Lulzim Basha e paraqiti të çliruar opozitën nga kompleksi i takimeve e pjesëmarrjeve në konferencat e tryezat që i kushtohen lirisë së medias në vend, pas vendimit për të djegur mandatet në Parlament.
Kryetari i Partisë Demokratike mori pjesë në tryezën “Liria e medias në funksion të mbrojtjes së demokracisë” dhe gjatë fjalës së tij tha se vendi ndodhet para një sfide jetike, përtej propagandës së fushatës dhe zgjedhjeve.
“Nuk flasim për fushatë, as për vizione e programe, por për një çështje jetike të mbijetesës së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave europiane në Shqipëri”, deklaroi Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike mendon se media tradicionale në vend e ka humbur misionin e saj dhe është shndërruar në një shtojcë përforcuese e propagandës së Qeverisë. Për këtë arsye, Basha thotë se shpesh është detyruar opozita që të kryejë hulumtimet që në një vend normal i takojnë medias.
“Do të doja të ngrija disa shqetësime që unë dhe ne si opozitë kemi ngritur për median prej kohës. Çështja e sigurisë së gazetarëve, që janë nën kërcënim dhe trysni të vazhdueshme. Nuk bëhet fjalë për kërcënime nga pronarët e tyre, por për kërcënime për jetën siç ka ndodhur në jo pak raste. Censura dhe autocensura për shkak të tryesnisë politike direkte dhe indirekte, përdorimi i mediave për avancimin e interesave ekonomike dhe jo për interesin publik. Paaftësia për të hulumtuar dhe pasqyruar problemet e thella të shoqërisë, ekonomisë dhe politikës, duke i kthyer në një përforcim të propagandës së pushtetit, duke mos luajtur rolin e hulumtimit dhe investigimit. Jemi bërë shpesh si media për çështje të krimit, korrupsionit për të plotësuar atë që gjykojmë se është një boshllëk i lënë nga media”, tha Basha.
Në këndvështrimin e liderit të opozitës, sot më shumë rol hulumtues për tematika të mëdha si korrupsioni, krimi dhe droga janë duke luajtur portalet online sesa mediat tradicionale të mëdha, ndërsa u zotua se si shembull i dëshirës për të shëndoshur këtë sektor nuk do të ketë asnjë kufizim për gazetarët në ndjekjen e aktiviteteve të tij dhe të Partisë Demokratike.
Tryeza u organizua një ditë pas protestës së të enjtes para Kuvendit, ku në fjalën e rastit, Lulzim Basha sulmoi mediat tradicionale, që po u shërbejnë interesave të pushtetit duke braktisur interesin publlik dhe deformuar realitetin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.