Ne rrjet

4 vende të BE bllokojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket një mision më i vështirë se kurrë, pasi katër vende anëtare të Bashkimit Europian janë kundër zgjerimit të unionin.
Gazeta më e madhe austriake, “Die Presse” shkruan se ambasadorët e vendeve anëtare në BE kanë paralajmëruar Komisionerin për Zgjerimin, Johhanes Hahn se disa nga kryeqytetet europiane nuk e duan zgjerimin e unionit.

“Disa Shtete Anëtare refuzojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është ajo që ambasadorët e këtyre vendeve në BE i thanë të mërkurën, në takimin e tyre javor në Bruksel Komisionerit Johannes Hahn. Duke qenë se ky vendim kërkon unanimitetin e 28 vendeve të BE-së, është përjashtuar mundësia që të dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërmarrin hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE para verës. Edhe një vizitë në Bruksel nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev të martën nuk e ndryshoi këtë fakt”, shkruan “Die Presse”.

Gazeta austriake thekson se Franca dhe Holanda janë ato që kundërshtojnë më fuqimisht hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet. "Kur isha ministre, e bllokova zgjerimin e BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, jemi kundër dhe do të mbetemi kundër. Këto dy vende janë gjeografikisht të vendosura në Europë, ne duhet t'i ndihmojmë, por nuk ka zgjerim", vlerësoi Nathalie Loiseau, kryetarja e listës së partisë së Presidentit Emmanuel Macron më 22 maj në një intervistë me radiostacionin francez “RTL”. Loiseau do të udhëheqë eurodeputetët e Macron në Parlamentin Europian, ishte më parë Ministre e Jashmte dhe pritet të lobojë fort kundër zgjerimit gjatë mandatit të saj si eurodeputete.

“Die Presse”, shkruan se Hollanda po shkon një hap më tej se Franca, duke kërkuar rikthimin e regjimit pa viza për qytetarët shqiptarë.

“Regjimi pa viza mund të hiqet në përputhje me rregullat në fuqi, për shembull, nëse ekzistojnë veçanërisht raste të shumta të kërkesave për azil nga Shqipëreia, ose nëse numri i qytetarëve shqiptarë që e tejkalojnë periudhën e qëndrimit tre mujor rritet ndjeshëm”, shkruan gazeta.
Media e njohur austriake thotë se edhe në Danimarkë dhe Gjermani nuk ka marrëveshje për të hapur negociatat e pranimit me Shkupin dhe Tiranën. “Në Danimarkë, parlamenti do të rizgjidhet këtë të mërkurë, kur pritet një fitore për Social Demokratët. Nën udhëheqësin e partisë së tyre, Mette Frederiksen, ata kanë lëvizur fuqimisht drejt politikave kundër emigracionit”, shkruan “Die Presse”.

“Në Gjermani, përveç skepticizmit rreth aspiratave reformuese të dy qeverive, ka arsye procedurale përse nuk do të jetë e mundur të arrihet në një dakortësim para verës. Qeveria gjermane lejohet të miratojë negociatat e pranimit me një shtet të tretë vetem pas autorizimit paraprak të Bundestagut. Mbledhjet bëhen para pushimeve veror, por vetëm këtë javë dhe në javën e fundit të qershorit. Rrjedhimisht, deputetët nuk kishin kohë për të studiuar dhe debatuar raportin e progresit të Komisionit Europian, i cili u publikua në Bruksel javën e kaluar. Rrjeshimisht, nga fundi i shtatorit, Bundestagu do të jetë në gjendje të vendosë mbi hapjen ose jo të negociatave”, tha të enjten e shkuar udhëheqësi i grupit parlamentar të CDU / CSU, Johann Wadephul.
Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, tha javën e kaluar se BE tani po përballet me Maqedoninë e Veriut pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Greqinë. Megjithatë, sipas gazetës austriake ky argument është i dyshimtë. "Ky nuk ishte kurrë një kusht për zgjerimin, por vetëm për pranimin në NATO", tha një diplomat europian për “Die Presse. Ai gjithashtu dyshon për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke iu referuar protestave të opozitës.


Zoran Zaev me kryetarin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker

"Shikoni protestat në Shqipëri dhe si reagon qeveria: a ka ndonjë përpjekje? Mos harrojmë se Komisioni paralajmëroi për krimin e organizuar në Shqipëri”, thotë ai.

Maqedonia e Veriut lobon në Bruksel

Ndërkohë që Tirana ndodhet në ngërç për shkak të krizës politike, kryeministrti Zoran Zaev ka nisur një tur dy-ditor për të lobuar për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Zaev është takuar me kryetarin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, komisionerin Johannes Hahn dhe Shefen e Politikës së Jashtme Federica Mogerini.

Juncker, pranoi se tani për tani nuk ka pajtim të plotë midis vendeve anëtare të BE-së për të autorizuar hapjen e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut.

“Unë e di se disa shtete anëtare kanë disa shqetësime. Do të bëj gjithçka në fuqinë time për t’i bindur ato”, ka qenë ky premtimi i Juncker për Zaevin.

Juncker theksoi se Komisioni e ka bërë të qartë se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e mundshme dhe se tani i mbetet Këshillit të BE-së që të mbajë pjesën tjetër të premtimit. Zaev po ashtu ka zhvilluar një takim me Federica Mogherini-n dhe Johannes Hahn. Ai u ka shprehur liderëve evropian se vendi i tij kishte detyra të qarta, të cilat i ka përmbushur dhe se tani pret që pala evropiane të tregojë mirëkuptim.

“Hapja e negociatave është një garanci unike për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm dhe një impuls reformash në Maqedoninë e Veriut, me efekte pozitive në të gjithë rajonin”, tha Zaev.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian përsëriti rekomandimin e pakushtëzuar të tij, drejtuar Këshillit të BE-së, për të miratuar hapjen e negociatave të pranimit midis Brukselit dhe Shkupit. Debati i parë në këtë drejtim do të mbahet më 18 qershor, por nuk ka garanci se do të merret një vendim përfundimtar. Juncker tha se qëllimi i Komisionit Evropian ishte që vendimi të merret “gjatë verës”.

Nga ana tjetër, Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi ka këshilluar në një intervistë Bashkimin Europian që të mos i kthejë shpinën Shkupit dhe Tiranës, duke e paralajmëruar Brukselin se do të përballej me një krizë të re refugjatësh dhe rreziqe të reja që do të cenonin sigurinë e unionit.

“Nuk dua që kjo të tingëllojë si një kërcënim, por nëse në qershor udhëheqësit e BE do të bllokojnë hapjen e bisedimeve të pranimit me vendet aspirante si Maqedonia Veriore apo Shqipëria, do të fillojë një krizë e re emigracioni”, tha Pendarovski në një intervistë me gazetën amerikane “Wall Street Journal”.

Presidenti i vendit fqinj thekson se vitin e kaluar Tiranës dhe Shkupit iu premtua se do t’u jepej një datë për negociatat menjëherë pas zgjedhjeve europiane. “Ne po presim me padurim për këtë vendim”, tha Pendarovki. Ai pranon se trazirat e fundit politike në Shqipëri kanë dëmtuar perspektivën e vendit tonë për t’u bashkuar me unioin europian.

“Sipas shumë vëzhguesve ndërkombëtarë dhe diplomatëve në Bruksel, shanset që Shqipëria të marrë një datë për negociatat në qershor janë minimale. Por ne mendojmë se kemi bërë gjithçka që na është kërkuar” thotë Pendarovski. Presidenti është i bindur se mënyra sesi udhëheqësit e BE-së do të trajtojnë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ndikojnë tek shpresat e qytetarëve të vendeve të tjera të Ballkanit. “Shumë nga të rinjtë këtu janë duke pritur për një sinjal pozitiv, por nëse Europa po heziton, atëherë shumë prej tyre do të shkojnë në Europë, duke përfshirë edhe kriminelët”, tha Pendarovski.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë