Futboll

Ancelotti, si trajner i Everton: Dy fjalë për Ibrën dhe Moise Kean

Fillon një aventurë e re për Ancelottin, i cili u shkarkua nga Napoli më 10 dhjetor, menjëherë pas fitores në Ligën e Kampionëve përballë Genk. Të shtunën ai ishte në Goodison Park për të ndjekur ndeshjen kundër Arsenalit dhe nga dje ka filluar punën me klubin e ri në Premier League, që më parë drejtohej nga Duncan Ferguson. Debutimi i tij pritet të ndodhë kundër Burnley. Disa orë pas njoftimit zyrtar, tekniku i ri Toffees u paraqit në konferencën e parë për shtyp duke shpjeguar arsyet që e shtynë të zgjedhë një klub që, për momentin, renditet keq në Premier League: “Pranova për shkak të ambicies së klubit dhe historisë së tij. Tradita, atmosfera e krijuar nga fansat. Ekziston vullneti për t’u përmirësuar, rritur dhe për t’u bërë një ekip i shkëlqyeshëm. Këto janë arsyet që më bënë të zgjedh Evertonin”.

“Të gjithë kanë qenë shumë të sjellshëm me mua, nga presidenti te tifozët. Tani do të fillojmë të punojmë me shumë dëshirë, jam i ngazëllyer dhe dua të ruaj grupin, të jemi më konkurrues dhe të argëtojmë fansat. Jam i vetëdijshëm që u bë kohë që ekipi nuk ka fituar ndonjë trofe, por të gjithë do përpiqemi që ta ndryshojmë këtë gjë. Idetë dhe synimet e qarta do na ndihmojnë të përmirësohemi gjithnjë e më shumë. Duam të jemi konkurrues në Premier League dhe në Europë. Duhet të rritemi, klubi dëshiron të ndërtojë një stadium të ri dhe kjo tregon që është shumë ambicioz ”, tha Ancelotti.

https://www.instagram.com/p/B6aV7J6pcOK/?utm_source=ig_web_copy_link

Italiani nuk harroi të përmendte 2 lojtarët e momentit, Zlatan Ibrahimovic dhe Moise Kean: “Suedezi është një mik i mirë i imi. Kam pasur shansin të drejtoj shumë lojtarë të shkëlqyeshëm. Sapo ka përfunduar aventurën në SHBA dhe nuk e di çfarë synimesh ka për të ardhmen. Mund ta telefonoj, nëse dëshiron të vijë në Liverpool është i mirëseardhur, por jo për të luajtur…”

“Keanin u përpoqa ta merrja te Napoli, para se të firmoste me Evertonin. Ai është një lojtar fantastik, mos harrojmë që është vetëm 19 vjeç. Duhet të punojë shumë pasi ka të dhëna fantastike”, tha Ancelotti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë