Nga Edmond Prifti - Pogradeci apo Poradeci (me një bre nga pas) nuk ofron veçse gjolin (liqenin, në dialektore), apo shprehjen e famshme “gusht’ e gunë” (kur fillojnë shirat, e koha ftohet së tepërmi), por një lagje të famshme muze, - atë të tetë burimeve apo “Toplecit”, - pak të njohur edhe për vetë pogradecarët, kur u rrëfen atyre për mahnitjen, por edhe lënien në mëshirën e kohës, të vilës së famshme të Afërdita Gushos, (e vitit 1880 sipas Thoma Zhekut, banor i lagjes Toplec) - apo ajo që njihet ndryshe si vila e Et’hem Beut, në filmin “Mëngjese lufte” (1971).
E po ashtu, ndonëse qyteti është tashmë pjesë e UNESCO-s, - pas viteve të tëra që janë bërë pjesë fqinjët maqedono-veriorët përtej gjolit, - e propagandës për riparimin apo sistemimin e shtëpive të lagjes muze, veçse “sipërfaqja” e tyre është “gërvishtur” pakëz, për hir të turistëve sezonalë. Teksa ecim kalldrëmeve (“të modernizuara”, tashmë) na shoqëron Petraq Kyçyku, banor i lagjes së Toplecit, për tek ish-vila e shkrimtarit Mitrush Kuteli (Dhimitër Paskos), e fshirë nga faqja e dheut, - siç edhe na rrëfen në videon tonë, Kyçyku.
Po aty, para sheshit, ku ndodhet veçse një dritare e hequr, disa tjegulla e shumë hedhurina, na del në dritaren me kangjella e kokën e futur midis tyre, edhe zonja e vetmuar, Adriana Pilinçi, e cila mund të ishte një subjekt i denjë i filmave të Felinit, nëse ai do ishte ende gjallë.
Ashtu si njerëzit e saj që pothuajse e kanë braktisur (jeton veçse me lëmoshën e të vëllait të saj, në një “vilë” krejt të rrënuar), ndërtesat në Toplec, po harrohen në shkresurina zyrash... Ndonëse, “të dërguarit” nga Ministria e Kulturës e specialistët e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës së Korçës, kishin ardhur një vit më parë... nuk u rikthyen kurrë më. “Premtimet” i mbajtën veçse te shtëpia e Marie Qipros (shihni videon më sipër), që sipas saj “u kthyen sërish, me Opingat e Sheros!”. Fshehtazi, kuptohet edhe nga nënkryetari i Bashkisë Pogradec, z. Cano, një cmirë e DRMK-së të Korçës, “...që këta të fundit do të kenë më pak turistë!”. Ndërsa, Roland Tola, teksa kishte rrëkëllirë disa gotka raki, por tejet i qeshur, së bashku me mikun e tij “Loken e Agllës”, na gjezdisin e tregojnë rrëfenja, rrugicave të kësaj lagjeje “që veç gojë nuk kanë” për të na rrëfyer historitë e hershme e të sotme, që nga ato se, pse “nuk pihej uji i burimit të Toplecit, 40 ditë para dasmës”, e “pse pogradecarët, thirren shpesh me emrat e mamave!”. Për Po(g)radecin kam harruar shumë... tejet shumë, por na i rrëfeni ju, ato që keni përjetuar e parë, ndjerë, fotografuar e takuar mes njerëzve të këtij qyteti të magjishëm...
Buzë Liqenit të Dritës
Teksa kërkoja për videot e hershme të Pogradecit, hasa në një thesar të padëgjuar më parë, si zëri i Kadri Roshit, duke recituar vargjet e poezisë së Lasgush Poradecit (Llazar Gushos) “Poradeci”, (e më tej vetë Poradeci, mbi kodrën e qytetit së bashku me qenin e tij, Cucin) që kumbojnë tejet fort: Perëndim i vagulluar/mi Liqerin pa kufir./ Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë, si një hije.../.
Pikërisht aty, jo veçse u ngjizën dy korifenjtë, Poradeci dhe Kuteli, por edhe vetë qyteti buzë gjolit, siç na i kanë rrëfyer edhe ata dikur, është i tillë, krejt magjik, - si çdo lindje e perëndim dielli, mbi Malin e Thatë, e teksa zhduket përtej kodrës së kalasë së lashtë ilire, ku edhe gurët, po zhduken... Ironike, por ende Pogradeci jeton si një magji me ata pak poradecarë të mbetur nga ata të shumtë që kanë mërguar larg (shumë syresh emigrantë lotarie në Amerikë, e shumë të tjerë, në kryeqytet). E stina e verës, ajo “e vogla”, në këtë qytet të freskët, i mbledh “sokakëve” për një raki e cironka, burrat, apo xhirove familjare por edhe “për gjueti çunash e çupkash”, (ende ke rastin të shohësh tek-tuk, vajza të kapura prej dore apo çuna të kapur prej krahu) që vijojnë ecejaket “vara-vingo” në shëtitoren “1 Maji”, buzë gjolit, por edhe lokaleve të shumta që nga pleskavicat, kërnackat e deri te Korani me arra, e lakrori me petka, të shuara me birrën e fqinjëve korçarë... Në këtë vend, buzë liqenit të lashtë të dritës, nuk ka më shtëpi private aty te gjoli, aq sa pogradecarët e paktë të mbetur, nuk para mbajnë mend kur u prishën vilat e fundme nga planet e qyteteve socialiste, përveç se, nga videot e hershme të AQSHF-së, apo filmave të xhiruar nga “Shqipëria Sot”. E vetmja për çudi, ka ngelur një shtëpi buzë bregut, e viteve ’30, (thuhet se, edhe pronari i saj kishte ikur herët në Amerikë dhe ishte shtetas amerikan!) pranë ish-kampit të Pionierëve. E nëse kur zbardh dita, shkon në Zyrën Turistike, e ndodhur në Pallatin e Kulturës “Lasgush Poradeci”, - shumë pranë Bashkisë, - teksa kërkon për ndonjë hartë turistike të qytetit, mezi gjen ndonjë të tillë, (edhe atë të vetmen nuk ta japin, pasi kishte ngelur vetëm një kopje) madje edhe muzeu i qytetit, i cili ndodhet pranë shkollës “Gjok Shqiptari”, (emër i vendosur nga i riu Gjok Shqiptari, që shpërndante libra shqip, për të përhapur gjuhën shqipe në rrethin e Pogradecit) dyert i ka të mbyllura në orën e mesditës, ndërsa midis kangjellave “lodron” një rrjetë e stërmadhe merimangash.
Edhe i famshmi “Oktapodi”, i ndërtuar në fundin e viteve ’80, - një ëndërr nostalgjike e çdo pogradecari, - për ato tasat prej kauçuku e bozën e mrekullueshme – që rrethohej në mjediset e brendshme nga pikurat murale të piktorit pogradecar, Taso (Anastas) Kostandini, - me nimfën e liqenit dhe pelikanin – sot, një vend i kthyer në një tualet të hapur publik. Po pranë saj, pa e vrarë shumë për historikun e këtij qyteti të lashtë disa çekë, seç nxjerrin nga çantat e tyre, - mbase, kanë mësuar se ende ka cironka, bregut të gjolit. Ndërsa dy familje gjermane me rulotë, kanë hapur tendat pranë makinave të tyre, pak më tej. Aty ku ende në të djathtë, duken uçkat (drunj të ngulur, dikur një urë e hershme) ku disa pogradecarë me shtojca “ce” dhe “bre”, ia kanë shtruar me të pirë, ndërsa sapo kishte nisur të hapej pakëz koha nga shirat e rrëmbyeshëm të ditëve më parë, e të shohin të çuditur çfarë kërkon një “i huaj” në ato anë, me aparat foto ndër duar, ku të pret era e rëndë e amoniakut që vjen nga brenda, “Oktapodit”, të prishur. Edhe ndërtesa e ish-kinemasë, e pranë saj e ish-Turizmit të Vjetër, kanë ngelur gërmadhë prej vitesh, - ku historinë e saj “të shereve mes pronarëve”, ta rrëfejnë pa problem edhe djemtë e “Artistit”, që shërbejnë picën, - mbase më të mirën me furrë druri në qytet, përballë karakatinave... Diku më sipër, teksa merr rrugën përpjetë, lagjja muze e Toplecit, nuk ka asnjë tabelë se ku ndodhet(j) shtëpia e Mitrush Kutelit, e po ashtu edhe të Lasgush Poradecit, (ajo e sotmja e blerë nga një pogradecar) e cila u trumbetua se, do të bëhej muze...
E megjithatë, me një “ëndërr turistike” ndër mend, ecim kalldrëmeve, tashmë moderne, jo më si dikur, të këtij qyteti ku nostalgjikët e turistët e huaj, janë të shumtë... E shumë syresh, kanë arsye! Ri-takojmë sërish - si edhe në mëngjes, - Rolandin (apo Ladin e Marinkës, siç do ta shpjegojmë më poshtë) te bar “Topleci”, në hyrje të lagjes muze, së bashku me Loken e Agllës (ish shoferin e linjës Pogradec-Tiranë), ku këta të fundit na zbulojnë “ca sekrete”, se, “pse, veçse në Pogradec, thërriten meshkujt me emrat e mamave!. “Po ja... kanë qenë heroina...”, - nis e rrëfen duke qeshur, Lokja, tashmë i plakur por i lezetshëm, si në aplikacionin e fundit trendy “FaceApp”, ndërsa shton se, “jeta në Pogradec është që nga 15 korriku në 30 korrik, e më pas, gusht e gunë... kështu që, kemi net pe dimri, e kur dalim në mëngjes, i kemi sytë kallapaçka (tapë metalike) nga të pirët...”. Kur e pyet Ladin e Marinkës (ish-postieres së Pogradecit) se a ka më pogradecarë, para kamerës të rrëfen që ka “si mo, nuk ka të tillë!”, ndërsa të tregon me dorë hyrjen e Toplecit, deri te burimet, - aty ku edhe ndodhet një pllakat i Lasgush Poradecit, për kroin e lagjes.
Befas, i kthen replikën një djali të ri, duke i thënë, “...ce gënjen ti, ku ka më poradecarë? Këta janë të ardhur të tërë, mo...”. “Pse o, nga je?”, - i kthehet Ladi i Marinkës.
“Unë jam në Tiranë”, - i kthehet djaloshi, që pak më parë bridhte rrugëve të Toplecit me një makinë luksi ngjyrë të kuqe, ndërsa shton, “Jam nga Tushemishti, i ardhur këtu!”... e kështu, replikat vijojnë gjatë e më gjatë, mes gotave të tjera të rakisë, teksa fillon të ngryset... Pas mbylljes së xhirimit, Ladi i Marinkës të afrohet në vesh me llullën e tij që e tërheq fort dhe e ndez me çakmak pa pushim, duke të thënë se “këta të ardhurit nga Mokra” – që e kanë çuar Pogradecin në 50 mijë banorë – “kuptohen se, thonë “bora”, në vend të “bëra”, “ishtërte”, “bëntërte”, apo “qeva”. Hajde “T’u tura”, - “Gëzuar, bre”, - e të zgjon nga përgjumja që të kishte rënë dielli në kokë gjithë ditën, e tashmë pak nga rakia, e ca nga dialekti “deri sa të futesh në temë”, teksa të ngre në ajër drejt teje, teken e dytë të rakisë së rrushit. Më pas iu “rrëshqita duarsh”, duke i lënë nga një teke tjetër në tavolinë, e duke ecur për poshtë në kalldrëmet e Rrugicës së Oficerëve (E ndodhur pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve, sot Gjykata e Rrethit) që ishin shqepur sërish për të disatën herë. Tutje, në shëtitore, një fresk të përpin duke ta bërë trupin mornica, ndryshe nga kriveci (puhiza e liqenit) i lehtë, i asaj mesdite.
Pse në Pogradec?
Pushtimi avaro-sllav në shekullin e VII-VIII-të, e sidomos perandoria bullgare në shekujt XI-XII-të, ndryshoi mënyrën e jetës në këtë zona nga ajo “polis” (brenda mureve të kalave) në atë sedentare fushore, duke titulluar shumë prej vendbanimeve, me toponime sllave. Vetë Pogradeci, do quhej “Pogda grada”, që do të thotë “Nën qytet”. Tashmë “qyteti i ri” do të shtrihej nën kalanë e vjetër ilire, që është edhe sot, kalaja e qytetit. Pogradeci ndodhet rreth 139 kilometra larg Tiranës, 40 kilometra larg nga Korça, 5 kilometra larg nga Tushemishti (fshat turistik, e pikë kalimi kufitar me Maqedoninë Veriore), 25 kilometra larg Ohrit (qytetit përballë Pogradecit, në bregun tjetër të liqenit). Në hyrje të këtij qyteti ndodhet një bunker italian, i frontit të Luftës Italo-Greke në vitet ’40, pikërisht sipër kalasë që ndodhet në kreshtën e djathtë, e që deri vonë mbulohej nga vreshtat e mollët, kurse pylli i gështenjave matanë Goricës e kodrave përballë liqenit, nuk ekziston më... Udhëtimi me tren po ashtu, nuk ekziston, - ndonëse do ishte një, mjaft piktoresk, - pasi shinat e trenit janë vjedhur kilometra, pa hyrë në këtë qytet. E të gjithë pasagjerët ndalonin në stacionin e fundmë të “Gurit të kuq”, (dikur ishte një autobus i kuqërremtë dhe një jeshil, fizarmonikë, që merrnin pogradecarët drejt qytetit, e të shumtë të ardhur nga Korça dhe Erseka) shinat e fundme të trenit, për në jug-lindje. E kishte marrë emrin “Guri i kuq”, pasi pothuajse 200 metra më tutje, ndodhej edhe miniera me të njëjtin emër e hekur-nikelit të Udënishtit, që nxirrte mbi 45% të këtij xeherori në Shqipëri (aty ku sot, ndërtesat e dikurshme të administratës dhe përpunimit, janë të denja për vend-xhirim të filmave horror). Në këtë qytet zhvillohet çdo vit Festivali i Filmit Ballkanik dhe i Kulinarisë, e së fundmi edhe Dita e Verës (pijes). Shijon po ashtu edhe të freskëtin e verës rrethuar plot lule e libra, në “të ngrohtin” lokal të dimrit, “Shtëpia e miqve”, që më korrik 2019, mbushi 12-vite nga hapja. Kisha e Shën Mërisë, në lagjen muze të Toplecit, i përket vitit 1810, ndërsa pllakat e shtruara brenda e një pjesë e vogël e kalldrëmit të oborrit, i përkasin vitit të ndërtimit të saj (kisha u kthye në ofiçinë mekanike në 1967 dhe u rihap nga At Artur Liolini në vitin 1990). Është një qytet i dashur, po aq familjar dhe i freskët, kur zhegu në Tiranë... bëhet i padurueshëm. Aty ngaherë do ta gjesh së paku 5-7 gradë celsius, më pak. Temperatura mesatare vjetore e muajve është 11 gradë celsius; ajo e muajve më të ftohtë 2.2 gradë celsius, ndërsa ajo e muajve më të ngrohtë, 21.4 gradë celsius. Si kuriozitet, temperatura e ujit të Liqenit të Ohrit, është 1 gradë më e lartë se temperatura e ajrit. Zona e Liqenit të Ohrit (Pogradecit) u shpall në shkurt të vitit 1999, “Peizazh i mbrojtur tokësor/liqenor”. Liqeni i Ohrit është liqeni më i thellë në Ballkan, i krijuar para më shumë se 2 