Sabina Veizaj – Ana Nikollën e takoj tek Panairi “Work & Study”. Kishte shëtitur gjithë stendat e panairit dhe po merrte për nga dera e daljes. Ishte e shoqëruar me një shoqe të sajën, Anxhelën.
Mandej mësova se ishin të dyja në nivelin master për Trashëgimi Kulturore pasi kishin përfunduar nivelin e parë të studimeve për Arkeologji.
Për Anën nuk është hera e parë që vjen në panair, kurse për Anxhelën po.
“Qëllimi im që kam ardhur këtu ka qenë që të gjeja një hapësirë për praktikë pune, por nuk kam gjetur asnjëherë në profesionin tim. Të gjitha ofertat nuk kanë pasur lidhje me degën time apo me ndonjë profil të kulturës. Ofertat më të mëdha janë në sektorë si banka, call center”, më thotë Ana, e cila për momentin po ndjek vetëm studimet.
Tek stenda e kompanisë “Teleperformance” kishin vërshuar një grup studnetesh.
Lori është student në një universitet privat për Informatikë Ekonomike. Ajo nuk ka punuar asnjëherë dhe ka ardhur të aplikojë për një punë në call-center që të krijojë eksperiencën e saj të parë. “Unë kam ndjekur studimet në shkollën e mesme në një gjimnaz privat maltez në Korçë, ku të gjitha lëndët kryheshin në gjuhën angleze, prandaj të punoj këtu më bën të zhvilloj më tej anglishten dhe gjithashtu të kem një eksperiencë pune që do të më ndihmojë për më vonë kur të iki jashtë”, më thotë Lori.
Në fakt, në këtë panair, ashtu siç e vunë re Ana dhe Anxhela ofertat për punë ishin kryesisht nga kompanitë call-center dhe bankat. Universitetet, shkollat e larta, kolegjet profesionale merrnin pjesë në panair për të promovuar programet e tyre të studimit.
Përfaqësuesit e kompanive, po ashtu edhe universitetet, thanë se ishin të kënaqur nga kërkesat në edicionin e 10 të panairit, ku shumë prej tyre merrni pjesë prej disa vitesh tashmë.

Gjatë qëndrimit tim aty, vërejta se kërkesat më të shumta drejtoheshin kah kompanive call center.
Malvina, e cila punon në sektorin e Burimeve Njerëzore tek Teleperformance, thotë se edhe ky panair si çdo vit i ka realizuar pritshmëritë.
“Ne kemi 2300 punonjës deri tani dhe jemi vazhdimisht në zgjerim. Ofertat tona janë për të gjithë grupmoshat mbi 18 vjeç që kanë mundësi dhe dëshirë për të punuar. Ofrojmë punë për shumë gjuhë të botës duke nisur nga italishtja, anglishtja, turqishtja, frëngjishtja, etj duke qenë se jemi prezentë në 76 vende të botës.Është një mundësi e mirë për të marrë të ardhura të mira”, thotë Malvina.
Ajo më tregon se gjatë tre ditëve të panairit pranë Teleperformance Albania janë afruar shumë të rinj, kryesisht studentë. Por, thotë ajo, ka pasur edhe familjarë me dëshirën e mirë për të punuar.
“Ka shumë fluks sepse jemi një kompani me shumë vite eksperiencë në treg”, shpjegon Malvina. Sipas saj, rrogat në kompaninë ku ajo punon janë mesatarisht 60.000 lekë plus-minus, në varësi të orëve, bonuseve dhe pozicionit.

Shqipja përfaqëson Universitetin Epoka. “Megjithëse jemi këtu për të promovuar Univeristetin, programet dhe transferimet e mundshme të studentëve, – thotë ajo – janë afruar shumë për të kërkuar edhe punë.
“Interesi ndaj degëve, – thotë Shqipja, – është për inxhinieri kompjuterike, drejtësi, arkitekturë dhe ekonomik”.

Tristan Tare përfaqëson Fiber Group, kompani call center outsourcing.
Ai më thotë se ofertat e kompanisë për këtë vit për punësim janë për profilet menaxherë telefonik, financë, IT, reporting. Por fluksi i kërkesave është tek menaxherët, më tepër në gjuhën italiane. Kategoria studentë dhe mosha e re. Tristani më shpjegon se të rinjtë dhe studentët afrohen më tepar ndaj call centerave për shkak të fleksibilitetit të orarit dhe pagesës së mirë, pasi një orë punë varion nga 320-600 lekë.
Thanasis Jorgos është menaxher i Marrëdhënieve me Publikun tek Organizata Study in Greece, e cila është ftuar në panair nga Ambasada Greke në Tiranë.
Organizata Study in Greece është një iniciativë private, por është e vlerësuar nga Shteti dhe ka marrëveshje me tre ministri ; të Edukimit, Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Turizmit.

Sudy in Greece përfaqësonte në panair si arsimin publik, ashtu edhe atë privat për të thithur studentë në nivelin Bachelor dhe Master.
Ajo që Thanasis tregon me entuziazëm, është se këto ditë në panair ka takuar shumë të rinj që njohin mirë gjuhën greke. Sipas tij, ata janë të favorizuar sepse në universitet publike, të cilët janë falas dhe pa provime hyrëse, e zhvillojnë mësimin vetëm në gjuhën greke sipas ligjit në fuqi. Të rinjtë e interesuar pranë organizatës greke për të studiuar në vendin fqinjë, janë interesuar kryesisht për degët Mjekësi, Psikologji, Adminsitrim Biznes, Arkeologji dhe Greqishte të vjetër. Thanasis më tha se kishte takuar një matuarnt që kishte pasion agronominë.
Në panair përfaqësohej edhe Kolegji Profesional i Lartë Tes me programe në fushën e estetikës, make-up ose për hair-artist. Sipas koordinatores, janë afruar për t’u interesuar pranë kolegjit, maturantë nga rrethet dhe Tirana.

Eicioni i dhjetë i panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka ofruar mbi 3000 vende të lira pune.
Panairi u organizua në mjediset e Muzeut Kombëtar në datat 30 prill – 2 maj dhe në të morën pjesë 65 kompani, universitete e institucione të ndryshme.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jakaj, në çelje të panairit, u bëri ftesë punëkërkuesve që të gjejnë veten në këtë panair.
Nikolin Jakaj: “Kemi shumë punëkërkues ndërkohë që nga ana tjetër kemi shumë vende pune të hapura në këtë panair. U bëj thirrje të hapur të gjithë punëkërkuesve, studentëve, të rinjve që duan punë dhe janë të aftë të japin kontributin e tyre në ekonominë e vendit tonë, të vizitojnë panairin e punës ‘Work and Study” dhe jam i bindur që do të gjejnë veten në stendat dhe intervistat që do të bëjnë”.
Bashkia e Tiranës ofroi në këtë panair mundësinë për 90 aplikantë që të bëhen pjesë e administratës së saj në sektorë të ndryshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.














