Ekonomi

Qeveria pranon dështimin me ndihmën ekonomike, gati ligji i ri

Sabina Veizaj – Qeveria pranon dështimin me skemën e asistencës sociale dhe përgatit një projektligj të ri i cili është publik për diskutim mes grupeve të interesit.

Banka Botërore do të hidhte idenë për një skemë funksionale të Asistencës Sociale që në vitin 2012 kur në pushtet ishte opozita e sotme.

Skema e re mori formë me ndryshimin e ligjit në 2016-ën, udhëzimet e të cilit hynë në fuqi në 2017-ën.

Skema e re sipas qeverisë në pushtet synonte kritere të forta dhe të drejta për më të varfrit që sipas saj ishin përjashtuar deri në atë kohë dhe nxjerrjen nga skema të abuzuesëve.

Disa nga problematikat e konstatuara nga shqyrtimi i ankesave për ndihmën ekonomike qenë:

1- Mosinformimi i mjaftueshëm dhe në kohë i qytetarëve për kriteret, procedurat dhe plotësimin e dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike.

2- Masa e ulët e shumës së përfituar nga përfituesit në përgjithësi, dhe jetimët dhe viktimat e trafikimit në veçanti.

3- Mungesa e burimeve njerëzore për të verifikuar fizikisht banesat dhe kushtet e jetesës të përfituesve një herë apo dy herë në vit, siç parashikohet në ligj.

4- Mungesa e parashikimit të fondeve të organeve të qeverisjes vendore, të destinuara për përfituesit e ndihmës ekonomike në masën 3%, siç parashikohet në ligj.

5- Mungesa e shumë shërbimeve shoqërore, të cilat do të rrisnin cilësinë e jetës të qytetarëve përfitues të ndihmës ekonomike dhe familjeve të tyre.
6- Mosofrimi pranë vendbanimit të tyre i kurseve të formimit profesional dhe përmirësimi i cilësisë së tyre.

7- Përjashtimi nga ndihma ekonomike e personave me aftësi të kufizuara në pjesën që i takon atyre, kur familja është në kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike.

8- Mosaplikimi i programeve sociale, ku përfituesit e ndihmës ekonomike të përfshihen duke dhënë kontribut me punën e tyre dhe kjo të influencojë në rritjen e të ardhurave të familjeve të tyre.

Ministrja e Mbrojtjes së Sipërmarrjes asokohe, Sonila Qato do të shprehej një vit më parë nga foltorja e Kuvendit se, kjo skemë synon të zbusë varfërinë në vend dhe shkon drejtpërdrejtë për këtë kategori.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/ertv-live-ndihma-ekonomike-nuk-%C3%ABsht%C3%AB-loj%C3%AB-dhe-njer%C3%ABzit-n%C3%AB-ndihm%C3%AB-ekonomike-nuk-k/10155651075081523/

“10063 është numri i familjeve që kanë përfituar për herë të parë nga kjo skemë, që janë përjashtuar padrejtësisht nga skema e mëparshme e ndihmës ekonomike. Ndërsa skema e re e pikëzimit ka arritur të shmangë abuzimet duke nxjerrë nga ndihma ekonomike 19700 familje që kishin përfituar padrejtësisht”, do të shprehej Qato.

Opozita do të akuzonte në atë kohë kryeministrin Edi Rama se sipas saj nga skema e re janë përjashtuar 20 mijë familje në nevojë të vërtetë për mbijetesë. Për këtë arsye opozita do të kërkonte mocion me debat në parlament. Lotë krokodili do ti quante kreu i qeverisë Rama, kërkesat e opozitës, duke u shprehur se “pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur”.

“Këtu u bë disa kohë që flitet në hava për 20 mijë familje të larguara nga skema, po nuk thuhet asgjëkundi që këto ndryshme që ne sollëm përmes fillimit të zbatimit të reformës kanë mundësuar që 15 mijë familje të përfshihen për herë të parë, ndërkohë që me skemën e vjetër nuk përfshiheshin dot. Nuk thuhet po ashtu që ende pa iu përllogaritur janë 10 mijë e 63 familje që kanë përfituar për herë të parë ndihmë ekonomike që deri dje përjashtoheshin vetëm për shkak të gropave dhe shtigjeve të mbyllura të skemës së vjetër e cila ishte fund e krye në duart e partive, kryetarëve të komunave e bashkive, në duart e këshillave i jepnin ndihmë ekonomike vetvetes”, do të shprehej Rama duke shtuar se “Lotët e krokodilëve që derdhen përditë në mungesë të ideve, programit, lidershipit të një opozite që nuk di ku ka kokën e jo më t’u gjejë rrugën atyre që kërkojnë rrugë për të ardhmen, pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur. I jepnin ndihmë ekonomike deri në 6 mijë lekë të vjetra njerëzve këta, që sot vijnë këtu e kërkojnë llogari për një tjetër nga plagët e rënda që e hapën dhe infektuan me keqqeverisjen dhe shurdhërinë e verbërinë e tyre. 15 mijë familje që më parë trajtoheshin me ndihmë ekonomike të pjesshme deri në 10 mijë lekë të vjetra në muaj, sot përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë, deri në 80 mijë lekë në muaj dhe në bazë të kritereve ndihma ekonomike sot shkon deri në 110 mijë lekë në muaj”.

https://www.youtube.com/watch?v=BG9RR8EUN4Y

Edhe ministrja Ogerta Manastirliu e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të përshkruante nga foltorja e Parlamentit arritjet e skemës duke nënvizuar që me ardhjen e Ramës në pushtet mbrojtja për të varfrit është rritur.

Ministrat, Damian Gjiknuri, Ogerta Manastirliu, Blendi Klosi, gjatë një seance parlamentare ku opozita kishte kërkuar mocion me debat për skemën e ndihmës ekonomike (Mars 2018)

“27 % nga viti 2013 është rritur buxheti i programit të ndihmës ekonomike, duke rritur përfitimet për familje që kanë më shumë nevojë dhe shënjestruar më mirë familjet e varfëra. Gjithashtu Qeveria jep të gjithë subvencionet shtesë, duke filluar nga subvensioni për fëmijët për mosbraktisjen e shkollës, tek subvencioni për energjisë elektrike, shërbimet shëndetësore, strehimin, në të gjithë komponentët e saj.”- do të thoshte Manastirliu një vit më parë duke sqaruar se “Reformimi i ndihmës ekonomike, ka një target të caktuar. Jo më 22 % të mbulimit të familjeve të varfra po mbi 60% e familjeve të varfëra do të mbulohet nga skema e ndihmës ekonomike, pra tre herë më shumë se në vitin 2013! Dhe bëhet fjalë për familje vërtet të varfëra, të cilat i targeton ky sistem që po e implementojmë në të gjithë vendin.”

Banka Botërore do të reagonte në media duke përgënjeshtruar akuzat e opozitës dhe në disa raste edhe të mediave për problematikat me skemën e re.

Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, do të thoshte se projekti, sipas saj, është hartuar mbështetur në eksperiencën e ndërkombëtare që lidhet me fuqizimin e programeve të asistencës sociale dhe po funksiononte më së miri.

“Progresi i arritur deri tani në zbatimin e projektit është vlerësuar si i kënaqshëm. Rezultatet e arritura tregojnë qartë që projekti po arrin objektivat dhe qëllimet e tij kryesore. Bazuar në anketimin kombëtar zyrtar të familjeve (anketimi i buxhetit të familjeve) janë shënuar përmirësime në targetimin e programit si p.sh. përqindja e përfitimit të ndihmës ekonomike për 10% të grupit të më të varfërve është rritur nga 34% në vitin 2009 (si viti bazë) në 45% në vitin 2015. Ndërkohë, mbulimi i 10% të grupit me të ardhura më të larta në kategorinë e përfituesve është ulur, si rezultat i kontrolleve dhe inspektimeve më të forta për të shmangur abuzimet. Pritet që mbulimi i përgjithshëm i më të varfërve të rritet bazuar në të dhënat zyrtare më të fundit”, do të deklaronte Salim një vit më parë.

Procesi pilot për zbatimin e formulës që përcakton të drejtën për përfshirje në programin e ndihmës ekonomike, ka filluar që në vitin 2014 në tri rajone,Tiranë, Durrës dhe Elbasan, të cilat përfshinin gjysmën e popullsisë së vendit dhe që nga janari i 2018-ës është shtrirë në shkallë kombëtare.

Vetëm dy muaj pas artikulimit të problemeve me këtë skemë, Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore do të miratonte një financim shtesë prej 11 milionë dollarësh për Projektin e Modernizimit të Asistencës Sociale, i cili sipas BB-së, do të rriste mbështetjen për reformat që përmirësojnë barazinë dhe eficencën e programeve të asistencës sociale në Shqipëri.

Projektligji…

Megjithë faturën financiare të kripur për xhepat e taksapaguesëve shqiptarë, qeveria Rama mendon ta përmirësojë më tej skemën.

Projektligji i ri, sipas qeverisë ka për qëllim të rregullojë mënyrën e dhënies së ndihmës ekonomike, pagesave të aftësisë së kufizuar dhe bonusit të bebeve, për të garantuar mbrojtje sociale për të gjithë qytetarët.

Gjithashtu projektligji garanton mbështetje për familjet dhe individët në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social ekonomike.

Në nenin 11 të ligjit përcaktohet përfitimi i ndihmës ekonomike si një pagesë e kufizuar në kohë. Ky kufizim kohor do të synojë integrimin në jetën shoqërore të familjeve në skemën e ndihmës nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit, me qëllim që kjo skemë të mos përdoret si mekanizëm përfitimi që mund të çojë në papunësi të zgjatur të anëtarëve të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike.

Ndërsa në nenin 14 përcaktohet se masa e ndihmës ekonomike është e plotë për familjet pa të ardhura apo me të ardhura të pamjaftueshme nga programet e asistencës sociale, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera.

Referuar relacionit shpjegues të projektaktit, objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e ndihmës ekonomike, kanë të bëjnë me: administrimin dhe funksionimin e një skeme të përmirësuar të ndihmës ekonomike; thjeshtimin e procedurave të panevojshme për shkak të riorganizimit të skemës, të cilat janë bërë pengesë për mospërfitimin në kohë të ndihmës ekonomike; nxitjen e punësimit dhe përfshirjen e personave në moshë aktive pune përfitues të ndihmës ekonomike në programet aktive të punësimit dhe formimit profesional; mosrefuzimin e ofertave të përshtatshme të punës nga zyrat e punës; forcimin e masave shtrënguese në rastet e refuzimit apo largimit nga puna, me synimin për të shmangur sigurimin e të ardhurave në mënyrë alternative (informale); përjashtimin nga detyrimi i paraqitjes në zyrat e punës për tu regjistruar si punëkërkues të papunë të anëtarëve të familjeve në zonat rurale që zotërojnë ose jo tokë bujqësore në pronësi/përdorim, apo familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç; menaxhim dhe kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe shmangien e abuzivitetit.

Bonusin e bebeve projektligji i ri e sheh si pjesë të një politike gjithpërfshirëse për nxitjen e lindmshërisë në vend, në një kohë kur emigracioni është në rritje dhe plakja epopullsisë ka një trend rritës.

“Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me bonusin e bebeve (mbështetja financiare për foshnjat e porsalindura), kanë të bëjnë me: krijimin e një politike të re sociale pro lindshmërisë; (ofrimin e një ndihme të drejtpërdrejtë ndaj familjeve, për t’i përkrahur pas lindjes së fëmijës; dhënien e bonuseve të shumëfishuara për fëmijët e lindur,” citohet në relacioni shpjegues të projektligjit.

Në nenin 12 përcaktohet e drejta e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar e cila garantohet si një e drejtë e cila edhe në rastet e punësimit të personit me aftësi të kufizuar, përfitohet deri në 4 vite krahas pages.

Në Kreun IV parashikohen kriteret dhe procedurat e përfitimit nga programet e asistencës sociale, ku në nenin 14 përcaktohet se masa e ndihmës ekonomike është e plotë për familjet pa të ardhura apo me të ardhura të pamjaftueshme nga programet e asistencës sociale, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera. Skema e re e ndihmës ekonomike nuk ka kritere përjashtuese nga aplikimi për ndihmë ekonomike, çdokush mund të aplikojë përmes një procedure të thjeshtuar dhe pa dokumentacion të tepërt.

Kjo dispozitë parashikon edhe rastet që përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike dhe afatet e përjashtimit nga e drejta për aplikim dhe përfitim.

Parashikohet që formula e unifikuar e pikëzimit të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në vartësi të nivelit të varfërisë në vend. Ky nen përcakton që të drejtën e tërheqjes së ndihmës ekonomike në familje e ka gruaja.

Në nenin 16 parashikohet procedura e përfitimit të aftësisë së kufizuar dhe dhënia e këtyre përfitimeve në bazë të vendimit të komisionit të vlerësimit, duke shmangur vendimin e Këshillit Bashkiak.

Projektakti në nenin 17 të tij i jep të drejtën kategorive përfituese të përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, në kuptim të skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor.


Anashkalohet vendimmarrja e Këshillit Bashkiak për dhënien e ndihmës ekonomike që jepet përmes sistemit të pikëzimit, pasi kjo e drejtë i është atribuar me ligj Drejtorisë Rajonale të SHSSH dhe deri më tani vendimmarrja e Këshillit Bashkiak kufizohej vetëm në propozimin e familjeve aplikuese, ndërkohë që vendimi me familjet përfituese nga sistemi i pikëzimit nuk përfshin të gjitha familjet aplikuese.

Anashkalohet vendimmarrja e Këshillit Bashkiak për dhënien e ndihmës ekonomike që jepet përmes sistemit të pikëzimit, pasi kjo e drejtë i është atribuar me ligj Drejtorisë Rajonale të SHSSH dhe deri më tani vendimmarrja e Këshillit Bashkiak kufizohej vetëm në propozimin e familjeve aplikuese, ndërkohë që vendimi me familjet përfituese nga sistemi i pikëzimit nuk përfshin të gjitha familjet aplikuese. “Shpesh herë Këshilli Bashkiak ka penguar shpërndarjen në kohë të ndihmës ekonomike jo vetëm për përfituesit nën juridiksionin e kësaj bashkie por për të gjithë qarkun. Po ashtu, anashkalohet vendimmarrja e Këshillit Bashkiak për pagesat e aftësisë së kufizuar, për shkak se kjo e drejtë i jepet individit në bazë të vlerësimit të komisionit të posaçëm për vlerësimin e aftësisë së kufizuar”, citohet në relacionin shpjegues të projektligjit.

Fatura financiare e pagesave të programit social është në ngarkim të arkës së shtetit dhe projektakti parashikon që “financimi i programeve të asistencës sociale bëhet sipas mundësive të Buxhetit të Shtetit”.

Projektakti parashikon sanksionet dhe procedurat e ankimimit.

Projektakti parashikon edhe rastet që përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike.

Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtë mujore, familjet kryejnë ndarje të qëllimshme të anëtarëve të saj, nuk tërheq ndihmën ekonomike pa shkaqe të arsyeshme, brenda afateve të përcaktuara, fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë, si dhe refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional apo nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës. Ndërkohë që përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë një vjeçare familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, apo që punësohet dhe ndërpret marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, si dhe ka kryer dy ose më shumë deklarime të rreme.

Projektligji parashikon gjithashtu shfuqizimin e i ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” i ndryshuar viti 2005 dhe lë në fuqi aktet nënligjore në zbatim të ligjit që nuk bien në kundërshtim me projektaktin e propozuar, deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij projektakti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë