Vende dhe Udhetime

Dy shtetet shqiptare në listën e Lonely Planet

Për 2018, shqiptarët përfaqësohen jo me një, por me dy shtete në listën e dhjetë vendeve europiane që duhet të vizitohen me patjetër këtë vit.

Lonely Planet, një prej agjencive më të mëdha ndërkombëtare sa u takon guidave turistike këshillon për të gjithë ndjekësit e saj Shqipërinë dhe Kosovën si dy vende që nuk duhen humbur për t’u vizituar këtë vit.

Agjencia e përshkruan Tiranën si një qytet plot gjallëri, të vendosur në një distancë të afërt mes bregdetit dhe zonave malore të vendit, për ata që kërkojnë më shumë aventurë. Këshillohet një udhëtim në Malin e Dajtit për një pamje panoramike të qytetit, ushqimi i lirë i kioskave dhe zgarave në kryeqytet dhe për ata që preferojnë zhurmën, një pije alkoolike në zonën e ish-Bllokut.

Përmenden gjithashtu edhe Alpet e theksohet se çdo vit përmirësimi i infrastrukturës në drejtim të tyre po bën që të vizitohen nga mijëra turistë të huaj. “Mos e humbisni t’i shihni këto zona ende të virgjëra të natyrës”, shkruan Lonely Planet.

Duke u ndalur tek Kosova, agjencia kujton se shteti më i ri në Europë ka gjithashtu edhe popullsinë më të re në “Kontinentin e Vjetër”. “Kjo e bën Prishtinën dhe qytetet e tjera të Kosovës një vend plot energji e gjallëri. Mund të vizitohet Via Dinarica për turizëm malor dhe shijuar pamjet magjepsëse që ofrojnë majat më të larta të vendit”, thotë Lonely Planet.

Prizren, Kosovë

Agjencia këshillon gjithashtu edhe Prizrenin, si një atraksion turistik kulturor e natyror, por edhe për DocuFest, festivalin e përvitshëm të filmit dokumentar që mbledh gjithmonë e më shumë të huaj pjesëmarrës e vizitorë.

Veç Kosovës e Shqipërisë, në listën e Lonely Planet për t’u vizituar këtë vit në Europë janë Emilia-Romagna në Itali, Cantabria në Spanjë, Friesland në Holandë, Dunde në Skoci, Cyclades në Greqi, Vilnius në Lituani, Provence në Francë dhe Lugina Vipava në Sloveni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë