Ne rrjet

Fati i Britanisë së Madhe në dorë të BE-së

Pas dështimit për të disatën herë të miratimit të planit “Brexit” në parlamentin britanik, karriera politike e Kryeministres Theresa May dhe qëndrueshmëria ekonomike e Britanisë së Madhe janë në duart e Brukselit.

Nëse Bashkimi Europian refuzon që t’i japë më shumë kohë Londrës në përpjekje për të gjetur formulën e divorcit që do të kënaqë të gjitha palët, atëherë vendi ishullor do të futej në ujëra të trazuara, ku e para që do të goditej do të ishte ekonomia, e cila më pas do të trondiste edhe politikën.

“The Times” shkruan se në përpjekje për të shmangur atë që quhet shkëputje e dhunshme, e që sanksionohet nga Artikulli 50-të i rregullave mbi të cilat vepron Bashkimi Europian, Theresa May ka shtrirë dorën për ndihmë në Bruksel, duke kërkuar më shumë kohë. Kërkesa e Kryeministres britanike është shtyrja përtej datës 29 mars e afatit të shkëputjes.

Nga Bashkimi Europian duket se janë dhënë sinjalet për t’i dhënë më shumë kohë, por me disa kushte, që në thelb mund të rrëzojnë gjithë procesin e divorcit. Kushti i parë është ai që në këmbim të afateve shtesë, Britania e Madhe të zotohet se do të zhvillojë një referendum të dytë për Brexit. Nëse një i tillë mbahet në këto momente, sondazhet sugjerojnë se alternativa pro shkëputjes do të humbiste. Pra, mundësitë janë që një referendum i dytë të rrëzonte të parin.

Kushtet e tjera lidhen me garancitë që Bashkimi Europian kërkon për tematika që kanë qenë të ndjeshme edhe në bisedimet dypalëshe të divorcit, që nga lëvizja e lira, mosmbyllja e kufirit me Irlandën, politikat e emigracionit, mbrojtja e sipërmarrjes dhe e konsumatorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë