Autoritetet greke po përpiqen të strehojnë pothuajse 4000 njerëz të vendosur në një kamp emigrantësh në ishullin Samos, pasi grupet e ndihmës së shpejtë paralajmërojnë për një fatkeqësi të madhe njerëzore, në një nga vijat kufitare të harruara të Europës.
Duke e identifikuar këtë ishull si “Lesbosi i ri”, ministri i migrimit të vendit fqinj paralajmëroi se qeveria duhet të zhvillojë një garë kundër kohës, për të gjetur strehim të përshtatshëm për njerëzit e bllokuar në një qendër pritjeje, tashmë të tej mbushur gjashtë herë më shumë se sa mban kapaciteti.
“Samos është problemi ynë më i madh. Fluksi i njerëzve është konstant dhe trafikantët duket se janë gjithmonë një hap përpara. Kampi është mbi populluar. Duhet të lëvizim të paktën 2.000 njerëz nga ishulli sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Dimitris Vitsas në një intervistë në zyrën e tij në Athinë
Ashtu si në Lezbos, i cili strehoi më shumë se 1 milion njerëz gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015, sipas politikanit rrjetet kriminale ushtrojnë aktivitetin e trafikimit të qenieve njerëzore shumë pranë Egjeut. Midis grumbullit të mbeturinave, ka tenda të shumta strehimi dhe dita ditës shtohen edhe me shumë refugjatë, të cilët luten për strehim.
Sipas UNHCR, organizatës globale për të drejtat e refugjatëve rreth 24% e tyre janë fëmijë dhe 229 prej tyre janë të pashoqëruar, ndërkohë që të gjitha ata jetojnë në çadra të vjetra dhe pa asnjë kusht minimal jetese. Gjithashtu, për të gjithë emigrantët që ndodhen në kamp është vetëm një mjek që kontrollon gjendjen e tyre shëndetësore.

Shumica aktualisht janë të regjistruar për strehim në pesë ishujt grek të Egjeut në momentin që BE-ja arriti të krijojë një marrëveshje midis Greqisë dhe Turqisë në marsin e vitit 2016, për zgjidhjen e problemit të refugjatëve.
“Për shkak se nuk ka mjekë të mjaftueshëm, është e pamundur të dimë numrin e saktë të atyre që kanë nevojë për kujdes shëndetësor,” shtoi Vitsas, duke këmbëngulur se të paktën duhet të dërgohen edhe dy mjekë të tjerë deri në fund të muajit shkurt.
Samosi është një vend shumë i bukur si në verë po ashtu edhe ne dimër. Kodrat e mbuluara me pisha e bëjnë këtë ishull tepër të vecantë, po kjo nuk është asgjë për ata njerëz të dëshpëruar, të cilët kanë rrezikuar jetën për të arritur deri atje. Kushtet janë vazhdimisht tepër të këqija, sa që muajin e kaluar rreth 500 emigrantë afrikanë marshuan në qytet duke protestuar se “Samos nuk është vendi i duhur për të qëndruar”. Kjo protestë shtoi edhe më shumë presionin ndaj qeverisë për t’i transportuar ata në një shtet tjetër.
“Ky është realiteti. Është shumë e vështire dhe duhet të gjendet një zgjidhje e menjëhershme”, tha Boris Cheshirkov, zëdhënësi i UNHCR-së në Athinë.
Në një atmosferë që është bërë gjithnjë e më shqetësuese, vendasit organizuan një grevë 24-orëshe muajin e kaluar, duke i’u drejtuar qeverisë që të merrnin masa për largimin e refugjateve. Sulmet ksenofobe dhe racizmi po bëhen një fenomen i kudo gjendur në Greqi. Në një raport të veçantë të martën, Këshilli i Evropës shprehu keqardhje për kushtet në kampet e paraburgimit të policisë greke, ku tha se brutaliteti kundër emigrantëve dhe refugjatëve tashmë ishte bërë një zakon. Asgjë nga këto nuk i ka humbur Vitsas, i cili është një kritik i ashpër i emigrimit në Evropë. Ashtu si shumë politikanë të majtë, ai beson se nuk është bërë mjaftueshëm për të mbështetur zhvillimin ose për të lehtësuar varfërinë në vendet nga të cilat po ikin shumë njerëz për një jetë më të mirë.
“Greqia nuk ka nevojë për para, por për solidaritet në mënyrë që të ndajë përgjegjësinë për strehimin e refugjatëve,” tha ai.
“Është jetike që BE të krijojë një skemë të re të zhvendosjes së emigranteve në të gjithë shtetet anëtare. Është e gabuar që ne të bëhemi bashkë vetëm kur bëhet fjalë për çështje financiare dhe jo kur bëhet fjalë për solidaritet në çështjet e emigracionit,” shtoi ai.

Pavarësisht nga të ftohtit dhe erërave e forta që kanë mbuluar periodikisht Greqinë, numri i emigrantëve nuk është zvogëluar gjatë dimrit. Shifrat e OKB-së tregojnë se në dallim nga Italia, ku ka pasur një rënie të konsiderueshme në zhvendosjen e emigrantëve atje, në brigjet greke nga 36,310 që ishte numri i emigrantëve në vitin 2017 arriti në 50,511 në vitin 2018. Gjithashtu, në Turqi autoritetet po nxitojnë të shtojnë dy kampe të tjera për vend qëndrimin e emigrantëve.
“Të gjitha modelet tona të strehimit të emigrantëve tregojnë se ne nuk mund të përpunojmë më shumë se 20,000 kërkesa për azil në vit, ose të integrohen më shumë se 12,000 refugjatë në shoqëri, duke pasur parasysh që 18% e popullsisë sonë mbetet e papunë,” tha ai./The Guardian/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)








