Rend dhe Ligj

Ku do të shkojnë prokurorët e Krimeve të Rënda?

Pas 15 viteve Prokuroria e Krimeve të Rënda do të mbyllë dyert për t’u zëvendësuar me prokurorinë e SPAK dhe ndërsa pritet që superprokurorët të betohen para Presidentit në datën 19 dhjetor, këtë të enjte të tjerë do të bëjnë çantat dhe do ikin nga kjo godinë.

Gazeta Si u interesua pranë burimeve të sigurta të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për fatin e ish-prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilëve u pushojnë funksionet si prokurorë të privilegjuar të dhe duhet të shpërndahen në prokurori të zakonshme.

Gazeta “Si” mësoi ekskluzivisht se ish-prokurorët e Krimeve të Rënda sidoqoftë do të qëndrojnë në Tiranë dhe gati dy kilometra larg godinës ku shërbyen për mbi një dekadë. Të gjithë prokurorët e Krimeve të Rënda, për shkak të statusit të veçantë dhe supozimit se kanë hetuar grupe të rrezikshme pritet të emërohen prokurorë në kryeqytet dhe nga 12 prokurorë të Krimeve të Rënda nëntë prej tyre llogaritet të jenë prokurorë të ardhshëm në akuzën e kryeqytetit.

“Tre të tjerë, të shkarkuar nga vettingu i shkallës së parë, por qe nuk kanë marrë vendim të formës së prerë do të qëndrojnë në pritje dhe për këtë arsye statusi i tyre do jetë i pezulluar nga detyra”, shtoi një tjetër burim i KLP për gazetën “Si”.

Prokurorët që do të qëndrojnë në Tiranë janë Arens Çela, Blerim Tominaj , Besim Hajdarmataj, Doloreza Musabelliu, Elisabeta Imeraj, Manjola Kajana, Vladimir Mara, Sonila Muhametaj dhe Pranvera Pustina. Një tjetër burim i KLP shton për gazetën “Si” se për dy emra në veçanti do të ketë diskutime dhe dilema, pasi Doloreza Musabelliu është konfirmuar në detyrë dhe ajo është edhe kandidate për në SPAK. Përsa kohë nuk dihet ende nëse do apelohet apo jo, Këshilli nuk mund të japë një vendim për emërimin e saj në SPAK.

Edhe Manjola Kajana është kandidate për në SPAK, por vendimi i vettingut për të është apeluar ndaj nuk mund të emërohet me këtë status. Dilema do të etë për emërimin e saj pranë prokurorisë së kryeqytetit. Tre prokurorët e pezulluar nga KPK, Eugen Beci, Artan Bajrami dhe Përparim Kulluri do të qëndrojnë në pritje dhe as të emëruar, as në detyrë derisa të japë vendim edhe shkalla e dytë e vettingut.

Në rast se ndonjëri prej tyre kthehet nga KPA, atëherë emërimi do të jetë automatikisht në prokurorinë më të madhe në vend. Siç mëson më tej gazeta “Si” edhe kryeprokurorja e caktuar përkohësisht në krye të Krimeve të Rënda, Donika Prela ka kërkuar që të trajtohet si kolegët.

Kërkesa e saj për të qendruar në Tiranë është bërë madje me synimin për të kapur prokurorinë e Apelit, atje ku pritet të caktohet përkohësisht edhe ish-prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Vetëm ish-drejtorja në prokurori të Përgjithshme, Alketa Zifla ka vendosur që të vazhdojë rrugën e vetme , me kërkesën për t’u kthyer ku ka qenë më herët e emëruar, pra në prokurorinë e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë