Ana e errët

Pasuritë që dogjën kryegjyqtarin, të fundmin e Gjykatës së Lartë

Komisioni i Posaçëm i Apelimit shkarkoi të premten nga detyra kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin. Ky është vendimi më i fundit i shpallur nga trupa e gjyqtarëve e kryesuar nga ana e Albana Shtyllës, i cili tashmë është përfundimtar, duke e nxjerrë nga sistemi i drejtësisë, Zaganjorin.
Problemet me pasuritë e paluajtshme, si dhe mungesa e të ardhurave të ligjshme për shkollimin e dy fëmijëve të tij në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga kryesuesja Albana Shtylla; relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo. Ato zhvilluan dy seanca dëgjimore më 23 qershor dhe 10 korrik ku u dëgjuan dhe pretendimet e kryetarit të Gjykatës së Lartë mbi arsyet e kërkuara nga komisioneri publik Florjan Ballhysa. Komisioneri Publik u vu në lëvizje pas kërkesës së bërë nga tre ekspertë të huaj të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kundër vendimit të 24 korrikut të vitit 2018 për vlerësimin pro qëndrimit në detyrë të Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit.
Trupi gjykues theksoi se “Zaganjori ka mungese të burimeve financiare të ligjshme dhe ka kryer deklarim të pasaktë. Në lidhje me shpenzimet e shkollimit të fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjermani për periudhën 2010 dhe 2019, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë i saktë në deklarimin e shpenzimeve të kryera dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar likuiditetet e përdorura për shpenzimet e kryera”.
“Trupi gjykues shqyrtoi çështjen në tërësi. Bazuar në aktet e administruara dhe provat e paraqitura, arriti në konkluzionin se duhet ndryshuar vendimi i KPK dhe vendos shkarkimin nga detyra të Xhezair Zaganjorit”, deklaroi Shtylla, kryesuesja e trupit gjykues të KPA-së, duke ndryshuar vendimin e marrë një vit më parë nga ana e KPK-së.

Zaganjori nuk ishte i pranishëm sot në shpalljen e këtij vendimi përfundimtar, ndërsa prezent ishte Theo Jacobs, si përfaqësuesit i ONM-së.
Argumentet e shkarkimit dhe mosjustifikimi i pasurisë
Janë katër pasuri të paluajtshme që sipas verifikimeve të Kolegjit të Apelit kanë rezultuar se janë kryer mbi bazën e llogaritjeve jo të sakta të deklaruara dhe të krahasuar me vitet 2003 dhe të viteve 2017. Për pasuritë e 280 metrave katrorë që janë si biblioteka, apartamenti i banimit dhe bodrum konstatimi është ai mos justifikimit të pasurisë. “Trupi gjykues vlerëson se referuar deklaratës fillestare të pasurisë të vitit 2003 dhe asaj të pasurisë Vetting 2017, subjekti i vlerësimit i deklarimit është i pasaktë në deklarimin e sipërfaqeve, vlerës dhe burimit të krijimit të këtyre pasurive të paluajtshme. Subjekti nuk arrin të mbulojë me të ardhura të ligjshme pasuritë e krijuara, të treguara më sipër dhe shpenzimet e kryera deri në vitin 1999, vit me të cilin pretendon se ka shlyer tërësisht vlerën ndaj bashkëpronarëve, diferencën e mbetur të vlerës së investimit për ndërtimin e godinës. Për rrjedhojë subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, si dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive siç përcaktohet nga neni 33 pika, 5, a dhe b të ligjit 84/2016”, tha Shtylla gjatë leximit të një pjese të vendimit. Po ashtu probleme janë konstatuar edhe me deklarimin e një apartamenti në Durrës në vlerën e 32 mijë dollarëve amerikanë.


“Në lidhje me të ardhurat nga qiraja pas vitin 2001, të deklaruara si burim i krijimit të pasurisë apartament me sipërfaqe 81 metra katrorë me vendndodhje në Durrës , shtimit të gjendjeve të llogarive bankare dhe të mbulimit të shpenzimeve ndër vite. Trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk arriti të vërtetojë bindshëm përmbushjen e detyrimeve tatimore me qëllim konsiderimin e këtyre të ardhurave të ligjshme. Për rrjedhojë trupi gjykues i Kolegjit arrin në konstatimin se subjekti i rivlerësimit ka mungesë burimesh financiare të ligjshme të përcaktuara në nenet 33, pika 5, germa b të ligjit, dhe ka kryer deklarim të pasaktë sipas nenit 33, pika 5, germa b sipas ligjit”, thuhet në këtë vendim.


Gjithashtu probleme nga Kolegji i Apelimit është konstatuar edhe nga fakti i mosdeklarimit të qirasë sipas ligjit në zyrat tatimore, ku të ardhurat kanë shërbyer për të blerë pasuritë e paluajtshme.
Për kryetarin e Gjykatës tashmë të shkarkuar problem janë edhe krijimi i të ardhurave, ku kolegji ka vërejtur mos përputhje dhe mangësi. “Në lidhje me mosmbulimin me të adhurave të ligjshme të shpenzimeve dhe kursimeve vjetore për vitet 2003-2016, nga analiza financiare e kryer në kolegj subjekti i rivlerësimit rezulton me pamundësi financiare për të mbuluar me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet. Trupi gjykues lidhur me vitit 2011-2012-2014 vëren se nga analiza financiare e kryer në Kolegj subjekti Zaganjori kishte mundësi financiare për të mbuluar me të ardhurat e ligjshme shpenzimet e kursimet në vitin 2011, ndërsa për vitet 2012 dhe 2014 nuk arriti të provojë aftësinë financiare për të mbuluar me atë ardhura të ligjshme shpenzimet e kursimet e deklaruara. Për rrjedhojë subjekti i rivlerësimit (Zaganjori) ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme, sipas përcaktimeve të nenit 33, pika 5, germa b e ligjit “Për rivlerësimin kalimtar””, theksoi Shtylla.
Gjithashtu u bë e ditur se ndaj Zaganjorit kishte edhe ankesa apo “kallëzime” të shtetasve të ndryshëm, por që nuk u morën në konsideratë nga Kolegji i Posaçëm.

Konkluzionet për Pasuritë
Për katër pasuritë e paluajtshme të ndodhura në rrugën Dedë Gjoluli
Apartamenti banimi 293 m2, e deklaruar ILDKP në vitin 2003, 200 m2 dhe 87 m2 ballkon, me vlerë 7.4 milionë dhe burim i krijimit të deklaruar nga shitja e apartamentit dhe të ardhurat personale. Në deklaratën e pasurisë në vetting 2017 deklaruar 5.8 milionë lekë me vlerën me burim krijimi të deklaruara nga shitja e apartamentit, nga të ardhurat personale dhe nga qiraje. Pasuria rezulton në bashkëpronësi me bashkëshorten. Pasuri është ndërtuar në vitin 1997, ka kaluar në pronësi në kontratë e shitblerjes të datës 6.10.2001, me çmimin në kontratë me vlerën 500 mijë lekë
-Pasuria e paluajtshme, njësi shërbimi bibliotekë, sipërfaqe 70 metra katrorë, pjesë takuese e sipërfaqes 281 metra katrorë në të njëjtën ndërtesë banimi deklaruar në deklaratën e pasurisë së vitit 2003, si fillestare, në vlerën 1.8 milionë lekë, me burim krijimi të ardhura personale. Dhe në deklaratën e vitit 2017 të Vettingut, të deklaruar në vlerën 1,4 milionë lekë me burime të të ardhurave personale dhe me qira. Pasuria me sipërfaqe totale 281 m2 është ndërtuar në vitin 1997, kaluar dhe regjistruar në pronësi të tij dhe 6 bashkëpronarëve të tjerë në kontratë e shitblerjes 6.10.2001 me çmim në një vlerë 500 mijë lekë.
Pasuria e paluajtshme, bodrum, me sipërfaqe 65 m2, pjesë takuese e sipërfaqes total prej 286 metër katrorë, në të njëjtën ndërtesë banimi, e deklaruar në deklaratën fillestare të pasurisë të vitit 2003 me sipërfaqe 70 m2, në vlerë 1,5 milionë lekë ku përfshihet edhe zyra me burim krijimi të deklaruar të ardhura nga qiraje bibliotekës. Dhe në deklaratën e pasurisë së vitit 2017 në vlerën 800 mijë lekë me burim krijimi nga të ardhurat personale dhe me qira.
Pasuria e paluajtshme zyrë, 15 m2, pjesë takuese e sipërfaqes totale prej 57 m2, në të njëjtën ndërtesë banimi. Në deklaratën e 2003 është deklaruar se është me sipërfaqen 20 metra katrorë, në vlerën 1,5 milionë lekë, ku përfshihet edhe bodrumi me burim krijimi i të ardhurave nga qiraja e bibliotekës. Dhe në vitin 2017 në deklaratën Vetting, të deklaruar në vlerën 400 mijë lekë me burim të krijuar nga të ardhurat personale dhe qiraja. Ajo është ndërtuar në 1999, regjistruar në hipotekë në vitin 2001 në vlerën 500 mijë lekë.
Në lidhje të burimit të ligjshëm të apartamentit 86 m2 në Durrës, e pronësi e fituar me kontratën e shitblerjes, darës 7.6.2006,me çmimin 32 mijë USD, me burim krijimi të deklaruar në vitin 2017 nga të ardhura personale dhe nga qiraja.
Trupi gjykues vëren se në deklaratën periodike vjetore të vitit 2006, Zaganjori ka deklaruar tërheqjen dhe mbylljen të llogarisë bankare në bankën Italo-Shqiptare, sot Banka Intesa Sao Paolo, në 2006 ka tërhequr shumën prej 1,25 milionë lekë. Në përgjigje të pyetësorëve të KPK, subjekti ka deklaruar burime të ndryshme të shumës së paguar, nëse pjesa më e madhe e saj prej 16 mijë USD paguar nga fillimi vitin 2006 është tërhequr nga depozita që kishte me bashkëshorten nga Banka Amerikane, si dhe tërheqja e mbyllja e llogarisë e shumës 25 milionë lekë nga banka Italo-Shqiptare. Në analizë dokumentacionit të administruar dhe provave të paraqitura trupi gjykues vlerëson se subjekti është i pasaktë në deklarimin e burimit të krijimit të kësaj pasurive, referuar deklaratave të dhënave.
Subjekti i vlerësimit nuk ka arritur të provojë tërheqjen e shumës prej 16 mijë USD nga llogaria bankare 2006, periudhë në të cilën deklaron përdorimin e kësaj shume për blerjen e apartamentit. Për rrjedhojë subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe ka mungesë të burime financiare të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie sipas parashikimeve ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë