Një peshkaqen dhelpër është kapur këtë të shtunë nga peshkatarët në afërsi të ishullit të Sazanit. Peshkaqeni ishte i gjatë rreth 3 metra e 30 cm ndërsa peshonte rreth 200 kg dhe u kap në veri të ishullit të Sazanit, jashtë Gjirit të Vlorës. Ky peshkaqen, sipas ekspertëve, futet në llojin e specieve në rrezik zhdukjeje që s’para haset në brigjet e Shqipërisë pasi noton në ujëra me thellësi të mëdha. Peshkaqeni dhelpër qëndron gjithmonë larg bregut për të mos u evidentuar nga peshkatarët dhe qëndron gjithmonë në thellësitë mbi 70 metra.
Peshkaqeni dhelpër ka bishtin e gjatë dhe e përdor si “kamxhik” edhe për të goditur prenë e tij. Kryesisht ushqehet me peshq. Noton mirë dhe shpejt dhe ka aftësi fiziologjike të ruajë temperaturën e brendshme të trupit, më të ngrohtë se ai i ujit të detit përreth. Pavarësisht madhësisë, nuk është i rrezikshëm për njerëzit për shkak të dhëmbëve të vegjël. Ndërsa është shumë i çmuar për peshkatarët për shkak të mishit të tij dhe të vajit të mëlçisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.