Një italian në stolin e Partizanit nuk e ka të gjatë, është një histori e ditur tashmë. Edhe Franko Lerda duket se do të ketë fatin e patriotëve të tij, sepse divorci me Partizanin është shumë afër. Tifozët kanë dalë hapur kundër trajnerit italian pas humbjes në derbin me Tiranën, edhe pse të kuqtë janë endë në vend të parë.
Franko Lerda është mjaft i rrezikuar edhe për faktin se tashmë duket se ka humbur edhe mbështetjen e drejtuesve. Këta të fundit, pavarësisht karakterit të tij të vështirë, e kishin mbështetur më parë në disa çështje të krijuara te Partizani pikërisht nga trajneri italian, i cili bëri sherr me të dy ndihmësit e tij deri sa i largoi ata. Lerdës iu dha liri e plotë, por dy humbjet e fundit në kampionat duket se kanë vënë në dyshim edhe aftësitë profesionale të këtij trajneri. Partizani kishte mungesa të rëndësishme në derbi, por zgjedhjet e Lerdës për zëvendësuesit e tyre janë diskutuar shumë dhe janë konsideruar si aventurë.
Para së gjithash, lënia jashtë e Jasir Asanit, njërit prej lojtarëve më të talentuar të Partizanit, të cilin ish-trajneri Skënder Gega e menaxhoi me shumë kujdes, i ka irrituar shumë tifozët, ndoshta edhe drejtuesit e klubit, edhe pse këta të fundit nuk shprehen për këtë çështje. Para se situata të precipitojë më keq, klubi i kuq dhe trajneri italian mund të shpallin divorcin. Nga ky vit kalendarik kanë mbetur dhe dy ndeshje dhe Lerda mund të mbetet në stolin e kuq edhe për pak kohë, por ditët e tij janë të numëruara si trajner i Partizanit. Me siguri drejtuesit e klubit kryeqytetas kanë nisur kërkimet për trajnerin e ri.
Partizani nuk ka pasur asjëherë sukses me trajnerët italianë vitet e fundit, ku në stolin e tij janë ulur emra si Sormani, Agostineli, Iuliano dhe së fundi Lerda. Titullin kampion e ktheu një emër i njohur i familjes së kuqe, Skënder Gega.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.