Ekonomi

FMN kundër politikave fiskale: Dëmtuan biznesin, nuk sollën të ardhura

Fondi Monetar Ndërkombëtar i tërheq qeverisë shqiptare vëmendjen në lidhje me mosrealizimin e të ardhurave.

FMN vlerëson punën e administratës tatimore dhe doganore si çelës për rritjen e fortë ekonomike përgjatë 2018-ës. “Por, pavarësisht rritjes së të ardhurave në buxhet, ato kanë rezultuar vazhdimisht në mosrealizim buxhetor, duke vendosur presion ndaj administratës tatimore, kryesisht në drejtim të rimbursimit të TVSH-së”- citohet në dokumentin e asistencës teknik për administrimin e të ardhurave të përpiluar nga Fondi dhe që është publikuar të martën, në të cilin thuhet se, shifrat tregojnë se mbledhja e taksave dhe kontributeve shoqërore është rritur në mënyrë të qendrueshme gjatë viteve të fundit.
FMN nënvizon në raportin e saj se ulja e pragut të TVSH-së për bizneset solli rritjen e kostos për bizneset e vogla, shtoi ngarkesën për tatimet, por nuk solli të ardhura
Megjithë notat pozitive, ku në raport vlerësohet rritja ekonomike si rezultat i nismave dhe reformave në të tre komponentët e administratës—njerëzit, proceset dhe teknologjia, FMN nuk është dakord me politikat fiskale të qeverisë.

Ajo nuk është dakord me uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që nisi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar.

Në raport citohet se “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e një zgjerimi të madh të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut të regjistrimit. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo përbënte një rritje prej gati një të tretën në regjistrin e TVSH-së.”

FMN vlerëson në raport se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e përballoi këtë sfidë në mënyrë profesionale dhe tepër të organizuar. Si rrjedhojë, normat e përmbushjes së deklarimit ishin tepër të larta me 96% të 13 mijë bizneseve që dorëzuan deklaratat e TVSH-së.

Por, nënvizon se ky zgjerim i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në ngarkesën e punës të DPT- dhe kostot e përmbushjes së deklarimeve për bizneset e vogla – pa sjellë rritje të konsiderueshme të të ardhurave.

FMN ka vlerësuar tatimet për kalimin me sukses të 13,000 mikro-bizneseve në sistemin e TVSH-së në vitin 2018. Fondi ka nënvizuar gjithahstu se menaxhimi i 13,000 mikro-bizneseve në n skemën e TVSH-së në vazhdimësi vendos një barrë të shtuar në DPT me kthim të vogël në lidhje me rendimentin e të ardhurave. FMN mendon se sjellë po ashtu kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor.

FMN është shprehur në raport edhe për vonesat në rimbursimin e TVSH-së ndaj bizneseve. “Problemi i vazhdueshëm i rimbursimeve të vonuara të TVSH-së duhet të adresohet. Kjo është një barrë administrative e panevojshme për administratën – shkaku kryesor i së cilës qëndron në parashikimin e dobët të taksave dhe menaxhimin e parave të qeverisë. Integriteti dhe besueshmëria e sistemit të TVSH mbështetet në kreditimin e ligjshëm të TVSH-së, që janë pagesa që duhen kthyer shpejt. Është shqetësuese që kjo çështje ka dalë sërish në pah, pasi u adresua disa vite më parë“.

Mendim…

Eksperti i fushës së ekonomisë Zef Preçi ndan të njëjtin mendim me FMN-në për politikat fiskale të qeverisë, duke i quajtur ato infantile, jo ekonomike dhe të pamenduara.
Mungesa e parave në arkën e shtetit është derivat i shumë faktorëve, sipas Preçit.
“Politikat e pamenduara fiskale kanë një ndikim thelbësor. Problemi i copëtimit të bizneseve, voluntarizmi në politikat fiskale ka bërë që reagimi i biznesit të jetë kontradiktor. Për shembull, në kuadfër të luftës kundër informalitetit u shtua numri i bizneseve, pastaj ndodhi fenomeni i mbylljeve pasive. Tani po ndodh bllokimi që qeveria bën për niptin. Gjithashtu futja e biznesit të vogël në TVSH. Janë lëvizje të pamenduara dhe jo ekonomike”

Ai gjykon se situate lidhet edhe me pritshmëritë pozitive për ekonominë.
“Duhet stimuluar konsumi, për rrjedhojë të punojnë industritë dhe shërbimet , të ketë më shumë punësim dhe më shumë të ardhura në tatim-taksa dhe sigurime shoqërore. Pritshmëritë negative kanë ushqyer tkurrjen e ekonomisë. Biznesi nuk investon sepse nuk ka konsumatorë ku të shesë mallrat dhe shërbimet. Për rrjedhojë shtohet stoku i parave jashtë, në të njëjtën kohë është rritur risku i investimeve të brendshme.”- shpjegon Preçi. Për rrjedhojë, sipas tij, është tkurrur zgjerimi i aktivitetit ekonomik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë