Jasir Asani do të lërë në janar Superioren për t’u transferuar në Suedi, tek ekipi i AIK Stokholmit. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga klubi i Partizanit në faqen e tij, ku jepen disa detaje të marrëveshjes. Bëhet fjalë për një huazim të sulmuesit anësor me të drejtën e blerjes nga klubi suedez në fund të sezonit.
“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes së transferimit të Jasir Asanit drejt ekipit suedez AIK. Mesfushori do të kalojë në formulën e huazimit nga janari 2020. Klubi i AIK njëkohësisht do të ketë të drejtën e blerjes së kartonit të Asanit në fund të sezonit”, – shkrun mes të tjerash në njoftimin zyrtar klubi i Partizanit. Asani do të luajë me fanellën e kuqe edhe dy ndeshjet e fundit të këtij viti, ato ndaj Teutës dhe Vllaznisë. Futbollisti 24-vjeçar shkëlqeu sezonin e kaluar, duke qenë një nga titullarët më të rëndësishëm për rikthimin e titullit me golat e tij. Këtë sezon ish-trajneri Lerda nuk e ka preferuar shumë si titullar, por kjo nuk e ka zbehur interesimin e klubeve të huaja për Asanin.
Partizani nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me shumën që përfiton klubi i kuq nga ky transferim, që tashmë është një punë e mbaruar. Superiorja humb kështu një nga elementët më të mirë të saj, ndërsa vetë Asani përfiton financiarisht dhe profesionalisht. Thuajse një vit më parë në Suedi u transferua një tjetër lojtar me kualitet i kampionatit shqiptar, mbrojtësi Fidan Aliti, i cili la Skënderbeun për Kalmarin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.