Autoriteti i Konkurrncës ka vendosur të pezullojë listën e çmimeve dysheme të Urdhrit të Stomatologut deri në përfundim të hetimit që vendosi të ndërmarrë për të.
Pas shqyrtimit të situatës Konkurrenca thotë se “ vlerësojmë se jemi përpara
një rasti urgjence, pasi Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut,
nr. 12, datë 14.12.2018 “Për miratimin e listës së çmimeve dysheme për shërbimin
stomatologjik”, sjell një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën dhe ka
të ngjarë të ketë shkelje të nenit 4 të Ligjit Nr. 9121/2003.”
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, mbështetur në bazën ligjore përkatëse “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, vendosi marrjen e masave të përkohshme në tregun e ofrimit të shërbimeve stomatologjike ndaj Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë:
a) Pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Vendimit të Asamblesë Kombëtare të
Urdhrit të Stomatologut, Vendimit nr. 12, datë 14.12.2018 “Për miratimin e listës
së çmimeve dysheme për shërbimin stomatologjik”, pasi bie në kundërshtim me
dispozitat e Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i
ndryshuar;
b) Depozitimin e të gjithë praktikës së ndjekur deri në marrjen e këtij vendimi, për
të kryer vlerësimin ligjor të tij, bazuar në nenin 4 dhe 69 të Ligjit 9121/2003 “Për
Mbrojtjen e Konkurrencës’, i ndryshuar;
Konkurrenca sqaron se masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës hetimore;
Në rast të moszbatimit të vendimit për masat e përkohshme, ndërmarrja Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, parashikohet edhe vendosja e gjobave individuale në masën deri 5 milionë lekë për individët që me dashje ose nga pakujdesia kryejnë ose bashkëpunojnë në veprimet e sanksionuara në bazën ligjore.
Asambleja e Urdhrit të Stomatologut në muajin nëntor 2018 miratoi një listë reference me çmime për disa shërbime dentare.
Çmimet e përcaktuara qenë dysheme dhe varionin nga 500 lekë për një vizitë dentare, 3000 lekë për pastrim gurëzash, 4000 lekë për një mbushje të gradës së dytë, deri në 70 mijë lekë për një implant.
Nikollë Deda, Presidenti i Urdhrit të Stomatolgut i dha Gazetës “Si” për vendosjen e çmimeve të referencës për dentistët, se kjo është lidhur me mungesën e profesionalizmit në radhët e stomatologëve në vend, të cilët, sipas tij kequshtrojnë profesionin duke shitur lirë cilësinë e dobët të punës së tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




