Futboll

Pritje madhështore në Kosovë, por Anglia tregohet e pamëshirshme

Në një atmosferë mjaft elektrizuese të krijuar në stadiumin “Fadil Vokrri” është luajtur ndeshja Kosovë-Angli, që u mbyll me fitoren e thellë të skuadrës së Southgejt, 0-4. Kosova i humbi shanset e kualifikimit nga grupet që pas humbjes në Çeki, megjithatë tifozët krijuan një ambient të jashtëzakonshëm, duke e respektuar në maksimum Anglinë.

Që një ditë më parë pritja për anglezët ishte shumë miqësore në Prishtinë. Megjithatë, kjo pritje e ngrohtë nuk “piu ujë”, pasi kryesuesit e Grupit A në kualifikueset e Euro 2020 janë treguar të pamëshirshëm. Trajneri Southgejt aktivizoi disa lojtarë të rinj, por sërish Anglia ishte e frikshme në fushë. Uinks realizoi golin e parë, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes së Kosovës. Në pjesën e dytë realizuan kapiteni Herri Kejn, Rashford dhe Maunt, këta dy të fundit të aktivizuar si zëvendësues. Humbja ishte e pritshme, duke ditur diferencat në kualitet mes dy skuadrave. Anglia nuk toleroi aspak, ndërsa Kosova e kishte të pamundur t’i bënte ballë, aq më shumë pa Vedat Murriqin.

Kosova para ndeshjes me Anglinë. Gazeta Si, 17 nëntor 2019

Gjithsesi, paraqitja e skuadrës së trajnerit Shaland në këto eliminatore duhet vlerësuar. Kosova mban vendin e tretë me 11 pikë, por pas ka lënë dy skuadra me më shumë emër në arenën ndërkombëtare si Bullgaria dhe Mali i Zi. Kosova ka edhe një shans për të shkuar në Europian me anë të Ligës së Kombeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë