Spali nuk është më në vend të fundit. Ka lënë pas Xhenoan me fitoren e bukur 1-2 në Torino dhe 12 pikë tani shpreson realisht të mbijetojë në Serinë A, pasi rivalë të tjerë si Breshia, Sampdoria e Leçe janë pranë me pikë. Skuadra e trajnerit Semplicci duket se po rilind falë reflekseve të jashtëzakonshme të portierit kuqezi, Etrit Berisha, dhe formës së mirë të mesfushorit anësor Strefeca, autor i njërit prej golave.
Specialistët në Itali e kanë vlerësuar paraqitjen e Berishës me notën 7, duke dhënë këto argumente: “Disa pritje vendimtare në pjesën e parë ndaj Belotit. Në pjesën e dytë transmeton siguri për ekipin e tij me dalje precize”. Një paraqitje në vazhdën e atyre që portieri kuqezi ka bërë thuajse gjatë gjithë këtij sezoni, por skuadra nuk ka qenë në nivelin e tij dhe Spali ka vuajtur në vend të fundit. Me fitoren në Torino, e treta në këtë kampionat, duket se situata ka nisur të ndryshojë dhe protagonistët kryesorë janë pikërisht Berisha dhe…shkurtabiqi Strefeca.
Është vërtet interesante historia e këtij të fundit. Gabriel Tadeu Strefeca Rebelato, emri i tij i plotë, 22 vjeç, i lindur në San Paolo dhe me pasaportë italiane, falë stërgjyshërve me origjinë siçiliane. Në Torino shënoi një gol “të rëndë”, por loja e tij është gjithmonë në rritje. Mesfushori anësor është 168 centimetra i gjatë dhe pikërisht gjatësia është konsideruar më parë një defekt për këtë lojtar, që është provuar edhe te Palermo dhe Lacio. Trajneri Inzagi, që në atë kohë drejtonte të rinjtë e Lacios, e “dogji” për shkak të gjatësisë, por Strefeca nuk u dorëzua kurrë, vazhdoi të punojë dhe tani po merr “hak”.
Te Spali ka gjetur mbështetjen e munguar, pasi drejtuesit e këtij ekipi kanë parë përtej parametrave fizikë. Trajneri Sempliçi i dha mundësinë të debutonte javën e tretë të kampionatit, ndaj Lacios së Inzagit, që e kishte nënvlerësuar. Ai hyri në fushë në pjesën e dytë dhe ndryshoi ndeshjen, pasi Spali e përmbysi Lacion nga 0-1 në 2-1. Strefeca ishte protagonist në golin e fitores.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.