Futboll

Spektakël i garantuar në “Anfield Road”, Barça udhëton drejt Lionit

Vijon faza e 1/8 të Ligës së Kampionëve edhe këtë të martë me dy ndeshjet e radhës, duke filluar nga ora 21:00. Janë dy sfida për mos t’u humbur, pasi në fushën e lojës do të zbresin emra të mëdhenj të futbollit europian. Liverpuli finalist i sezonit të shkuar do të presë në shtëpi Bajernin e Munihut dhe spektakli është i garantuar. Ndërsa Barcelona e Mesit do të udhëtojë drejt Francës për t’u ndeshur me francezët e Lionit.

Për Liverpulin e tifozët e tij të zjarrtë ky sezon është viti ku duhet të arrihet me çdo kusht të titulli kampion në Premier Ligë. Por ky objektiv i “the reds” nuk do të thotë aspak që mund të lihet pas dore Liga e Kampionëve. Ndeshja me Bajernin në shtëpi shikohet si thelbësore nga djemtë e Jurgen Klop nëse do duan të përsërisin sezonin e shkuar për të shkuar deri në finalen e madhe. Nga ana tjetër bavarezët këtë vit duken në një sezon tranzicioni, ku shumë nga lojtarët e ‘gardës së vjetër’ janë duke u tërhequr. Kjo situatë ka shkaktuar jo pak probleme në kampionat, ku janë pas rivalëve të Dortmundit dhe Liga e Kampionëve shikohet si barka e shpëtimit për sezonin dhe vetë trajnerin Niko Kovaç. Duke pasur parasysh stilin e lojës së të dyja skuadrave pritet që në “Anfield Road” këtë mbrëmje të shohim një lojë të shpejtë dhe spektakël, por pse jo edhe shumë gola.

Në letër kjo fazë e 1/8-ve për Barcelonën paraqitet e lehtë dhe nuk pritet të ketë shumë probleme për të avancuar në raundin tjetër. Por katalanasit nuk do duhet ta marrin shumë thjeshtë këtë sfidë, pasi Lioni është një ekip me traditë dhe në 20 vitet e fundit kanë qenë skuadra që gjithmonë ka nderuar Francën në kompeticionet ndërkombëtare. Mesi është në kërkim të trofeut numër pesë në Ligën e Kampionëve që me shumë mundësi do t’i jepte atij edhe Topin e Artë të gjashtë. Në këtë ndeshje të gjithë presin nga Mesi rolin e protagonistit që ai zakonisht ka bërë në këtë fazë me eliminim direkt. Valverde e ka grupin e titullarëve të plotë, por do duhet të ketë kujdes nga talentet e Lionit dhe forma e mirë e francezëve, që në kampionat mposhtën PSG-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë