Sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, SPAK ngarkohet me detyrën e hetimit të krimeve zgjedhore në rastet kur dyshohet se këto krime janë bërë në kuadër të një grupi të strukturuar.
Nisur nga këto detyra të ngarkuara pas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme ka përcaktuar grupin e punës që do të mbikëqyrë zgjedhjet e 25 prillit.
Ky grup do të drejtohet nga Prokurori Edvin Kondilli, ndërsa anëtarë do të jenë prokurorët Enkeleda Millonai, Dritan Prençi, Klodian Braho dhe Sotir Kllapi.
Në këtë grup, dy prokurorët Prençi dhe Braho kanë pasur në dorë dosjen e famshme 184, ose dosja e blerjes së votave në Dibër, për të cilën fillimisht Krimet e Rënda dhe më pas vetë SPAK nuk provoi se këto krime ishin kryer në kuadër të një grupi të strukturuar dhe ja kaluan për hetime Prokurorisë së Dibrës.
Kjo prokurori mbylli hetimet në fund të vitit 2020 me 4 persona të akuzuar për shpërdorim detyre, ndërsa akuza e shitblerjes së votave për një sërë zyrtarësh të tjerë u pushua pasi kishin kaluar 3 vite, duke u parashkruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.