Pas vitesh të tëra bashkëpunimi, mosmarrëveshjet e Angela Merkelit me partnerët bavarezë mbi politikën e refugjatëve u shndërruan në një debat të zjarrtë të enjten, duke kërcënuar jo vetëm stabilitetin e koalicionit të madh gjerman por edhe bllokun konservator, i cili ka qenë themeli i arritjeve të politike të Merkelit për dekada të tëra. Vendimi i Merkelit për mosmiratimin e plani të ministrit të brendshëm bavarez për t’i kthyer disa refugjatë në kufirin gjerman, nxiti një përballje aq të ashpër sa mund të rrëzojë qeverinë e saj.
“Unë e konsideroj emigracionin ilegal një nga sfidat më të mëdha të Bashkimit Evropian por nuk mendoj se duhet të veprojmë në mënyrë të njëanshme, pa konsultime dhe në kurriz të palëve të treta”, tha Merkel. Në thelb të kësaj mosmarrëveshjeje qëndron pyetja nëse Gjermania duhet të kthejë refugjatët që kanë aplikuar për azil në vendet e tjera të BE-së. Merkel kundërshton politikën në bazë të arsyetimit se ky vendim mund të nxisë shkatërrimit e sistemit të kufijve të hapur të Evropës duke i detyruar fqinjët e Gjermanisë të ri-vendosin kontrollet kufitare. Mosmarrëveshja ka zbuluar përçarjet e thella brenda koalicionit qeveritar, të cilat do të jenë të vështira për t’u tejkaluar për aq kohë sa Merkel mbetet kancelare. Pas një dite dramatike dhe teatri politik, i cili përfshinte si rrallëherë pezullimin e një seance të Bundestagut, kancelarja duket se kishte siguruar besnikërinë e krishtian-demokratëve (CDU) në parliament, falë një seance të gjatë me dyer të mbyllura, e kryesuar nga presidenti i Bundestagut Wolfgang Schäuble, një aleat historik i Merkel.
Por në vijën e frontit kësaj radhe Bavaria, shteti më jugor i Gjermanisë, i cili ka qenë pika e hyrjes për shumicën e refugjatëve që mbërritën në vend gjatë viteve të fundit. Ndërkohë që fluksi u intensifikua, krerët e CSU-së e detyruan Merkelin të zbatonte kontrolle më të rrepta kufitare, duke shkuar deri në kërcënimin e peticionit të gjykatës kushtetuese të Gjermanisë për ta detyruar te jepte dorëheqjen.
Në fund, Merkel pranoi kushtet e tyre, por përplasjet mes saj dhe udhëheqësit të CSU-së, Horst Seehofer, tanimë ministër i Brendshëm, vazhduan. Ndonëse ardhja e refugjatëve në Gjermani ka rënë ndjeshëm, CSU-ja po kërkon të tjera lëshime të mëtejshme. Shumë bavarezë janë të zhgënjyer me masat e qeverisë federale për emigracionin dhe po i bashkohen ekstremistëve të AfD-së. Edhe jashtë Bavarisë, shumë gjermanë nuk i besojnë Merkelit. Edhe pse 64 për qind e gjermanëve e miratojnë punën e përgjithshme të kancelares, 53 për qind thonë se ajo nuk e ka menaxhuar mirë fluksin e refugjatëve, sipas një sondazhi të lëshuar nga televizioni publik gjerman javën e kaluar.
Të dhënat e sondazhit duket se kanë inkurajuar CSU-së për të patur një konfrontim të drejtpërdrejtë me kancelaren. Ndërkohë rreth dy të tretat e gjermanëve pajtohen me qëndrimin e CSU-së për largimin e refugjatëve në kufi. Korrupsioni në një qendër refugjatësh në Bremen dhe vrasja e një 14 vjeçareje gjermane nga një refugjat irakian muajin e kaluar kanë ndezur edhe më shumë opinionin publik. Së fundmi Seehofer kishte në plan të prezantonte një “masterplan” për të përmirësuar sistemin e azilit në Gjermani. Projekti përfshin 63 masa, duke përfshirë mundësinë e kthimit të refugjatëve në kufi, por Merkel nuk e lejoi ta paraqiste planin, duke argumentuar se Berlini duhet të priste rezultatin e takimit të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Deri sa të krijohet një sistem evropian për azilaltët, Merkel premtoi të lidhte një marrëveshje bilaterale me Italinë dhe Greqinë për të dërguar atje refugjatët që hyjnë në Gjermani.
Por kësaj radhe as Seehofer dhe partia e tij nuk pranuan të tërhiqen, duke kërcënuar të votonin pro politikës së dëbimit të refugjatëve. Një strategji e tillë nuk do t’i linite zgjidhje tjetër Merkelit përveçse të përballej me Seehoferin, një hap që mund të rrëzonte qeverinë. Të sfidojë hapur autoritetin e Merkelit është bërë tanimë një politikë kyçe e CSU-së, duke sinjalizuar se është e gatshme të sakrifikojë aleancën e gjatë me CDU-në. Gjermanët votuan në shtator dhe u deshën rreth gjashtë muaj negociata të vështira për të formuar një qeveri. Një tjetër raund votimesh do të ishte gjëja e fundit që dëshiron populli dhe do të rezultonte fatale për Merkelin, e cila nuk do ta fitonte kurrë një mandan të dytë si kancelare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.