E kishte paralajmëruar përpara se të bëhej ministër i brendshëm i Italisë, por pa mbushur ende një muaj në pushtet, Matteo Salvini ka kërcënuar të anuloje mbrojtjen policore për një nga gazetarët më të njohur të vendit, Roberto Saviano. Në një intervistë për televizionin kombëtar “Rai Tre”, Salvini tha se kishte ardhur koha për të shqyrtuar shpenzimet për policët që ruanin Savianon, duke argumentuar se “italianët po i keqshpërdoronin fondet e tyre”.
Saviano mbrohet 24 orë nga policia, për më shumë se një dekadë pas publikimit të librit të tij “Gomorra”, në vitin 2006, ku zbulonte të dhëna tronditëse mbi mafian napolitane. Ai nuk është vetëm një nga shkrimtarët dhe personalitet më të njohura të medias, por gjithashtu një nga kritikët më të ashpër të Salvinit. Të tjerë gazetarë investigativë që janë 24 orë nën mbrojtjen e policisë pasi kanë ekspozuar korrupsionin e mafias dhe marrin pothuajse çdo ditë kërcënime me vdekje, janë gjithashtu të shqetësuar për sigurinë e tyre. Federica Angeli, një gazetare që ruhet 24 orë, pas ekspozimit të lidhjeve mafioze në qytetin turistik të Ostias, thotë se në Itali, njerëzit janë mësuar me faktin se gazetarët kanë nevojë për mbrojtje nga policia “.
Në vitin 2017, u raportua se 196 gazetarë ishin marrë nën mbrojtje, dhjetë prej të cilëve ruheshin 24 orë në ditë. Angeli shprehu shqetësimin se situata aktuale politike e Italisë mund të vinte në rrezik jetën e gazetarëve. Kërcënimi kundër Savianos vjen në një moment të pasigurt për shtypin Italian. “Reporterët pa Kufij” paralajmëruan këtë vit se niveli i dhunës ndaj gazetarëve është “alarmues dhe se vazhdon të rritet”. Gjatë 2017-ës, në Itali u dokumentuan 32 incidente, ndërsa këtë vit, janë regjistruar edhe 24 të tjera. Edhe nëse nuk rezultojnë me vdekje, këto incidente janë shpesh herë shumë të dhunshme. Nëntorin e kaluar, reporteri i “Rai”, Daniele Piervince u sulmua barbarisht nga një person i lidhur me mafian. Si rezultat i këtyre sulmeve, në dhjetor u hap një qendër koordinimi për dhunën ndaj gazetarëve, e para e këtij lloji në Evropë.
Qëndrimi i qeverisë së re ndaj medias siguron pak shpresë se dhuna ndaj gazetarëve do të dënohet, përkundrazi sugjeron se situata mund të përkeqësohen. Në të vërtetë, Salvini nuk është i vetmi në qeveri që ka dalë kundër gazetarëve. Partia tjetër e koalicionit, Lëvizja Pesë Yjet (M5S), ka qenë mjaft skeptike ndaj mediave. Beppe Grillo, themeluesi i kësaj lëvizjeje, krijoi një kolonë të njohur si “Gazetari i Ditës” në blogun e tij, në të cilin veçonte artikuj të cilët ishin kritikë ndaj M5S-ës.
“Frika ime është që kërcënimet e këtyre grupeve politike mund të çojnë në përkeqësim substancial të lirisë sonë”, thotë Angeli. Aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj saj përfshijnë edhe hedhjen e substancave të rrezikshme poshtë dritares së saj. Nëse nuk trajtohen shkaqet e dhunës ndaj gazetarëve, heqja e mbrojtjes policore do të kishte efekte shkatërruese për shtypin italian. Shumë gazetarë janë më shumë se të gatshëm të pranojnë se janë gjallë, falë mbrojtjes së policisë. Lirio Abbate, gazetare e specializuar në krimin e organizuar dhe zëvendësdrejtoresha e revistës së përjavshme “L’Espresso”, ruhet nga policia që nga viti 2007.
“Mbrojtja e policisë kombëtare më shpëtoi nga një bombë që ishte vendosur jashtë shtëpisë sime në Palermo dhe nga një sulm i armatosur në Romë. Policia arrestoi një prej këtyre vrasësve, por kërcënimet vazhdojnë ende sot- tha Abbate në vitin 2017- Prania e policëve që më mbrojnë nuk më pengon të vazhdoj të punoj në terren. Madje them se falë tyre, mund të vazhdoj të riafirmoj çdo ditë rëndësinë e gazetarisë investigative”.
Tashmë gazetarët italianë po japin dorëheqjen sepse kanë frikë për jetën. Muajin e kaluar, Salvatore Sparavigna, një gazetar vendas njoftoi se do ta linte profesionin pasi kishte marrë një kërcënim me vdekje në kutinë e tij postare. “Do të përfundosh si Siani”, shkruhej në letrën kërcënuese, e cila i referohej Giancarlo Sianit, një gazetar i famshëm për hetimet e tij mbi sindikatën e krimit Camorra, i cili u vra brutalisht në vitin 1985. “Pas indiferencës së madhe dhe mungesës së përkrahjes nga të gjithë, kam vendosur të heq dorë dhe t’ia kushtoj kohën time diçkaje tjetër. Një gjë është e sigurtë: ata kanë fituar”, shkruante Sparavigna në Facebook. Megjithatë, kjo nuk është vetëm një çështje që ka të bëjë me gazetarët. Angeli tregon se dhuna që ajo përjeton prek edhe shumë qytetarë të pafajshëm. Shumë banorë në Ostia i kanë rrëfyer se klanet e drogës u kërkojnë mbrojtje dhe para si dhe kërcënojnë bizneset lokale.
“E kupton se ka diçka që nuk shkon me këtë vend, kur sheh këta njerëz që vijnë dhe më kërkojnë mua ndihmë. Duhet të jetë shteti ai duhet t’i mbrojë. Unë jam thjesht një gazetare. Çfarë mund t’u garantoj unë? Dhe çfarë mund të garantojë shteti për të mbrojtur gazetarët italianë?, pyet ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.