në sektorin e energjisë të qeverisë gjermane në fushën e interkonjeksionit, që është thelbësorë për reduktimin pengesave në import dhe shitje të energjisë në rajon duke zbutur efektet negative të mungesës së energjisë në rritjen ekonomike, por edhe stabilitetin e çmimeve për shkak të subvencioneve të drejtpërdrejta ose të fshehta të qeverive.
Pyetjes tuaj më ndihmon ti përgjigjem në mënyrën mëse të kuptueshme, një prej baballarëve themelues të BE-së, ish ministri i jashtëm Francez, Robert Schuman i cili në deklaratën e 9 majit 1950 do të theksonte: Europa e bashkuar nuk do të ndërtohet sipas një plani të vetëm, nuk do të ndërtohet brenda një afati të caktuar, ajo do të përparojë bazuar në solidaritetin e vendeve themeluese, solidaritet që mund të mbështetet vetëm nga sukseset e projektit në dinamikën e tij. Kjo vlen shumë edhe për liderët e Ballkanit Perëndimor, që të mos humbasin nëpër detaje, të mos lodhen duke përllogaritur projekte konkrete dhe burime financimi alternative, por të garantojnë vullnetin e qartë dhe përkushtimin e sinqertë dhe maksimal për solidaritetin e nevojshëm që ky projekt të jetë i suksesshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




