Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev do të udhëtojnë sot drejt Tiranës për të marrë pjesë në takimin e tretë të Mini-Shengenit Ballkanik, por pjesëmarrja e Malit të Zi mbetet ende mister.
Presidenti Vuçiç deklaroi ditën e djeshme se është e mundur që Presidenti malazez Milo Gjukanoviç të marrë pjesë në samitin e mbajtur në kryeqytetin shqiptar, por as Ministria e Punëve të Jashtme dhe as Kryeministria nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tij. Duke cituar burime jozyrtare, gazeta serbe “Danas”,shkruan se ekziston mundësia që Presidenti i Malit të Zi, i cili nuk kishte marrë pjesë në takimet e mëparshme të Mini-Shengenit, do të bashkohet me Vuçiçin, Zaevin dhe Ramën.
Por në Tiranë ka shumë pikëpyetje jo vetëm për prezencën e kreut malazez, por edhe Bosnjë Hercegovinës dhe Kosovës. Ndërkohë që kjo e fundit e ka bërë të qartë së nuk do t’i bashkohet kësaj nisme, nga Sarajeva nuk ka ende nuk ka informacion nëse dikush do të marrë pjesë.
“Ftesa i ka ardhur kryetarit të Këshillit të Ministrave, por atij i ka mbaruar mandati dhe kreu i ri nuk e ka marrë detyrën”, thotë për gazetën serbe “Danas” një zyrtar nga Bosnja. Takimi do të kryesohej nga shefi i diplomacisë europiane, Joseph Borrel, por mediat njoftojnë se pasuesi i Mogerinit nuk do të vijë në Tiranë. Ndërkohë në samit do të jenë dy zyrtarëve të lartë amerikanë.

Në takimin e mbajtur muajin e kaluar në Ohër, Kryetari i Këshillit të Ministrave Denis Zvizdić tha se Sarajeva nuk kishte ende një qëndrim zyrtar nëse do t’i bashkohej iniciativës së Mini Shengeni. Gjatë samitit në Ohër, Ministrja malazeze e ekonomisë Dragica Sekulic tha se nuk kishe një përshtypje pozitive për këtë nismë, sepse, sipas saj, Mali i Zi nuk do të donte që “Shengen i vogël” të bëhej një lloj alternative për anëtarësimin në BE.
Sekuliç tha se nisma për t’iu bashkuar Shengenit të Vogël për shtetet e Ballkanit e propozuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të ishte një humbje energjie sepse vendi i saj tashmë “i ka hapur kufijtë” dhe se ka hequr barrierat tregtare për fqinjët e saj. Ajo tha se Mali i Zi është një anëtar i CEFTA-s, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore, një iniciativë rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor që garanton qarkullimin e lirë të njerëzve të mallrave.
“Unë i kuptoj nismëtarët. Këto janë vende që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri-tjetrit, mund të ketë nevojë për një iniciativë të re për të premtuar përsëri se ata do të bëjnë atë që ne e kemi bërë prej kohësh”, tha Sekuliç në televizionin publik malazez. Ajo gjithashtu tha se qytetarët malazezë tashmë po udhëtojnë duke përdorur vetëm kartat e tyre të identitetit si një dokument për të gjitha vendet e rajonit, përveç Kroacisë.
Por në prag të udhëtimit në Tiranë, Presidenti Vucic tha se nuk ishte e pamundur që Presidenti i Malit të Zi të vendoste të merrte pjesë në takim. Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha sot se mbështet çdo mënyrë në të cilën Ballkani mund të bashkëpunojë, duke theksuar se rajoni nuk duhet të presë gjithmonë nga BE-ja. “Kjo iniciativë është e dobishme jo vetëm për vendet e përfshira, por për tërë Ballkanin Perëndimor”, vlerësoi Zaev në një intervistë.
Rama: Më vjen keq për Kosovën, iniciativa ka mbështetjen e SHBA-së
Kosova duket e vendosur për të mos marrë pjesë në këtë iniciativë, pavarësisht se takimi i radhës mbahet në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer në një intervistë së ka mbetur i zhgënjyer me refuzimin e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të marrë pjesë në samitin për Shengenin e Vogël Ballkanik. Rama kritikoi Thaçin, duke e akuzuar se po përpiqej ta nxirrte si tradhtar.

“Më vjen keq për Hashim Thaçin që bën një piruetë 360 gradë dhe bie në qëndrimin e mëparshëm. Ai ka qenë në tavolinë me Serbinë dhe tani thotë nuk ulem me Serbinë se nuk na njeh. Ky është një virus që rrezikon t’ju hyjë të gjithëve dhe rrezikon që të hyjnë në garë se kush është më patriot. Pse këta do të më tregojnë mua që jam tradhtar? Këta mua?” – tha Rama
Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se “mospjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë, e cila pranohet dhe nga SHBA dhe Europa, e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e vëllezërve amerikanë”.
“S’do jenë vetëm Presidenti i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të jenë dhe të tjerë. Do vijë nga SHBA, nuk e di nga Kosova. I dërguari special, Palmer, më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do dërgojë dy persona të posaçëm nga DASH në mbështetje të këtij procesi. Do vijnë nga Komisioni Europian, do vijnë nga BERZH, do vijnë nga Banka Botërore. Pra do vijnë të gjithë. Pse? Sepse ky është një proces që e mbështesin të gjithë” vijoi Rama.
Au u tregua i ashpër edhe me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin e kritikoi për taksën e vendosur ndaj mallrave serbe.
“Kosova u dënua nga taksa dhe Serbia fitoi pasi bëri rolin e viktimës. Taksa ishte një mjet për të marrë diçka dhe nuk duhet të kthehej në qëllim. Mundësia “e artë” erdhi në Berlin kur Makron i tha Ramushit: “na jep mundësinë mua dhe kësaj… dhe në krah kishte Angela Merkelin dhe jo Anduenën, ti pezullojë për 4 muaj taksën. Nuk po të themi ta heqësh, por pezulloje sa të bindim edhe vendet e tjera dhe unë do t’ju jap liberalizmin e vizave.. Kështu është kur bën politike miope” – tha Rama duke theksuar edhe njëherë se SHBA është nxitëse e këtij procesi deri në nivelin më të lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



