Futboll

Vetëm gjobë nga FIFA për Xhakën dhe Shaqirin

Të festosh me simbolin e shqiponjës dykrenare nuk është e ndaluar, edhe kur e bën këtë gjest përpara mijëra tifozëve për një gol të shënuar. Nuk ka karakter politik në këtë mënyrë gëzimi, që Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ua kanë dedikuar familjeve dhe popullit të tyre, teksa festonin golat e shënuar në portën e Serbisë.

FIFA ka vendosur ta mbyllë pa pezullim procedimin penal, që kishte hapur për dy lojtarët me origjinë shqiptare të Zvicrës. Xhaka dhe Shaqiri nuk janë pezulluar për ndeshjet e ardhshme të “Rusi 2018”, sepse nuk kanë bërë asgjë të ndaluar. As për kapitenin e Zvicrës, Stefan Lihshtajner, i cili iu bashkua festës së Xhakës dhe Shaqirit, duke bërë edhe ai simbolin e shqiponjës, nuk ka pezullim. FIFA ka vendosur që Xhaka dhe Shaqiri të dënohen vetëm me një gjobë prej 10.000 mijë frangash, pasi me veprimet e tyre kanë tensionuar tifozët e Serbisë në stadium. Gjobë edhe për Lihshtajner, por me 5000 franga.

Një gjobë të majme ka marrë Federata e Futbollit të Serbisë: 54.000 franga zvicerane. Gjoba për Serbinë është vënë nga FIFA për shkak të parullave dhe koreve të tifozëve serbë gjatë ndeshjes me Zvicrën. Gjobë kanë marrë gjithashtu presidenti i Federatës së Serbisë, Sllavisha Kokeza, 5000 franga, si dhe trajneri Mlladen Kërstajiç, i cili lëshoi akuza të ashpra pas ndeshjes me Zvicrën, duke e krahasuar VAR-in (teknologjinë në futboll) për drejtësi selektive, sipas tij, si Gjykata e Hagës.

Në mbështetje të dy futbollistëve kosovarë të Zvicrës, Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, kanë dalë shumë figura të njohura të futbollit dhe jo vetëm. I fundit ishte ish-kapiteni i Zvicrës, Stefan Frei, i cili u shpreh se ishte krenar për ta. Ai theksoi për shtypin zviceran se në kombëtaren e futbollit gjithmonë ka qenë kështu, pasi ka pasur lojtarë me origjinë italiane, turke dhe afrikane, ndërsa tani është koha e lojtarëve me origjinë shqiptare, të cilët janë plotësisht të ingranuar në jetën e përditshme dhe askush nuk i ndalon ata të flasin gjuhën e tyre në shtëpi, apo të jetojnë me traditat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë