Po bëhen gati 15 vite që futbolli italian ka rënë nga maja e Europës dhe botës. Ekipet italiane, Milani, Juventusi, Interi apo edhe të tjerat nuk janë më në krye të klasifikimeve europiane dhe gjithmonë humbasin në përplasjet e tyre me ekipet e tjera rivale, spanjolle apo angleze. Por nuk mund të vazhdojë shumë kjo gjendje, pasi italianët po përgatiten që të ringrihen. Gjithçka do të fillojë aty, ku është dhe pika më e dobët e futbollit Apenin, infrastruktura. Sipas “Gazzetta Dello Sport” një pjesë e madhe e ekipeve të Serisë A dhe B kanë përfundar projektet e tyre për stadiumet e rinj dhe brenda këtij viti pritet të fillojë puna në terren.

Juventus dhe Udineze në pararojë
Për momentin janë vetëm dy ekipe italiane që mund të krenohen me stadiumet e tyre moderne. Juventus prej 8 vitesh dhe Udineze prej 4 vitesh luajnë në stadiumet e tyre të rinj. Klubi bardhezi, pasi u largua nga impianti i vjetër “Delle Alpi”, ndërtoi nga e para impiantin e ri modern, që fillimisht u quajt “Juventus Stadium” dhe tashmë ka marrë emrin komercial, “Allianz Stadium”.
Stadiumi i Juventusit është me një kapacitet prej 40 mijë vendesh dhe thuajse në të gjitha ndeshjet është i mbushur plot, duke ndikuar ndjeshëm në financat e klubit torinez. Ndërsa Udineze edhe pse në vitet e fundit ka humbur pak nga shkëlqimi i dikurshëm, sërish është një klub me fitim dhe financa të shëndosha.
Roma, Bolonja, Kaljari, Atalanta dhe Fiorentina gati me projektet
Këtyre dy impianteve moderne në Udine dhe Torinoe, shumë shpejt pritet t’iu bashkohen edhe 5 stadiume të tjera. Roma, është ajo që e ka hedhur hapin final dhe brenda pak javësh pritet fillimi i punimeve në terren në një nga zonat periferike të kryeqytetit italian. Stadiumi i ri verdhekuqve planifikohet të jetë jo më i madh se 50 mijë vende, por me të gjithë infrastrukturën e nevojshme që kërkojnë sot stadiumet moderne europiane.

Edhe Bolonja, pavarësisht se këtë sezon po noton në ujërat e rënies nga Seria A, ka prezantuar projektin për rinovimin total të stadiumit “Dall l’Ara”. Kaljari brenda këtij viti pritet të fillojë ndërtimin e stadiumit të ri të saj. Ndërkohë Atalanta, Fiorentina dhe Empoli ende janë në fazën e projektimit të stadiumeve të tyre, pavarësisht se në media kanë qarkulluar makete të këtyre impianteve të rinj.

Milan dhe Inter në mes të katër rrugëve
Nga ekipet e mëdha italiane ato që duket se kanë mbetur në ngërç për çështjen e stadiumit, janë dy ekipet milaneze, Milani dhe Interi. Të dyja ekipet që këtë sezon duken në rrugë të mbarë që vitin e ardhshëm të luajnë në Ligën e Kampionëve ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për stadiumin. “San Siro” ka nevojë për një restaurim emergjent, pasi është shumë larg kushteve që ofrojnë stadiumet e tjera në Europë. Interi apo Milani do duhet të zgjedhin se cila do të qëndrojë në stadiumin aktual dhe ta rinovojë atë dhe cila do të marrë iniciativën për të ndërtuar një impiant të ri. Milani është ai që ka ecur më shumë në drejtimin e ndërtimit të një stadiumi të saj, ndërsa Inter pëlqen më shumë një “San Siro” të rinovuar dhe me kapacitet deri në 60 mijë vende. Me stabilizimin e bilanceve financiarë të të dyja klubeve pritet që brenda këtyre dy viteve të kemi të qartë se çfarë do të ndodhë me stadiumet e Milanos.

Lacio dhe Napoli pa ide për stadiume të reja
Nëse Interi dhe Milani janë në mes të katër rrugëve, Lacio dhe Napoli nuk janë asgjëkund në lidhje me stadiumin e ri. Lacio me largimin e Romës nga “Olimpico” do t’i mbetet që të rinovojë atë edhe pse aktualisht ende nuk ka asnjë projekt për këtë çështje. Në të njëjtën gjendje është Napoli. “Të kaltrit” disa herë kanë rrezikuar që të mos luajnë në “San Paolo”, pasi stadiumi napolitan është në gjendje mjerane. Kanë qarkulluar disa makete për stadiumin e ri të Napolit, por nga ana e klubit ende nuk ka asgjë konkrete. Në të njëjtën situatë janë edhe të tjera ekipe me traditë në Itali. Sampdoria, Xhenova, Torino, Kievo apo edhe Parma ende nuk kanë filluar nga puna për stadiumet e reja moderne.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




