Pasi pa dështimin e Gjermanisë, Brazili e mori shumë seriozisht ndeshjen me Serbinë dhe i mbylli llogaritë shpejt, duke fituar 2-0 dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin E. Golat e Paulinjos dhe Tiago Silvës e ngjitën Brazilin në kuotën e 7 pikëve dhe në fazën tjetër luan me Meksikën. Vendin e dytë në grup e ka zënë Zvicra e “shqiponjave”, që ka barazuar 2-2 me Kosta Rikën dhe në fazën e 1/8-ve ndeshet me Suedinë.
Lideri i Brazilit është Koutinjo, i cili këtë herë ka dhënë një asist spektakolar për Paulinjon në pjesën e parë, ndërkohë që ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e para. Serbia është mundur me të gjitha forcat, por eliminimi i saj ishte kuptuar që me humbjen ndaj “shqiponjave” zvicerane.
Nejmar edhe këtë herë ka vazhduar me fintet dhe simulimet e tij, por diçka më shumë ka bërë për skuadrën. Bashkëpunimi me Koutinjon dhe Gabriel Jesus është më i mirë. Pulinjo shënon në pjesën e parë dhe largon presionin. Më pas skuadra e Tites tregon se është solide dhe jo më kot konsiderohet favorite për të fituar Botërorin. Lojtarët lëvizin mirë të gjithë dhe mbulojnë çdo boshllëk. Brazili humbi pas pak minutash Marselon, i cili u dëmtua dhe u zëvendësua nga Filipe Luis. Serbia nuk kishte çfarë humbte dhe sulmoi më shumë në pjesën e dytë, por goditjen përfundimtare ia dha Tiago Silva, që shënoi me kokë golin e dytë në një goditje dënimi. Kaq mjafton dhe Brazili tani duhet të mendojë për Meksikën.
Në ndeshjen tjetër, Zvicra e katër shqiptarëve e ka pasur situatën nën kontroll në ndeshjen me Kosta Rikën. Ka shënuar golin e parë me një tjetër “shqiponjë”, Blerim Xhemajlin, i cili nuk e ka bërë gjestin e Xhakës dhe Shaqirit për të shmangur polemikat. Kosta Rika ka barazuar dy herë, por pak rëndësi kishte ky fakt, sepse kualifikimi i Zvicrës ishte siguruar edhe nga fitorja e Brazilit ndaj Serbisë. Zvicra do të ndeshet tashmë me Suedinë dhe shanset e kalimit në çerekfinale janë të mëdha.
Faza e 1/8
Spanjë – Rusi
Uruguai – Portugali
Francë – Argjentinë
Kroaci – Danimarkë
Brazil- Meksikë
Zvicër – Suedi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.