milionë vitesh dhe në brigjet e tij ndodhen disa monumente unike kulturore. Pogradeci ka 24 orë ujë të pijshëm dhe ujërat e zeza nuk derdhen prej shumë vitesh në liqen (ndërsa Tirana, kryeqyteti ynë, mban era amoniak netëve nëse kalon aty pranë Lanës). Por ka edhe absurditete! “Zyrtarisht” thuhet ngado se ekziston që prej 15 qershorit të vitit 2014, një traget përgjatë sezonit turistik mes qytetit të Pogradecit dhe atij të Ohrit, në anën tjetër, - por nënkryetari i Bashkisë Pogradec, Avdulla Cano, na e mohoi një gjë të tillë, madje edhe një “makinë amfibe” që u vendos privatisht vite më parë duke u “përsiatur” bregut të liqenit, u hoq për arsye sigurie, edhe si shkak i vjetërsisë së saj (e prodhimit sovjetik, e viteve ’60). Bregu i liqenit, ndryshe nga jugu ynë, përgjatë afro 4 kilometrave të Shëtitores “1 Maji” (zonë që kanë mbetur ende plazhe publikë), është i lirë nga ndërtesat shumëkatëshe, ndërsa jo shumë larg bregut, shtrihet “një park” i stërgjatë me shelgje lotzonjës, gështenja të egra e bliri. Pra, aroma dhe freskia e tyre ndihet ngado. Veçse aty në atë gjol mund të shohësh një pamje të rrallë, ku mbi varkat e peshkatarëve pa u gdhirë ende mirë, fluturojnë nositët (pulëbardha e liqenit), emrin që mban edhe e famshmja gazetë e qytetit, apo poezia me të njëjtin emër, e Lasgushit (Vdekja e Nositit). Në Pogradec, e rrugicat e këtij qyteti, u frymëzuan e u ngjizën poezitë e prozat e para, tregimet e novelat... e Kutelit dhe Lasgushit (shtatoret e së cilëve gjenden sot, përballë njëri-tjetrit) ndërsa ajo pjesë e ngritur e shtëpisë së Lasgushit, atje tej në Toplec, të rikujton erotizmin e lartë të këtij korifeu në “Vizita e Zonjushës Ana në kullën e tij”.
Pogradeci ka çmime të pranueshme për çdo xhep, një lakror të mrekullueshëm me qepë e domate apo hithra, a spinaq, por edhe dy nga pikat më të rëndësishme turistike, si Driloni (Voloreka), i preferuari edhe i diktatorit Hoxha, e Tushemishti, (këto do t’i rrëfejmë një herë tjetër për “Vende dhe udhëtime”) i Teto Ollgës, që la qytetin për atë fshat. Por jo pa harruar, edhe rrënojat e kishës së kohës së Justinianit e mozaikët e shekullit të VI-të pas Krishtit (që renditen më të mëdhatë në Ballkan, me sipërfaqe, 220 metra katrorë), - apo ato më pak të njohurat si vendbanimi prehistorik i Zagradies (fatkeqësisht ndryshe nga ne, maqedono-veriorët fqinjë, kanë ndërtuar një “qytet” të tillë, të quajtur “Ishulli i Kockave”) si dhe rrënojat e kishës bizantine, pranë stacionit të peshkimit, në Lin, - fshati, në zbritje të Qafës së Thanës, më se 22 kilometra nga Pogradeci. Por Pogradeci, “nuk ndalet këtu”. E kjo është pjesa që do shahemi ndër dhëmbë, pasi me siguri kemi harruar me qindra syresh... Figura të njohura nga ky qytet janë edhe filozofi, studiuesi e patrioti Gjergj Pekmezi, “Mësuesi i Popullit” Kol Koci, filantropisti e inxhinieri “Qytetar Nderi” Kareman Gora, arkeologu e historiani Vangjush Manastirliu, deputeti i parë në 1921, Banush Hamdi Bego, “Qytetar i nderit” e kirurgu i parë Nikolla Niça, apo Niko Nikolla si kryeredaktori më jetëgjatë i revistës “Hosteni”, e deri te “Krenaria e qytetit”, profesori që humbi jetën tragjikisht Drini Cake, përkthyesja dhe shkrimtarja Meri Lalaj, e Doktori i Letërsisë, Ilir Shyta (njëherazi drejtues i televizionit lokal “Sot7”, dikur “ARV” dhe “Radio Pogradeci”, e sot, profesor pranë Universitetit “Fan S. Noli”, në Korçë), Oficeri i policisë e njëherazi fotografin e talentuar, Ardian Fezollari, Poeti Dhimitri Pojanaku dhe ai më i riu, Gerti Mullai, piktorët pogradecarë, “Piktorin e Merituar”, Anastas (Taso) Kostandini dhe Gentian Zeka, por edhe shumë të tjerë (do na duheshin disa faqe!)... Pogradecarët kanë e shumë të tjera, me ç’të krenohen! Legjendat urbane thonë se nga “korani i këtij gjoli”, “lëpinte gishtat” edhe Mbretëresha Elizabeta e Anglisë, por deri më sot, askush nuk e ka faktuar këtë gjë. Kujdes për ju që do ta blini rrugëve, pasi Troftën me pika, mund ta shesin edhe për Koran, - ku ky i fundit, dallohet për pikat e tij të kuqe dhe të zeza (thjesht edhe mund të “gugëlloni”, në virtual). Belushka, ndryshe nga “peshku mbret”, Korani, është më e vogël. Më e këshillueshme është ta blesh atë, në orët e para të mëngjesit, teksa peshkatarët dalin në breg, e sjellin “gjahun” që nga viti në vit pakësohet (dikur kishte edhe Tushemishti një ndërmarrje që hidhte miliona vezë korani, në gjol). Në këtë qytet, lindi edhe radio e parë në Shqipëri, e hapur në fillim të vitit ‘96 nga Thoma Tore, - një biznesmen i suksesshëm, që sot ka madje edhe një muze kafeje në Pogradec. Asokohe ishte koha e kasetave dhe hit-paradës me kaseta të këngëve “You don’t fool me” të Queen apo “(No good) Start the dance” nga Prodigy, e emisionit “Një orë me engjëjt”, e shpesh, shiritat ngatërroheshin apo incizoheshin ashtu nxitimthi, së bashku me reklamat maqedonase, deri sa erdhën kasetat e para nga Rumania. Ishte pikërisht kjo radio ilegale, në Rrugën e Spitalit, “e menaxhuar” brenda... një dhome gjumi. Pogradeci, po ashtu, ka qenë qyteti me bibliotekën më të madhe në Ballkan, (NEARO - American Public Library and Learning Center) me më se 400 mijë libra, (gjendej e vendosur në hyrjen nga ana e liqenit, e Teatrit të Kukullave) por që pasi u vodh sa u mund, u dogj krejtësisht, në vitin e mbrapshtë ’97, - bashkë me librat e çmuar të fillim shekullit, por edhe më herët. Vilat e ish-udhëheqjes, në fund të “1 Majit”, janë ende në gjendje të mirë, ndërsa pranë tyre, buzë bregut, është hapur së fundmi një vend mjaft i këndshëm si “El Milingona”. Pogradeci të ofron një udhëtim alpin mahnitës (i përshtatshëm edhe për sportet dimërore), në majën e Malit të Thatë (duke e nisur udhëtimin nga Alarupi), atje ku lind dielli mbi Pogradec, por edhe një rrugëtim më tej drejt Bashkisë së Liqenasit (ish-Postec) dhe ishullin e Maligradit me kishën brenda ishullit, në liqenin e