Futboll

Pa limite, futbollistja amerikane stërvitet 5 muajshe shtatzënë

Disa foto të futbollistes amerikane Sydney Leroux Dwyer kanë pushtuar internetin. Sportistja 28-vjeçare ka ndarë në rrjetet sociale disa foto nga stërvitja e saj teksa ka hyrë në muajin e pestë të shtatzënisë. Fotot janë shpërndarë në të gjitha rrjetet sociale me një shpejtësi të madhe dhe janë bërë shumë virale dhe të komentuara. Lojtarja ka lindur në Kanada, por ka luajtur me kombëtaren amerikane të futbollit, me të cilën ka fituar edhe medaljen e artë olimpike dhe Kupën e Botës së vitit 2015.

“Nuk mendoja se do të arrija deri në këtë pikë edhe kur të isha 5 muajshe shtatzënë, por ja ku jemi në këtë pikë dhe unë ende po e shkelmoj topin në fushë edhe në këtë gjendje.”- ka shkruar Leroux në rrjetet sociale.
“Edhe pse tani po stërvitem shumë lehtë, mezi po pres që të rikthehem në fushë me shoqet e mia” -ka thënë Leroux që gjithashtu nuk i ka kursyer edhe përgjigjet e ashpra për ata që e kanë kritikuar këto ditë. “Kam vendosur që mos t’i përgjigjem disa prej jush që janë injorantë, ata që më kanë kritikuar trajnimin tim. Për të gjitha ata “burra”, që kanë shkruar keq, unë mund t’ju them se do duhet të flasin vetëm kur ata vetë të provojnë ndjesinë e sjelljes në jetë të një fëmijë.”-ka thënë futbollistja amerikane.

Këto foto dhe mesazhe të Leroux përveçse janë bërë virale kanë shërbyer edhe për të nxitur një garë mes sportistet e tjera që gjithashtu kanë nisur të postojnë foto, duke u stërvitur gjatë shtatzënisë. Volejbollistja Bahar Toksoy Guidetti dhe golfistja Paige Mackenzie gjithashtu kanë postuar foto si ato të Leroux. Sydney Leroux Dwyer pret të bëhet nënë për herë të dytë, pasi djali i saj i madh është 3 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë