Ekonomi

BB tablo gri, Shqipëria rritje ekonomike, por pa punësim

Me gjithë qasjen pozitive në analizën dhe sqarimin e gjetjeve të raportit për ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipria, Banka Botërore fakton se ekonomia në vendin tonë do të ngadalësojë ritmet e rritjes më shumë se vendet e tjera të rajonit. Prandaj, sugjeron qeverinë të përshpejtojë reformat strukturore duke patur në fokus, arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Sipas Bankës Botërore, prodhimi i Shqipërisë në 2018-ën ka rezultuar pak më shumë se 4%. Kurse projeksionet për dy vitet e ardhshme janë në 3,8 %.

Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor thotë se “Politikëbërësit në rajon duhet të zbatojnë reforma që të arrihet një rritje e qëndrueshme dhe përshpejtohet krijimi i vendeve të reja të punës”.

Ndërsa menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim gjatë konferencës për shtyp duke prezantuar gjetjet e raportit u shpreh se “Pavarësisht kësaj rritjeje më të fortë (në 2018-ën), në rajon po krijohen më pak vende të reja pune, që pasqyron një dinamizëm të kufizuar në sektorin privat. Në vitin 2018, në Ballkanin Perëndimor janë krijuar vetëm 96.000 vende të reja pune, kryesisht në industri dhe shërbime, në krahasim me 171.200 vende të reja pune në vitin 2017. Papunësia pësoi rënie në vitin 2018, por mbetet e lartë, sidomos për gratë dhe të rinjtë. Në disa vende, kjo rënie ka ardhur si pasojë uljes së pjesëmarrjes në forcat e punës dhe rritjes së emigracionit, dhe jo nga krijimi i vendeve të reja të punës.”

Problematikat e thekshme që evidenton raporti, të cilat ndikojnë në rritjen e qëndrueshme janë detyrimet e pashlyera, mosrimbursimi i TVSH-së së bizneseve të cilët si rrjedhojë nuk kanë likuiditet për të vijuar dhe investuar më tej, klima e rënduar e biznesit, kreditimi i shtrënguar, papunësia, etj.

“Firmat me rritje të lartë krijojnë shumicën e vendeve të reja të punës në Ballkanin Perëndimor, por ka shumë pak prej këtyre firmave, madje edhe në krahasim me ekonomitë e tjera të vogla në Europë. Heqja e barrierave që ua vështirësojnë ekzistencën firmave të reja apo rritjen firmave ekzistuese, krijon mundësi për njerëzit – duke nxitur sipërmarrjen dhe novacionin, rritjen e vendeve të reja punës dhe realizimin e potencialit të kapitalit njerëzor të këtij rajoni dinamik” – citohet në raport.

Për Bankën Botërore, rritja e pagave dhe pensioneve në sektorin publik ka qenë një faktor kryesor i rritjes në Serbi, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ndërkohë që investimet private dhe publike kanë nxitur rritjen në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi. Këtu nuk përmendet Shqipëria, por ne vlerësohemi për rritjen e eksporteve të cilat sipas BB-së, kanë ndihmuar në rritjen ekonomike.

Por të dhënat e INSTAT kanë rezultuar se eksportet kanë nisur të shfaqin rënie në muajt e parë të vitit.

“Investimet e huaja të drejtpërdrejta kanë vijuar të kenë ritme të ngadalta.”- thekson raporti, prandaj në këto kushte, sipas BB-së, është jetike për vendet e Ballkanit Perëndimor të çojnë përpara reformat për t’i zbutur risqet dhe pakënaqësinë publike në rritje.

BB sugjeron se fushat e reformës që mund të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit, nxisin rritjen dhe krijojnë vende të reja pune përfshijnë: politikën e konkurrencës; tatimin e punës; tatimin mbi të ardhurat personale; diversifikimin e sektorit financiar; eksportet; dhe marrëdhëniet ekonomike.
Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mbi 4 përqind në 2018. Zhbalancat e jashtme dhe fiskale u përmirësuan, shtimi i vendeve të punës rriti forcën e punës dhe borxhi publik u ul.

“Pavarësisht këtyre përmirësimeve, qëndrueshmëria e mëtejshme e rritjes do të kërkonte një ritëm më të shpejtë reformash strukturore dhe progresi për hyrjen në BE”, thotë Maryam Salim, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri. “Duhen bërë përpjekje për të ruajtur konsolidimin fiskal, zbutur rreziqet fiskale dhe përshpejtuar reformat në sektorin e energjisë në mënyrë që të mbrohet qëndrueshmëria fiskale. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimit të ligjit mbeten prioritete te ndjekura nga rritja e investimeve në infrastrukturë dhe kapitalin njerëzor”, thotë ajo.

Raporti sheh edhe vështirësitë lidhur me kapitalin njerëzor në rajon. Nëse mbeten të pazgjidhura, këto vështirësi do t’i kufizojnë shumë perspektivat për rritje ekonomike dhe ulje të varfërisë.

Për shembull, thekson raporti, investimi i pakët për zhvillimin në fëmijërinë e hershme çon në rezultate të dobëta në arsimin fillor dhe të mesëm në disa vende, ku sistemet arsimore shpesh nuk u japin nxënësve aftësitë për të cilat kanë më së shumti nevojë punëdhënësit. Programet e përgjithshme të asistencës sociale shpesh nuk arrijnë familjet e varfra dhe të pambrojtura, ndërkohë që sistemet shëndetësore nuk janë në gjendje t’i përgjigjen rritjes së sëmundjeve jo ngjitëse. Të larta mbeten edhe shpenzimet private individuale për shëndetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë