Me dy ndeshjet e Grupit G, është plotësuar spektri i 16 skuadrave të kualifikuara për në fazën tjetër të Botërorit. Belgjika dhe Anglia ishin të kualifikuara, por çështja ishte kush duhej të zinte vendin e dytë, që leverdiste shumë në këtë rast për të shmangur Brazilin në çerekfinale, duke qenë se sfidat e 1/8-ve konsiderohen relativisht të lehta.
Humbja kishte më shumë vlera se fitorja në këtë ndeshje dhe gjithë ditën u fol për këtë teori, për numrin e kartonëve që do të merreshin, madje edhe për shortin e mundshëm pas ndeshjes nga FIFA në rast barazimi edhe me kartonë, pasi pikët dhe golaverazhi ishin në barazi të plotë. Por një shqiptar nuk e ka pranuar kompromisin, ka guxuar dhe i ka dhënë Belgjikës fitoren me një eurogol.
Për një pjesë loje, Anglia dhe Belgjika u duk se deshën ta humbnin ndeshjen dhe publiku filloi të vërshëllente gjatë 45 minutave të para. Por në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka dhe dyja skuadrat dhuruan emocione. Në fund triumfoi Belgjika e trajnerit Martinez, falë një goli spektakolar të Adnand Januzajt. Anglia zë vendin e dytë dhe kompleton pjesën e lehtë të skemës që të çon në finalen e Moskës.
E gjithë pjesë e parë ishte në sinkron me atë çfarë ishte diskutuar gjatë ditës. Secila palë linte tjetrën të vepronte me lehtësi, duke përjashtuar ndonjë episod sporadik, që vërtetonte së në fushë ishin dy skuadra pretendente. U krijua përshtypja se ndeshja do të mbyllej 0-0, që do të lejonte Anglinë, në bazë të rregullit të “fair-play”-it, të zinte vendin e parë (3 të verdhë për belgët dhe 2 për anglezët para nisjes së ndeshjes). Rotacioni ishte total nga të dy trajnerët. Southgejt kishte ndërruar 8 lojtarë, ndërsa Martinez 9.
Ndoshta në pushim dy skuadrat kuptuan se nuk mund të shtyheshin 45 minuta ashtu dhe në të dytën ndryshuan marsh. Një perlë e Adnand Januzajt me të majtën zhbllokoi shifrat. Lojtari me origjinë shqiptare, që luan për Belgjikën, ka ndryshuar rrjedhën e lojës, sepse pas golit të tij ka pasur ritëm dhe raste. “Luanët” u zgjuan nga gjumi dhe Rashford gaboi përballë portierit Kurtua. Raste edhe për Mertensin dhe Felainin te Belgjika, por jo gola të tjerë.
Në raundin tjetër Blegjika ndeshet me Japoninë, më 2 korrik, kurse Anglia me Kolumbinë më 3 korrik. Sigurisht, impenjimi në këto ndeshje do të jetë shumë herë më i madh. Anglia e ka rrugën më të lehtë, kurse belgët që tani bëjnë llogaritë për Brazilin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.