Prespës (Park Kombëtar) - jo shumë larg, qytetit. E në se, jeni “tifoz” i aventurave më të mëdha, të atyre 4x4 apo çiklizëm, rrugëtoni më tej drejt Kanionit të Llëngës, (pa përfunduar ende HEC-i) Monumentin e Natyrës, Gurin e Kamjes, Liqenin akullnajor të Lukovës, apo Shpellën e Ariut (shumë pak e eksploruar) në Bishnicë, të Pogradecit, por edhe drejt Urës së Golikut (e shekullit të XVII-të, ku pranë saj kalon rruga Egnatia) si dhe Varret Monumentale të Selcës së Poshtme, në tokën e Desaretëve (40 kilometra larg nga Pogradeci) – që datojnë 400 vite para Krishtit. E në se doni të çlodheni, rikthehuni sërish në Pogradec. Mund të ecni kuturu rrugicave të këtij qyteti ku çdo prag është plot histori, e kroje të kulluar që Lasgushi “i këndoi”: “Kroj, i fshatit tonë, tetë sylynjarë./ Nër tetë krahina, qënke kroj i parë./ Qënke një në botë, s’paskërke të dytë./Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë./”. Por mos harroni të merrni ngaherë me vete, një bluzë me mëngë të gjata e të ngrohtë, për sezonin e verës. Ky ishte dhe është qyteti “palcërisht shqiptar, i futur në gjirin e maleve, si truri në kafkën e njeriut”, - thoshte Llazar Gusho, që edhe llagapin apo nofkën, ia vuri vetes, Poradeci (Pogradeci).
Pamje mahnitëse
Kalaja e qytetit, ndodhet në kodrën sipër qytetit të Pogradecit, në hyrje të tij, në krahun e djathtë. Kalaja ka qenë e banuar që në shekullin e V-të para Krishtit deri në shekullin e X-të, kohë pas së cilës banorët e saj, zbritën më afër liqenit të Ohrit, të cilin romakët e quajtën Lyhnidos, që do të thotë Liqeni i Dritës. Në kala, sot nuk kanë mbetur shumë gjëra për t’u parë, por amatorët e shëtitjeve në natyrë kanë një pamje mahnitëse për të shijuar e fotografuar, ku duket e gjithë sipërfaqja e liqenit, nga lart.
Manastiri i Shën Naumit
Një nga Manastiret tejet të debatuara që nga kafexhinjtë, e më pak nga historianët shqiptarë... i cili ndodhet menjëherë pas doganës (Maqedonia Veriore) së fshatit turistik të Pogradecit, në Tushemisht. Brenda këtij manastiri ndodhet një kishë e vogël, ku është edhe varri i Shën Naumit, një dishepull i shekullit të X-të i Shën Klementit të Ohrit dhe një prej etërve themelues së krishterimit ortodoks. (Shën) Naumi, themeloi manastirin e Shën Mihalit dhe u varros më 910. Ikonostasi me gdhendje të mrekullueshme i përket vitit 1711, ndërsa ikonat janë të shekullit të XVIII-të, të pikturuara nga mjeshtri Kostandini.
Kisha dhe Manastiri i Shën Marenës
Ndodhet në veri të fshatit Llëngë. Kisha, është një ndërtesë e vogël, afërsisht 8-12 metra e gjatë, e i takon fillimit të shekullit të XVIII-të. Ikonostasi është gdhendur me motive floreale (lule), ndërsa pjesa e brendshme e kishës është e mbuluar me afreske, që i përkasin dorës së mjeshtrit të këtyre zonave, Kostandin Shpatarakut. Shën Marena, është vend pelegrinazhi për shumë pogradecarë, por edhe turistë të shumtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.