Ekonomi

Europa ka 3,8 milionë vende pune vakante, por nuk ka profesionistë!

Jo vetëm Gjermania. Nga Spanja në Britaninë e Madhe, nga Hollanda në Poloni, ka gjithmonë e më shumë ndërmarrje që në Kontinentin e Vjetër e kanë të vështirë të gjejnë figura profesionale me kompetencat e duhura. Me paradoksin e përhershëm që nga njëra anë janë të rinjtë që nuk gjejnë punë dhe nga ana tjetër janë ndërmarret që nuk arrijnë të bien në gjurmët e kandidatëve të duhur.

Eurostat ka raportuar se janë mbi 3,8 milion vende pune vakante në Europë, për të cilat kërkimet e personelit kanë filluar dhe ende nuk janë përfunduar në datën e referencës (dita e fundit e tremujorit).

Bëhet fjalë për punë të paguara që janë të reja ose, të lira ose që do të lirohen, për të cilat punëdhënësi po kërkon në mënyrë të vazhdueshme një kandidat të interesuar, të duhur jashtë ndërmarrjes, dhe është i gatshëm të bëjë përpjekje shtesë për ta gjetur atë.
Trendi është në rritje të fort (+27%) nëse krahasohet me fillimin e 2016-ës kur vendet vakante ishin gati 3 mln.

Rekordi i vendeve vakante të punës regjistrohet në Gjermani, ku rezultonin 1,2 mln kërkime personeli të cilat nuk janë konkluduar ende në tremujorin e tretë të 2018-ës .

Numri i vendeve vakante të punës në Europë. Burimi: Eurostat

Gjermania ndiqet nga Britania e Madhe (851 mijë), mandej Republika Çeke (271 mijë), Hollanda (256 mijë), Polonia (156 mijë) dhe Belgjika (149 mijë).

Por një numër i mirë i “të pagjendurve” regjistrohet edhe në Spanjë (gati 125 mijë), Hungari (87 mijë), Zvicra (103 mijë) e Austria (126 mijë).

Pikun e mungesës së figurave profesionale si shqetësim e ngre edhe kolosi global i rekrutimit Manpower që çdo vit prej 2006-ës bën një hulumtim mbi Talent Shortage në nivel global.

(Talent Shortage është “një kusht ekonomik në të cilin ka pamjaftueshmëri kandidatësh të kualifikuar për të përmbushur kërkesën e tregut për punësim me çdo kusht)
Në 2018-ën arriti kulmi, me 45% të ndërmarrjeve që “denoncojnë” vështirësinë e gjetjes së profileve me kompetencat e duhura.

Po cilat janë kompetencat më të kërkuara në botë?

Ndërsa inteligjenca artificiale – lexohet në raportin e Manpower – po shtohet me shpejtësi automatizimi, teknologjia po ravijëzon një fizionomi të re, përkundrazi po zëvendëson, rolet e kërkuara. Punëtorët e specializuar si elektriçistët, saldatorët, mekanikët , përfaqësuesit e shitjeve, inxhinierët, shoferët dhe teknikët, kanë qenë mes pesë profesioneve më të vështira për tu gjetur profesionistë në 10 vitet e fundit. Një punëdhënës në 4 thotë se të gjeje punonjës të specializuar në 2018-ën ka qenë më e vështirë krahasuar me vitin paraardhës.
*Burimi: Il Sole 24 Ore


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë