Politike

Paketa Antishpifje, KiE thellësisht i shqetësuar: Minon lirinë e fjalës dhe të medias

Këshilli i Europës, ku Shqipëria bën pjesë që prej vitit 1995 i kërkon Qeverisë shqiptare që të rishikojë dy ligjet që përbëjnë paketën antishpifje, duke deklaruar se nene të caktuara të propozimeve cenojnë lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit.

Komisionerja për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatoviç qortoi përmes një postimi në rrjetet sociale dy projektligjet e mazhorancës.

“Mësova me shqetësim se këtë javë, Parlamenti shqiptar synon të miratojë dy projektligje, të njohura si “paketa antishpifje”. Këto ligje kanë nevojë urgjente për përmirësime. Disa parashikime nuk janë në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut, që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit”, thotë Mijatoviç.

Komisionerja për të drejtat e njeriut në KiE kërkon rishikimin e tyre, sidomos në pjesët ku parashikohet që shteti të ndërhyjë si rregullator i medias online, apo ku organizma shtetërorë mund të mbyllin media pa patur më parë një vendim gjykate.

“Jam veçanërisht e shqetësuar me fuqitë vendimmarrëse që u jepen organeve rregullatore, me mundësinë që të vendosin gjoba të majme dhe të bllokojnë media online pa patur më parë një vendim gjykate. Po ashtu edhe ndërhyrja e shtetit në rregullimin e medias online mund të minojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend. Është me rëndësi që të sigurohemi që interneti të mbetet një forum i hapur, publik ku të mbizotërojë parimi i vetërregullimit, përfshirë këtu edhe për median online. Për këto arsye, kërkoj prej deputetëve të Parlamentit shqiptar që të rishikojnë draftet në fjalë dhe t’i sjellin në linjën e standardet e vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës”, thotë ajo.

https://www.facebook.com/CommissionerHR/posts/1417081945134378

Duke shpërndarë këtë deklaratë të Mijatoviç, Presidenti Ilir Meta paralajmëroi se paketa antishpifje nuk kërcënon vetëm lirinë e fjalës, por edhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Shqipëria nuk ka nevojë për rekorde të tjera negative ndërkombëtare! Mjaft me nxitimin për t’i shtuar ato më tej! Shqetësimet e komunitetit të gazetarëve dhe të partnerëve tanë duhet të dëgjohen me shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri! Pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur!”, tha ai.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2682161138496809

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë