Analize

4 skenarët e Italisë për të dalë nga kriza politike

Fati i qeverisë italiane është tanimë në duart e Presidentit Sergio Mattarella pasi Kryeministri Giuseppe Conte dha dorëheqjen e tij të martën, duke i dhënë zyrtarisht fund qeverisë së parë populiste të pas luftës në Europën Perëndimore.

Kriza u shkaktua dy javë më parë kur Matteo Salvini tha se nuk donte të vazhdonte koalicionin më Pesë Yjet dhe bëri thirrje për një votë mosbesimi ndaj Contes. Por kryeministri duket se i parapriu, duke ofruar dorëheqjen e tij dhe duke e vendosur vendin në një kurs të pasigurtë.

Mattarella ka nisur tanimë konsultimet me të gjitha partitë politike, por ky mund të jetë thjesht raundi i parë për daljen nga kriza. Në këto kushte Italia ka katër skenarët për të dalë nga kaosi aktual.

Të gjithë kundër Salvinit

Giuseppe Conte, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, Gazeta Si, 22 gushr 2019

Disa anëtarë të Partisë Demokratike dhe ish-partnerët e koalicionit të Salvinit, (Lëvizja Pesë Yjet) mund të bashkohen në një koalicion kundër Lega Nord. Sipas këtij plani, të gjitha partitë që votuan pro Presidentes së re të Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të bashkohen në një aleancë, që nënkupton bashkimin e të gjitha palëve, përveç Legës dhe partisë tjetër të së djathtës ekstreme, Vëllezërit e Italisë.

Plani për një qeveri pro-BE ka të ngjarë të mirëpritet në Bruksel dhe ka mbështetjen e ish-Presidentit të Komisionit Romano Prodi, i konsideruar në Itali si babai themelues i PD. Për ata që shpresojnë të heqin Salvinin nga qeveria, ky plan është zgjedhja e duhur pasi shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në vend "do të ishte një dhuratë për Salvinin".
Por që ky plan të funskionojë, në aleancën pro-europaine duhet të përfshihet edhe partia Forza Italiae e Silvio Berluskonit. Por Pesë Yjet kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur të punojnë me ish-kryeministrin, hetimet e korrupsionit dhe dënimi për mashtrim fiskal i të cilit bien në kundërshtim me parimet e partisë. Forza Italia gjithashtu e ndan pushtetin me Lega Nord në këshille të shumta rajonale. Disa analistë madje kanë paralajmëruar se bashkimi i partive të tjera kundër Salvinit mund ta bëjë atë më të fortë sepse ai do të jetë në gjendje ta portretizojë veten si viktimë të elitave politike.

PD dhe Pesë Yjet pa Berluskonin
Ky plan do të zgjidhte problemin e Berluskonit, pasi do të përfshinte vetëm PD, Pesë Yjet dhe disa parti më të vogla. Sidoqoftë, ky plan mund ta vendosë Forza Italia në një pozicion të vështirë, duke e vënë kundër Lega Nord dhe pjesës tjetër të euroskeptikëve. Si anëtare e Partisë Popullore Evropiane, partia e Berlusconit do të ngurrojë të votojë kundër një qeverie pro-BE.
Ky opsion ka të ngjarë të pritet mirë në Bruksel dhe zyrtarët europianë nuk do të shqetësoheshin më se Roma mund të përjashtohej nga aksi Berlin-Paris për shkak të pozicioneve të qeverisë së tyre euroskeptike.

Silvio Berlusconi, Gazeta Si, 22 gusht 2019

Të heqësh në mënyrë efektive partinë më popullore të vendit nga qeveria do të ishte e vështirë t'ua shpjegosh votuesve. Salvini tashmë u ka kërkuar mbështetësve të tij që të dalin në rrugë për të protestuar kundër asaj që ai e quajti një "grusht shteti kundër demokracisë".

Mbajtja e zgjedhjeve
Mattarella gjithashtu mund të vendosë të thërrasë zgjedhje të parakohshme, çka është opsioni i preferuar i Salvinit. Lega Nord ka mbështetjen më të madhe në mesin e qytetarëve që nga zgjedhjet e vitit të kaluar, duke udhëhequr sondazhet me 36 për qind.
Rezultatet e zgjedhjeve ka të ngjarë të japin një qeveri më të qëndrueshme në krahasim me rezultatet e fragmentuara të vitit të kaluar. Sipas parashikimeve të YouTrend, nëse partitë e krahut të djathtë do të krijonin një koalicion (përfshirë Legan, Forza Italian dhe Vëllezërit e Italisë) ata mund të marrim më shumë se 50 përqind të vendeve parlamentare.
Por me Salvinin si kryeministër, Italia do të ishte vendi i parë i Evropës Perëndimore që do të kishte një qeveri të ekstremit të djathtë pas luftës. Sipas shumë vëzhguesve, kjo do të bënte që vendi fqinj të afrohej me Rusinë. Qeveria e re do të ishte gjithashtu më euroskeptike, duke nxitur frikën në Bruksel se Salvini po komploton në mënyrë private për të lënë Eurozonën.

Luigi Di Maio, Gazeta Si, 22 gusht 2019

Pesë Yjet dhe Lega arrijnë një armëpushim
Ky skenar mund të duket më i pamunduri duke pasur parasysh tensionet e larta midis Salvinit dhe udhëheqësit të Pesë Yjeve, Luigi Di Maio përgjatë javëve të fundit. Pesë Yjet lëshuan një deklaratë të dielën duke thënë se "Salvini nuk është më një bashkëbisedues i besueshëm". Por politika italiane zakonisht përfshin shumë teatër përpara se ligjvënësit të vijnë në një kompromis përfundimtar dhe një zyrtar i lartë i Pesë Yjeve tha se "shumë deputetë në radhët më të larta të partisë, akoma preferojnë Salvinin".
Qeveria në largim ishte popullore në mesin e italianëve. Paqja me Legën do të ishte rezultati më i mirë për Di Maion, i cili në çdo skenar tjetër, ka të ngjarë të humbasë rolin e tij të tanishëm të qeverisë si bashkë-zv/kryeministër. Madje mediat italiane raportuan se Salvini kishte ofruar që Di Maio të bëhej kryeministër në një koalicion të ri të partive të tyre, duke përjashtuar Conten, i cili nuk është anëtar i asnjë grupi. Por Di Maio hodhi poshtë raportet, duke i quajtur "lajme të rreme".
Por një qeveri e re e Lega Nord dhe Pesë Yjeve do të përballet me të njëjtat pengesa si ajo që sapo u shemb. Dhe nëse Salvini mbetet në pushtet me Pesë Yjet ai mund të zbatojë planet e tij për ulje të mëdha të taksave dhe një rritje të deficitit, ndoshta duke rrezikuar Eurozonën, duke pasur parasysh se Italia ka borxhin e dytë publik më të madh në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë