Futboll

4 arsyet që mund ta çojnë Anglinë drejt triumfit në Euro 2020

U bë një kohë e gjatë dështimesh të njëpasnjëshme edhe pse nga Anglia kanë dalë lojtarë të klasit botëror si Ouen, Bekam, Xherrad, Lampard apo Runi. Me shprehjen e famshme “po vjen në shtëpi” gjatë kampionatit botëror, Rusi 2018, anglezët shprehën gjithë dashurinë e madhe për të fituar një trofe me kombëtaren e tyre. Gjithë këto pritshmëri që skuadra e Southgejt ngriti në Rusi kanë vijuar të rriten akoma dhe më shumë me performancën që ky ekip ka bërë në kompeticionin më të ri europian, Uefa Nations League.

Tekniku 48-vjeçar është konsideruar deri më tani si thyesi i barrierave, pasi për herë të parë që nga viti 1990-të e çoi kombëtaren e “tre luanëve” deri në gjysmëfinalen e një kampionati botëror. Por edhe paraqitja në Ligën e Kombeve, me Anglinë që u rendit e para në grup, duke lënë pas Spanjën dhe Koracinë, është quajtur si një kalim i “traditës” për këtë kombëtare. Analistët dhe mediet në Angli tani po fillojnë të krijojnë bindjen se kjo skuadër po e plotëson figurën e saj për të bërë kapërcimin e madh, të fitojë një trofe. Nuk është Kupa e Botës, por ajo e Europës që do të luhet në vitin 2020. Janë katër arsyet kryesore që të shtyjnë drejt kësaj ideje.

Një Europian që ngjason sikur do të luhet në shtëpi

Anglia nuk i humbet kampionatet që zhvillohen në shtëpinë e saj. Ashtu bëri me kampionatin botëror në vitin 1964, por edhe dy vite më pas në Europian e 1996-ës shkoi shumë pranë edhe pse penalltitë i dhanë të drejtën Gjermanisë që të shkonte në finale. Euro 2020 do të jetë i veçantë, pasi do të luhet në 12 vende të ndryshme. Tre ndeshje të rëndësishme të këtij kompeticioni do të zhvillohen në “Wembley”, mes të cilave edhe finalja e madhe. Stadiumi mitik është si një fortesë për kombëtaren e “tre luanëve”, pasi nga 16 ndeshjet e luajtura aty në 10 vitet e fundit, ka fituar 15, me të vetmen humbje ndaj Spanjës në shtatorin e këtij viti. Efekti i këtij stadiumi në skuadrën e Anglisë u kuptua më së miri në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, përballë Kroacisë. Ekipi ballkanas mbahet mend gjatë nga tifozët anglez, pasi i la jashtë europianit të vitit 2008-të dhe fitorja kishte dhe një aromë revanshi. Me këtë “as nën mëngë” Anglia shikon me shumë shpresë drejt kampionatit europian të 2020-ës.

Anglia ka fituar ndeshje të rëndësishme me skuadra të mëdha

Mund ta themi pa frikë, kjo është kombëtarja më e mirë e Anglisë e 30 viteve të fundit. Të lësh pas finalistët e Kupës së Botës, Kroacinë dhe Spanjën nuk është një gjë e vogël dhe për anglezët ky është një moment krenarie. Liga e Kombeve është kompeticioni që Anglia ka bërë më mirë në këto tre dekadat e fundit. Kjo formë e mirë e ekipit të Southgejt ka ndikuar edhe në pozicionim e kësaj skuadre në renditjen e FIFA. Tashmë Anglia ka më lart se vetja vetëm Belgjikën, Francën, Kroacinë dhe Brazilin, duke u renditur e 5-ta në botë, një nga pozicionimet më të mira ndër vite. Fitorja 3-2 ndaj Spanjës është një nga ndeshjet më të bukura që ekipi i Anglisë ka bërë në vitet e fundit, duke triumfuar, por edhe dominuar përballë një ekipi si Spanja. Ndërsa triumfi me Kroacinë me përmbysje është treguesi i shpirtit dhe karakterit të këtij grupi.

Ndeshje të rëndësishme në prag të kompeticionit

Një nga avantazhet më të mëdha të Anglisë në prag të kampionatit europian 2020 është fakti që do të ketë mundësinë të luaj ndeshje me vlerë. “Tre luanët” do të luajnë në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve bashkë me Zvicrën, Holandën dhe Portugalinë. Është një gjë e mirë, pasi skuadra e Southgejt nuk do të luaj me ekipe të dorës së dytë, siç ka bërë në vitet e shkuara. Një pikë më shumë që shtohet në këtë kontekst është se të gjitha ekipet e mëdha pretendente për të fituar Euro 2020, si Spanja, Gjermania apo Franca nuk do të luajnë këto lloje ndeshjesh. Portugalia kampionia në fuqi e Europës mund të jetë rivali më i denjë për Anglinë në këto gjysmëfinale, por edhe Holanda e “ringjallur” me Zvicrën e shqiptarëve nuk janë për t’u nënvlerësuar.

Skuadër e re me potencial të madh

Një pikë shumë e rëndësishme që rrit pritshmëritë është edhe përbërja e grupit. Janë shumë lojtarë të rinj që kanë formuar një grup që luan bashkë, bukur dhe me karakter. Mosha mesatare e kësaj Anglie është pak më shumë se 24 vjeç, duke qenë një nga ekipet më të reja në Europë. 18-vjeçari Jadon Sancho debutoi në fitoren e fundit të Anglisë 3-0 me SHBA, për të mos harruar 20-vjeçarin Alexander-Arnold që është pjesë bazë e ekipit të parë të Southgejt. Reis Nelson, Ben Çiluell, Markus Rashford, Dele Ali apo Rahem Sterling, janë vetëm disa nga të rinjtë anglez që premtojnë shumë. Nëse këtyre adoleshentëve të talentuar i bashkojmë lojtarë me eksperiencë si Kejn, Pikford, Dajer apo Uolker, kjo kombëtare angleze bëhet vërtet e fortë dhe për tu pasur frikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë