Histori

51-vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Më 10 tetor 1972 u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Me dekretin nr. 4993, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u themelua institucioni më i lartë kërkimor-shkencor në vend, si rezultat i përpjekjeve të palodhura të profesor Aleks Budës, i cili u emërua dhe kryetari i parë i tij.

Mbledhja e parë e Asamblesë së ASHSH u mbajt më 25 janar 1973. Midis themeluesve të tjerë që spikatnin krahas Budës ishin: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj.

Në fillesat e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespodentë.

Akademia funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si edhe të shkencave natyrore dhe teknike.

Aktualisht, Akademia ka në radhët e saj 30 anëtarë akademikë dhe 13 institucione kërkimore. Mes funksioneve kryesore të Akademisë bëjnë pjesë: kryerja e studimeve dhe kërkimeve me karakter teorik e praktik në fusha të ndryshme të shkencave shoqërore albanologjike, natyrore e teknike dhe mundësimi i zbatimit të këtyre studimeve në praktikë, bashkëpunimi me universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore dhe organizimi i veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me shkencën.

Një vit më parë në 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave, kryeministri Edi Rama vlerësoi se Akademia e Shkencave është një institucion që mbrojti me forcë interesin e lartë kombëtar të gjuhës shqipe dhe nëse ne sot kemi një gjuhë të unifikuar sipas tij kjo i detyrohet në radhë të parë akademikëve të asaj kohe. Gjithashtu do të shprehej se gjuha shqipe është e kërcënuar si asnjëherë më parë nga pseudo-akademikë ndërsa do të shtonte se askush nuk i jep më rëndësi shkrimit të fjalëve në mënyrë të saktë, por ka të domosdoshme që të dërgojë çdo gjë shpejt.

Më 31 maj të këtij viti, qeveria miratoi një projektvendim për të kaluar edhe Akademinë e Studimeve Albanologjike nën varësi të Akademisë së Shkencave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë