Ne rrjet

Taksa ndaj Serbisë, SHBA: Minon partneritetin me Kosovën

Ambasada amerikane në Prishtinë ka deklaruar se zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Erath dhe Brad Berkley, kanë paralajmëruar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, se tarifat ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja, duhet të pezullohen, pasi pengojnë përparimin dhe dëmtojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Në një njoftim të ambasadës thuhet se dy zyrtarët që qëndruan edhe në Beograd, përforcuan porosinë e presidentit Donald Trump “për të shfrytëzuar këtë moment unik … dhe për t’u përmbajtur nga veprimet që do ta bënin arritjen e një marrëveshjeje më të vështirë”.

Në të dyja kryeqytetet, thuhet në komunikatë, ata theksuan shqetësimin e Shtëpisë së Bardhë se “dialogu duhet kthyer në binarë dhe se të dyja palët duhet të ndërpresin veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për t’u kthyer në tryezën negociuese”.

Miqtë përsëritën mesazhin e tyre nga letra e 11 shkurtit se “tarifat ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës janë pengesë në rrugën drejtë përparimit, e dëmtojnë partneritetin tonë dhe duhet të pezullohen në mënyrë që dialogu me Serbinë të lëvizë përpara”. Ata theksuan urgjencën që “Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik”, thuhet në komunikatë.

Më herët, zyra e presidentit të Kosovës, Thaçi, përmes një komunikate bëri të ditur se është biseduar për procesin e bisedimeve përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, duke përfshirë këshillat e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e përkohshëm të tarifave ndaj mallrave serbe.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëriti sërish qëndrimin se tarifa nuk është pengesë për bisedimet me Serbinë dhe se këtë ka provuar ta shpjegojë në takimin e së mërkurës me zyrtarët amerikanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë