Ngjarje

Të dielën ndryshon ora, akrepat zhvendosen 60 minuta përpara

Të dielën më datë 31 mars 2019 ndryshon ora, duke u kthyer ora verore. Akrepat e orës zhvendosen 60 minuta përpara. Ora verore do të jetë në fuqi deri të dielën e fundit të muajit tetor. Kjo do të thotë se më datë 31 mars 2019, ora 02:00 do të jetë 03:00. Me kthimin e orës verore, njerëzit do të kenë mundësi të shijojnë më shumë ditën dhe rrezet e diellit.

Ndryshimi i orës bëhet dy herë në vit, në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit me qëllim shfrytëzimin sa më mirë të energjisë diellore. Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma europiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para dhe orës dimërore kur ato shkojnë 1 orë pas. Ndryshimet bëhen të dielën e fundit të muajit marsit dhe të dielën e fundit të tetorit.

Në Europë së fundmi ka pasur një debat të nxehtë për ndryshimin e orës dhe më në fund është marrë një vendim. Parlamenti Europian ka vendosur me vota për heqjen e ndryshimit të orës, përkatësisht llogaritjen e kohës verore e dimërore. Sipas vendimit të marrë, më 2021 ndërpritet lëvizja e treguesve të orës, që ndodhte me dekada dy herë në vit, të dielën e fundit të muajve mars e tetor.

Vitin e kaluar Komisioni Europian propozoi që t’i jepej fund praktikës së ndryshimit të orës. Propozimi erdhi pas rezultateve të një sondazhi mbarëeuropian, sipas të cilit 84% e të anketurave ishin shprehur pro heqjes së ndryshimit të orës. Shumica e europianëve që e kërkonin këtë ishin gjermanë. Debatet disavjeçare janë fokusuar në fakt në nevojën për të minimizuar humbjet ekonomike të tregtisë që mund të shkaktohen nga sistemet e ndryshme të kohës. Për këtë arsye, u është lënë detyrë shteteve anëtare të BE-së që të bashkërendojnë zgjedhjet e tyre se cilën orë do të mbajnë.

Disa studime shkencore sugjerojnë gjithashtu se ndryshimet e orës dy herë në vit kanë pasoja negative në shëndetin e njerëzve. Sipas ekspertëve, ndryshimi i orës në fakt sjell disa disavantazhe për mirëqenien tonë. Organizmi i njeriut e ndien menjëherë ndryshimin, njësoj siç ndihet lodhja fizike me të cilën përballemi kur kalojmë nga një zonë orare në një tjetër, pas një udhëtimi të gjatë ajror. Pavarësisht ndryshimit vetëm për një orë, kjo periudhë i bën njerëzit të ndihen jo mirë, me një ndjesi boshe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë