Ngjarje

Ish agjenti i NSA pranon fajin për vjedhjet e të dhënave

Një ish-kontraktor, i cili vodhi dosjen e të dhënave nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA (NSA), është deklaruar fajtor për marrjen e dokumenteve të klasifikuara.

Harold T Martin mori dokumentet dhe disqe në shtëpinë e tij, por nuk besohet se i ka shitur apo ndarë ato. Raportohet se Martin ka pranuar fajin pas një marrëveshje për dënim të reduktuar nga prokurorët.

Me gjithë marrëveshjen, prokurorët do të kërkojnë dënim me 9 vite burg për Martin.
Ai akuzohet për mbajtjen me dashje të informacionit që kanë të bëjë me sigurinë kombëtare të SHBA. New York Times tha se dosja e të dhënave që Martin mbante në shtëpinë e tij në Baltimore është shkelja më e madhe e informacionit e bërë ndonjëherë në histori. Së paku gjashtë nga dokumentet që posedonte ai janë klasifikuar si sekret i lartë. Këto informacione u mblodhën nga ai, gjatë një periudhe 20 vjeçare kur Martin punonte në NSA dhe në agjencitë e tjera federale amerikane.

Avokatët e Martinit thanë se nuk kishte dëshmi se ai tradhtonte Shtetet e Bashkuara. Në gjykatë, ata thanë se grumbullimi i informacioneve ishte shkak i sëmundjes së tij mendore, dhe se ai nuk e ka bërë me keqdashje apo tradhti.

Në kohën e arrestimit të tij në gusht të vitit 2016, Martin gjithashtu punoi për Booz Allen Hamilton Holding Corp, e njëjta kompani që kishte punuar më parë Edward Snowden, i cili gjithashtu vodhi dhe publikoi dokumentet e klasifikuara të NSA në 2013.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë