Teksa zhvelësimi dhe luhatja e vazhdueshme që prej një viti e monedhës së përbashkët europiane, vazhdon të shqetësojë eksportuesit, kjo situatë ndryshon për mallrat e importit.
Zhvlerësimi i euros i ka bërë mallrat e importit në vend më të lira.
Instituti i Statistikave e ka konfirmuar këtë me të dhënat më të fundit zyrtare, të cilat tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e katërt 2018 shënoi ulje me 1,5 % krahasuar me tremujorin e katërt 2017.

Çmimet e importit të produkteve në aktivitetet e industrisë përpunuese, e cila zë peshën më të madhe në Indeksin e Çmimeve të Importit, kanë shënuar ulje me 1,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë çmimet e importit të produkteve në aktivitetet ”Përpunimi i produkteve ushqimore” me 3,2 %, “Prodhimi i makinerive dhe paisjeve p,k,t” me 4,7 %.
Raporti më i fudnit i Politikës Monetare të BSh-së sugjeronte se, presionet e jashtme inflacioniste vijojnë të japin një kontribut të ulët në inflacion. Rritja e inflacionit në vendet partnere në tremujorin e tretë ka ardhur kryesisht nga çmimet e energjisë dhe është ndikuar nga rritja e fortë e çmimit të naftës. Rënia e çmimit të naftës në tetor dhe nëntor duket se ka sjellë ngadalësimin e inflacionit në këto vende më pas.
Presionet e importuara inflacioniste, sipas BSH-së, kanë dhënë një kontribut më të ulët se më parë në inflacionin total, gjatë tremujorit të tretë të vitit (0.9 pikë përqindje).
Kontributet janë pakësuar mandej në muajt tetor-nëntor 2018 (0.3 pikë përqindje).
Një zhvillim i tillë, në kushtet kur çmimet në tregjet e huaja kanë qenë në rritje, sugjeron një efekt më të plotë të efekteve të mbiçmimit të monedhës vendase, përmes kanalit të inflacionit të importuar tek ai total.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




