Njerez

97-vjeçarja që i mbijetoi Holokaustit, vokaliste në një bandë Death Metal 

Nuk është gjithnjë e lehtë të rishpikësh veten, por Inge Ginsberg e ka bërë këtë gjatë jetës së saj. E lindur dhe e rritur në Austri, ajo mund të jetë rritur me valset vjenezë, por pasioni i saj aktual është për muzikën Death Metal. Arsyeja pse 97- vjeçarja është e pasionuar pas këtij zhanri të bërë aq popullor nga banda si Black Sabbath, Def Leppard dhe Metallica është i thjeshtë: “Nuk mund të këndoj. Nuk mund të mbaj as edhe një notë. Kështu metali funksionon sepse thjesht duhet të them fjalë”, ka thënë ajo. E  mbijetuara e Holokaustit ka hyrë në një fazë të re të jetës së saj, duke u bërë vokaliste e një bande të muzikës Death Metal, e quajtur Inge & the TritoneKings.

Si poete e frytshme, Ginsberg i shkruan vetë këngët e saj. E megjithëse ka vepra ekzistuese - disa përmbledhje të botuara – ajo   shkruan gjithnjë material të freskët për çdo regjistrim të ri në studio. Fokusohet në mesazhe që mendon se janë të rëndësishëm si të  kujdesemi për mjedisin dhe të mos shkatërrojmë Tokën, të qëndrosh i vërtetë me veten dhe të shpërndash dashuri, jo urrejtje. “Më e rëndësishmja në këtë zhanër, është teksti. Heavy Metal nuk ka të bëjë me poemat, por mesazhet. Në një dokumentar të shkurtër, titulluar “Gjyshja e Death Metalit”, në uebsajtin e New  York Times-it, kineastja Leah Galant rrëfen historinë e Ginsberg. Njëherazi magjepsëse dhe sharmante, ajo sesi të zbulojmë vazhdimisht mënyra për ta jetuar jetën të plotë. “Është e rëndësishme të jesh aktive dhe ta rrethosh veten me të rinj”, thotë Ginsberg, “ dhe bëj gjëra që nuk i ke bërë më parë”.

https://www.youtube.com/watch?v=TUxOnM0daAk

Nga i vjen frymëzimi?

“Asgjë nuk më frymëzon. Shkruhen vetë. Nuk mund të urdhërosh poezinë, as nuk mundesh ta bësh. Them gjithnjë se thjesht e kanalizoj. Vjen nga universi tek unë dhe unë e shkruaj. Kaq është e gjitha”, shpjegon ajo. Gruaja që nuk njeh plakje,  iu fut Death Metal-it, pasi takoi disa muzikantë të rinj, disa vjet më parë, në Nju Jork. Banda shumë breznore vendosi të konkurrojë për një vend në “Eurovision”. Qëkur Ginsberg mori nënshtetësinë zvicerane, ajo vendosi të shfaqet në një reality show  në Zvicër, që përcakton  këngën për në Eurovizion. E veshur  me një fustan të gjatë mbrëmjeje, në ngjyrë të kuqe, ajo performoi “Trümmer” (Rrënoja). Ajo e mahniti jurinë jo vetëm me këngën, por edhe historinë e saj personale. Përpara se të shkëlqente me kitarën e shpejtë dhe baterinë, jeta e Ginsberg-ut, ngjante me një skenar filmi historik.

“Nuk ke pse të tregohesh e sjellshme. Thjesht nuk duhet të lëndosh askënd. Nëse askush nuk do t’i bënte keq askujt, do të ishte botë e mrekullueshme

Ginsberg u lind më 1922-shin dhe u rrit në Vjenë, në një familje hebraike, të asimiluar. E pyetur sesi ka qenë jeta e saj kur ishte e vogël, ajo do të qeshte: “Prisni ta mbaj mend? Ka qenë shumë kohë më parë”. Por më pas nisi të rrëfejë. “Jemi rritur në kushte shumë të mira. Kishim punonjës. Jetonim në qytet, kishim edhe një vilë për fundjavat. Shkoja në një shkollë të mesme normale. Ndiqja edhe një shkollë baleti, ku trajnoheshim të silleshim si përpara Luftës së Parë Botërore. Shkonim një javë për ski me shkollën,  çdo vit,” do të thoshte Ginsberg.

Inge Ginsberg gjatë viteve të rinisë.



A e kishin vënë re ajo apo prindërit e saj rrezikun nazist  dhe Holokaustin që po afrohej? “Askush nuk besonte se do të ndodhte”, thotë ajo. Pas aneksimit të Austrisë nga nazistët, familja e saj u nda. I ati arriti të dilte nga Europa me St. Louis, anija famëkeqe që e nisi lundrimin nga Hamburgu i Gjermanisë, më 13 maj 1939 e që mbante 900 hebrenj që po i arratiseshin persekutimit nazist. Anijes iu mohua leja të zbarkonte në Kubë, Kanada dhe ShBA dhe u detyrua të kthehej në Europë. I ati i Ginsbergut pati fat të ishte mes refugjatëve që u lejuan të zbarkonin në Britani. “Nuk e dinim se im atë ishte në Angli, përpara se të niste lufta. Nuk kishim dëgjuar asgjë prej tij, prej shtatë vitesh”, thotë ajo. Ginsberg, e ëma, i vëllai më i vogël dhe i fejuari i saj (kompozitori Otto Kollman, i cili u bë edhe bashkëshorti i saj i parë), u bllokuan në Vjenë.

Ginsberg thotë se familja e shmangu dëbimin, për shkak se i vëllai i saj dhe Kollman u caktuan me një punë të rëndësishme, si varrmihës. Më 1942-shin, e ëma e Ginsbergut  iu drejtua një mikut të familjes, një konti për të cilin Ginsberg thotë se ishte i përfshirë me kontrabandë. Në këmbim të të gjithë stolive të mamasë së Ginsberg-ut, ai e nxori familjen në Zvicër, ku fillimisht përfunduan në një kamp refugjatësh. Siç ka rrëfyer në memoarin e shkruar në gjuhën gjermane, ajo më pas ia doli të punonte në  një vilë, në pronësi të spiunëve amerikanë dhe të koordinonte operacionet e grupeve partizane, që luftonin gjermanët. Por emocioni në jetën e Ginsberg-ut nuk përfundoi aty. Disa vite pas luftës ajo dhe i shoqi u shpërngulën në ShBA. U vendosën në Los Anxhelos dhe punuan në Hollivud. Ginsberg, e cila kishte studiuar piano për shumë vite në rini, punoi me të shoqin në kompozimin e këngëve për yjet e popit si Dean Martin, Doris Day dhe Nat King Cole, si edhe për këngëtarë europianë.

Jam martuar tri herë ligjërisht ( çdo herë me një hebre të lindur në Austri) dhe kam pasur shumë të dashur. Një kohë kisha katër njëherësh – një për të jetuar, një për të qeshur, një për argëtim dhe një për të mbuluar të gjithë lojën, me emrin e tij.

Nga fundi i viteve ’50, Ginsberg e lodhur me jetën në Hollivud, të cilën e ka cilësuar në dokumentarin e New York Times si “të shtirur”,  u nda nga La-La Land-i dhe nga Kollman, me të cilën pati një vajzë. Gjërat ishin prapë interesante për të. Ajo u shpërngul në Izrael për 10 vite dhe u martua sërish. Një martesë e tretë, ishte me një burrë me të cilin shkoi të jetonte në Kuito, Ekuador. Dhe gjatë rrugës, bleu dy shtëpi në Nju Jork- një në qytet dhe një në periferi. “Jam martuar tri herë ligjërisht ( çdo herë me një hebre të lindur në Austri) dhe kam pasur shumë të dashur. Një kohë kisha katër njëherësh – një për të jetuar, një për të qeshur, një për argëtim dhe një për të mbuluar të gjithë lojën, me emrin e tij. Jam njeri shumë i moralshëm, por kam lidhet e mia të moralit. Nuk lëndoj askënd. Nuk mendoj se i kam bërë ndonjë padrejtësi ndokujt”, ka thënë Ginsberg.“Nuk ke pse të tregohesh e sjellshme. Thjesht nuk duhet të lëndosh askënd. Nëse askush nuk do t’i bënte keq askujt, do të ishte botë e mrekullueshme”, shton ajo.

https://www.youtube.com/watch?v=Nr29SMyiM8M

Ginsberg thotë se ajo që vlerëson më shumë është liria, veçanërisht aftësia për të përcaktuar se ku do të jetë dhe kur. Megjithëse tani mbështetet në ndihmën e një asistenti personal, ajo ende udhëton mes shtëpive, duke kaluar katër muaj çdo dimër në Tel Aviv, ku është e integruar mirë si nga ana shoqërore ashtu edhe kulturore. (Hebraishtja është një nga shtatë gjuhët që flet.)“Ata thonë: “Liria është thjeshtë një tjetër fjalë se,  s’ke  asgjë për të humbur”, por kjo nuk është e vërtetë. Liria është vërtet aty. Por duhet të jesh e fortë. Për të qenë e lirë nuk mund të fajësosh askënd tjetër për vendimet e tua. Duhet të marrësh përsipër  përgjegjësitë dhe për këtë të duhen të dyja  shpatullat”, thotë Ginsberg. Përveçse  ka shkruar me qindra poema në anglisht dhe gjermanisht, Ginsberg ka punuar si gazetare, duke shkruar  artikuj për një të përjavshme zvicerane “ Die Weltëoche”, çdo javë,  për rreth njëzet vjet. Lajmi i parë ishte rreth rastit të vrasjes sensacionale të Kitty Genovese-s, më 1964-ën. “Jam shkrimtare. Një shkrimtare shkruan. Kam qenë shkrimtare gjithë jetën time. Ndërkohë jam agjente burse (ajo ka investuar vetëm paratë e saj në bursë). Askush nuk mund të jetojë me letërsinë”, shton.

Inge në apartamentin e saj, në Tel Aviv

Sekreti i një investimi të suksesshëm? “Duhet të jesh gjithmonë përpara të tjerëve”. Sado e gëzueshme, Ginsberg thotë se i kanë mbetur plagë nga përvojat e luftës. Ajo thotë se e vetmja arsye pse hebrenjtë mund të jetojnë me nder sot në Diasporë, është ekzistenca e Izraelit, si edhe një ushtri e fortë. “Për sa kohë nuk e kishim Izraelin, ishim si qentë,  që përndiqeshim. Askush nuk donte të na kishte. Nuk është muzika dhe kultura jonë, është ushtria që na mbron”, thotë ajo. Sipas Ginsberg, gjëja më e mirë e moshës së saj, është që të jetë ende gjallë me aftësitë konjitive të paprekura, veçanërisht kur shumë prej miqve të saj ose kanë vdekur, ose nuk janë aq të mprehtë sa ajo.

Ndërsa i afrohet të 97 viteve, thotë se nuk ka pengje në jetë dhe nuk shqetësohet me atë që të tjerët mendojnë rreth kërkimit të saj në jetë- qoftë muzika metal apo diçka tjetër. Ajo nuk planifikon të lërë një trashëgimi artistike  e as nuk shqetësohet nëse njerëzit do ta mbajnë mend. “Troç, e dashura ime, nuk më plas fare. Nuk më plas. Après moi le deluge,” thotë. Ginsberg thotë se nuk ka shumë albume me foto apo suvenire. E shkuara nuk i intereson kësaj koke unike metalare. “Besoj tek e sotmja dhe e nesërmja”, thotë. “Këtu, tani dhe nesër”, thotë me ritëm. “Hej, mund të dilte kënge e mirë me këtë!” *Renee Ghert-Zand/ The Times of Israel


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë