Ne rrjet

500 mld euro për të prekurit nga pandemia, dakordësi franko-gjermane

Berlini tërhoqi më në fund rezistencën ndaj obligacioneve të zakonshme europiane, pasi Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron ranë dakord për një fond rimëkëmbjeje prej 500 miliardë eurosh për të ndihmuar vendet më të goditura nga pandemia.

Sipas planit, fondi i rikuperimit do të financohet plotësisht nga nga BE dhe do të mbështetet nga të gjithë 27 anëtarët. Paratë do të shpërndahen nga Komisioni Europian në formën e granteve si pjesë e buxhetit normal të bllokut.

Edhe pse propozimi u mirëprit nga Komisioni Europian, do të kërkojë miratimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, i cili ka të ngjarë të jetë një proces torturues. Vende si Austria, Holanda dhe Finlanda ka të ngjarë të kundërshtojnë planin.

"Rrethanat e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme," tha Merkel në një konferencë për shtyp pas një telefonate me Macron gjatë së cilës ata nënshkruan marrëveshjen e tyre.

"Kriza që ne po përjetojmë është e pashembullt dhe kërkon një përgjigje e cila është efikase, kolektive dhe mbi të gjitha europiane. Virusi nuk njeh kufij dhe ka prekur të gjithë Europën" tha Macron.

Berlini i rezistoi thirrjeve për të ashtuquajturat eurobone për vite me radhë, mes shqetësimeve se instrumentet e borxhit të zakonshëm do ta bënin Gjermaninë përgjegjëse për ndarjen e fondeve.

Edhe pse këto shqetësime nuk janë shuar, si Merkel ashtu edhe Macron shmangën termin "eurobond" të hënën, thellësia e krizave politike dhe ekonomike duket se e ka bindur Merkel se Gjermania nuk ka zgjidhje tjetër.

Udhëheqësit politikë në të gjithë Europën Jugore kanë kërkuar më shumë solidaritet nga Gjermania dhe vendet e tjera veriore me javë të tëra, duke paralajmëruar se popullsia e tyre do të kthehej kundër BE-së nëse më shumë ndihmë nuk do të vijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë