Tre muaj pas vendosjes së taksës 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, tregu i mallrave në Kosovë, ka pësuar ndryshime.
Produktet e këtyre vendeve janë zëvendësuar me produktet vendore të Shqipërisë, Maqedonisë dhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, është shprehur se që nga vendosja e kësaj takse, ka pasur lëvizje të importeve të produkteve nga vendet tjera.
“Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka pasur lëvizje të importit nga vendet tjera. Kryesisht në këtë lëvizje prin Shqipëria me rritje të importit prej 40 për qind, po ashtu ka rritje të produkteve me origjinë nga Maqedonia me 15 për qind. Nga vendet e Bashkimit Evropian është Gjermania, pastaj vendet si Sllovenia, Kroacia. Së fundit kemi pasur rritje të importit edhe nga Bullgaria dhe Italia”, ka thënë Stavileci.
Para vendosjes së taksës doganore 100 për qind, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë.
Ky shtet ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milionë euro në ditë, kurse tani, sipas të Stavilecit, mesatarisht në ditë eksportohen mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.
“Tani kemi rënie të importit nga Serbia për 99 për qind. Ka raste kur në ditë kemi zero import të produkteve nga ky shtet. Nëse më herët kemi pasur 1.2 milion euro në ditë produkte të importuara nga Serbia, tani mesatarisht janë 7 deri në 8 mijë euro. Importi nga Serbia është kryesisht lëndë e parë dhe një pjesë e vogël e produkteve që paguajnë taksën 100 për qind”, ka thënë Stavileci.
Përfaqësues të bizneseve thonë se tanimë bizneset tregtare në Kosovë kanë gjetur alternativa të tjera të zëvendësimit të produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, është shprehur se kanë monitoruar tregun dhe furnizimin që nga vendosja e taksës dhe se janë parë ndryshime të mëdha në treg.
“Bizneset në muajin e parë kanë pasur vështirësi që të gjejnë zëvendësimet, në veçanti në sektorin e prodhimit, por edhe disa tregtarë të cilët e kanë pasur biznesin e tyre të orientuar në Serbi. Por, që tani këto produkte dhe lëndë të parë janë zëvendësuar”.
“Fillimisht ka pasur hezitim se kjo taksë nuk do të vazhdojë dhe ka pasur raste kur disa biznese e kanë ndalur prodhimin duke menduar se taksa do të hiqet, por deklaratat e kryeministrit (të Kosovës, Ramush Haradinaj) se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Serbisë nga Kosova, i ka siguruar bizneset se kjo ka një afat të gjatë dhe se kjo taksë nuk do të hiqet dhe duhet të gjenden alternativa të tjera. Vendi i parë ku bizneset kanë kërkuar alternativa është Shqipëria. Vlen të theksohet se viti i 2018 për herë të parë ka regjistruar shkëmbime tregtare me Shqipërinë në vlerë prej rreth 270 milionë”, ka theksuar Shahini.
Vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, përveç efekteve ekonomike-tregtare, ka edhe efekte politike. Ajo po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bisedimet nuk do të vazhdojnë pa u hequr taksa.
Derisa, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë këtë masë, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.
Kurse Branimir Stojanoviq, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, aktualisht sekretar në Ministrinë e Ekonomisë në qeverinë serbe, ka siguruar prodhuesit serbë të Kosovës se të gjitha prodhimet e tyre nga 20 shkurti do të gjenden në shitje nëpër dyqanet dhe qendrat tregtare në të gjitha pjesët e Serbisë.
Sipas tij, fillimisht në tregun serb do të gjenden pijet, vera e Rahovecit, si dhe prodhimet e kooperativave bujqësore e më vonë të gjitha prodhimet tjera.
“Të mërkurën për herë të parë në mënyrë të organizuar do të fillojë prodhimi i prodhuesve të Kosovës në rrjetin tregtar në Serbinë Qendrore, në ‘Univereksport’ në Novi Sad”, ka thënë Stojanoviq, sipas të cilit ndërmjetësues në mes të prodhuesve kosovarë serbë dhe ndërmarrjeve në Serbi do të jetë kompania shtetërore “Metohija”, e cila siç ka thënë Stojanoviq drejtpërdrejt mbledh prodhimet nga prodhuesit serbë të Kosovës dhe lidh kontrata me rrjetin e ndërmarrjeve me shumicë në Serbi
“Deri më tani është arritur marrëveshje për shpërndarje të organizuar në tregun e Serbisë të tri prodhimeve nga Kosova, ndërsa në periudhën e ardhshme do të ketë edhe më shumë prodhime. Besoj se ky do të jetë një impuls për njerëzit në Kosovë, pasi deri më tani prodhuesit serbë nuk kanë mundur të kenë qasje në tregun e Serbisë në mënyrë të organizuar. Tani prodhuesit nga Kosova do të kenë mundësi të punojnë në kualitetin e prodhimeve, sepse ekzistenca e prodhimeve të tyre në treg është mundësuar. Mallrat e tyre do të jenë të vendosura në rafte të posaçme nëpër dyqane në të cilat do të shënohet se bëhet fjalë për prodhime të serbëve të Kosovës”, është shprehur Stojanoviq.
Sipas tij, për fillim në “Univereksport” në Novi Sad do të gjenden prodhimet e verës së dy prodhuesve nga Hoqa e Madhe dhe një kooperativë bujqësore nga Zubin Potoku, e cila ka asortiment të gjerë të pemëve të thara, ndërsa në procesin e mbledhjes së prodhimeve dhe plasimin në tregun e Serbisë janë edhe prodhimet e 20 prodhuesve serbë të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





