Pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme, pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion pritet shkrirja e dy shkallëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Vendimi nuk është marrë ende, por Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet ditën e enjte për të vendosur për këtë çështje.
Në axhendën e mbledhjes të siguruar nga Gazeta “Si”, pika e parë e mbledhjes, që do të nisë në mesditë, është transferimi i prokurorëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, që nuk janë anëtarë të SPAK.
Bëhet fjalë për 12 prokurorë në total, mes të cilëve edhe emra si Përparim Kulluri, Artan Bajrami dhe Eugen Beci, të pezulluar për shkak se janë shkarkuar nga shkalla e parë e vettingut, por që për ta ende nuk ka një vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Me interes pritet të mësohet se çfarë do të vendosë KLP për këta prokurorë, nëse do të vazhdojnë procedurën duke i transferuar nëpër prokuroritë e tjera, apo do të vendosë që të presë KPA-në.
KLP do të diskutojë gjithashtu edhe kandidatin më të përfolur si lideri i ardhshëm i SPAK, Altin Dumani, por jo për garën që ai po zhvillon me Edvin Kondillin dhe Arben Krajën përsa i takon SPAK-ut, por për të ndërprerë caktimin e tij si të përkohshëm në krye të Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda dhe të lërë presë deri më 19 dhjetor, kur do të kuptohet se kush do ta fitojë garën për drejtimin e SPAK-ut.
Gjithashtu, në rend ditë pritet të jetë edhe emërimi në Tiranë si Prokurore e Apelit e ish-kryeprokurores Arta Marku, pra në një tjetër pozicion nga sa parashikon Kushtetuta për kryeprokurorët pas largimit nga ky pozicion, sipas të cilës, Marku duhej të rikthehej në detyrën e mëparshme si prokurore në Shkodër, ose si gjyqtare Apeli. Ajo jetonte në Shkodër së bashku me familjen, por ka deklaruar se banesa ku ajo jetonte me qira u dëmtua nga tërmeti i datës 26 nëntor.
Në këtë mbledhje pritet që KLP të mbyllë “kontratën” me Donika Prelën, që u komandua në krye të Prokurorisë për Krimet e Rënda si pasuese e Besim Hajdarmatajt. Prela pritet që të rikthehet në Prokurorinë e Durrësit, ku shërbente para se të kalonte tek Krimet e Rënda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.