Karrigia e Arta Markut në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi mund të jetë juridikisht e lëkundur pas lënies së detyrës si drejtuese e organit të akuzës nga ana e ish-Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.
Shorti i hedhur nga Presidenti Ilir Meta e rizgjodhi Arta Markun si anëtare të KED-së nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme pak orë para se Parlamenti të votonte Olsian Çelën si Prokurorin e parë të Përgjithshëm të vendit pas reformës në drejtësi.
"Kleçka" kushtetuese që përcakton se në përfundim të mandatit dhe me kërkesë të tij, kryeprokurori rikthehet në vendin e mëparshëm të punës, ose gjyqtar në një nga Gjykatat e Apelit i heq Arta Markut statusin e prokurores në Prokurorinë e Përgjithshme.
Para se të votohej nga mazhoranca në dhjetor të 2017 si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ishte drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës. Kjo do të thotë se me përfundimin e detyrës si kryeprokurore, asaj i lind e drejta që të kërkojë të njëjtin vend pune, ose të emërohet gjyqtare në një nga gjykatat e Apelit të vendit.
Kjo do të thotë se as me zgjedhjen e parë dhe as me zgjedhjen e dytë, Arta Marku, të paktën sipas Kushtetutës, nuk mund të përfaqësojë Prokurorinë e Përgjithshme në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Nëse ajo do të largohet nga ky Këshill, atëherë vendi i lënë bosh do të merrej nga Bilbil Mete, si anëtar zëvendësues i KED-së nga radhët e Prokurorisë së Përgjithshme, i zgjedhur nga shohrti i hedhur nga Presidenca më 5 dhjetor.
Shorti i hedhur nga Presidenti Ilir Meta për përzgjedhjen e 9 anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi kishte vetëm një të njohur, atë që Ardian Dvorani do të ishte sërish anëtar dhe njëkohësisht edhe kryetar i këtij Këshilli edhe për vitin e ardhshëm.
Dvorani ishte i vetmi emër i dorëzuar nga Gjykata e Lartë për pozicionin e një anëtari, që njëkohësisht ligji ia lë po kësaj gjykate edhe postin e kryetarit. Por, interesante ishte zbulimi i goglave për dy anëtarët që dalin nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë kishte dorëzuar katër emra. Vitore Tusha, Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari ishin emrat që u vendosën nëpër goglat e hedhura nga Presidenca.
Në fund, goglat zgjodhën Fiona Papajorgjin dhe Vitore Tushën, ndërsa anëtarja e Gjykatës Kushtetuese e kontestuar nga mazhoranca, Marsida Xhaferllari u zgjodh anëtare zëvendësuese.
Ndërkohë, Arta Marku u rizgjodh në këtë pozicion me probabilitetin 1 në 11, si anëtare e Prokurorisë së Përgjithshme, ku zëvendësues goglat përcaktuan Bilbil Metën. Nga prokuroritë e Apelit u zgjodhën Fatjona Memçaj dhe Ludovik Doda. Zgjedhja, si e Markut dhe e Memçajt është një “ngushëllim” për dy kandidatet për kryeprokurore që e humbën garën me Olsian Çelën në Parlament.
Ndërkohë, nga Gjykatat e Apelit u zgjodhën Saida Dollani dhe Miranda Ndoni, ndërsa Arjan Qafa nga gjykatat administrative.
Shorti u hodh pas serisë së akuzave mes Presidentit Ilir Meta dhe kreut të KED-së, Ardian Dvorani për procedurat dhe afatet kohore të ndjekura në rastin e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.