Ne rrjet

55 mijë euro të paguara nga shteti për flokët dhe grimin e Merkelit, nuk mbetet pas as kancelari Scholz

Edhe këtë vit, Angela Merkel nuk donte të hiqte dorë nga premiera e Bayreuther Festspiele në Bavari.

E shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Joachim Sauer, ish-kancelarja u shfaq në një humor të shkëlqyer, mbi të gjitha me flokë perfekt dhe grim të ndritshëm.

Merkel kujdeset shumë për flokët dhe pamjen e saj. Aq sa që nga viti 2021 që la kancelarinë, ka shpenzuar gati 55 mijë euro për parukeri dhe grim.

Jo nga xhepi i saj sigurisht, por nga ai i qeverisë dhe i taksapaguesit gjerman.

Zbulimet e gazetës Tagesspiegel shkaktuan një farë polemike në Gjermani, çka detyroi kancelarinë e Berlinit të zbulojë dokumentet në lidhje me shpenzimet e saj.

Asnjë ish-kancelar, sipas gazetës, nuk ka shpenzuar aq sa Merkel pas largimit nga detyra.

Polemikën e shkakton pikërisht parukeria.

Ish-kancelarja duket se paguhet për shërbimet e një profesionisteje nga Berlini, një parukiere dhe stiliste e njohur, e cila jo vetëm që i bën flokët dhe grimin kur është në Berlin, por edhe e shoqëron në takimet e saj në Gjermani dhe jashtë vendit.

Fatura për vitin 2022 ishte 37 mijë e 780 euro, ndërsa në vitin aktual shpenzimi deri më tani ka qenë 17 mijë e 200 euro.

Mesatarisht 3 mijë euro në muaj që ish-kancelarja të duket e bukur.

Lidhja e Taksapaguesve Gjermanë kritikon ashpër kostot e tepërta për këto qëllime.

“Është e vështirë t’u shpjegosh atyre që paguajnë taksat se duhet të përballojnë edhe shpenzimet për grimierët dhe parukierët e politikanëve”, ka thënë presidenti Reiner Holznagel.

Sipas tij, këto “duhen reduktuar në gjërat e domosdoshme”.

Por Merkel nuk është e vetmja që përdor fonde publike për flokët dhe grimin.

Flokët dhe grimi duket se janë shumë të rëndësishme edhe për kancelarin aktual. Scholz, pavarësisht se ka shumë pak ose aspak flokë, në vitin 2022 ka shpenzuar thuajse 40 mijë euro për flokë dhe grim.

Kurse këtë vit janë tashmë 21 mijë e 808 euro të shpenzuara.

Një hetim parlamentar i kryer disa muaj më parë ka zbuluar se në vitin e parë të qeverisë Scholz, shpenzimet totale për fotografët, parukierët dhe grimerët u rritën në 1.5 milionë euro.

Një shifër kjo, që rezulton në 80 për qind më shumë se në vitin 2021, viti i fundit i Merkelit në pushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë