Keshilla

3 gjërat që ju bëjnë më të lumtur sesa të fitoni lotarinë, sipas një profesori të Harvardit

Për shumë sipërmarrës dhe drejtues të tjerë biznesi, lumturia ndonjëherë duket sikur mund të matet në numra parash, fitimet e këtij tremujori, ose marrëveshja që sapo kanë arritur. Por në fakt, studimet tregojnë shumë qartë se paratë nuk barazohen me lumturinë dhe marrja e më shumë prej tyre nuk ka gjasa t'ju bëjë më të lumtur.

Për shembull, shikoni se çfarë ndodh me njerëzit që fitojnë llotarinë. Studimet tregojnë se në fund të një viti, ata janë kthyer në bazë. Disa janë më pak të lumtur", thotë Chopra Sanjiv profesor i Harvardit në fjalimin e tij në TED.

Kjo është për shkak të një fenomeni psikologjik të quajtur adaptim hedonik, shpjegoi ai. Mund të blini, të themi, një shtëpi të bukur dhe makinën e ëndrrave tuaja. "Në fund të tre muajve, është një shtëpi e bukur, është një makinë e bukur. Mësohesh me të", tha ai. Nëse keni kaluar ndonjëherë kohë duke kërkuar një objekt të bukur ose një artikull veshjeje dhe më në fund e keni marrë atë, mund të keni përjetuar vetë përshtatjen hedonike. Me kalimin e kohës, mund t'ju pëlqejë ende blerja, por ka të ngjarë të humbasë fuqinë e saj për t'ju ngritur humorin vetëm sepse e zotëroni atë.

Nëse paratë nuk do t'ju bëjnë të lumtur, çfarë do t'ju bëjnë? Mund të gjeni disa përgjigje në fjalimin e tij.

1. Qëllimi (ose dharma).

Për Chopra, lumturia është e lidhur me idenë e dharma, një term pa ekuivalent të saktë në anglisht apo një gjuhë tjetër që ndonjëherë përkthehet si virtyt ose meritë. Sokrati tha se lumturia nuk ishte e rezervuar për poetët dhe mbretërit, tha Chopra, por mund të arrihet me përpjekje njerëzore.

"Lumturia dhe virtyti ishin të lidhura pazgjidhshmërisht. Grekët e lashtë në fakt nuk e përdornin fjalën lumturi; ata përdorën një term të quajtur eudaimonia që fjalë për fjalë do të thotë 'lulëzim njerëzor'". Ideja është se njerëzit janë të lumtur kur janë në lulëzim, duke përmbushur qëllim për të bërë diçka kuptimplotë në botë.

Chopra tha se ai zbuloi dharman e tij kur ishte në shkollë të mesme në Nju Delhi dhe papritmas u verbua. Babai i tij, një mjek, diagnostikoi mrekullisht një reagim negativ një në një milion ndaj një vaksine me tetanoz që Chopra kishte pasur dy javë më parë. Akoma më e mahnitshme, babai e bëri këtë diagnozë me telefon, nga 70 milje larg. Ai u tha mjekëve të Chopra-s që të administronin menjëherë një dozë masive kortikosteroide që e rikthenin shikimin e Chopra brenda tetë orësh.

"Ajo ishte dita kur vendosa që dharma ime të bëhesha mjek", tha ai.

2. Dhënia.

Ishte një grup pjesëmarrësish në një studim që fitonte lumturi të qëndrueshme nga pasuria e tyre e papritur sic është fitimi i një llotarie: ata që dhanë një pjesë të parave për qëllime bamirësie ishin më të lumtur. Humanitari dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqen Albert Schweitzer doli në të njëjtin përfudnim pas një studimi. Duke folur me një grup, ai një herë tha: "Nuk e di se cili do të jetë fati juaj, por për një gjë jam i sigurt. Ata mes jush që do të jenë vërtet të lumtur janë ata që kanë kërkuar dhe kanë gjetur se si të shërbejnë".

Një eksperiment magjepsës duket se e vërteton këtë mendim. Studentëve të Harvard iu dhanë një shumë të vogël parash dhe disave iu tha t'i shpenzonin për diçka që dëshironin, ndërsa të tjerëve iu tha t'i shpenzonin për dikë tjetër. Në fund të ditës, ata që e kishin shpenzuar për të tjerët ishin shumë më të lumtur.

3. Mirënjohja.

"Kërkimet kanë treguar se nëse shpreh mirënjohje rregullisht, do të jesh i lumtur, do të jesh më kreativ, do të jesh më i përmbushur madje mund të jetosh dhjetë vjet më gjatë", tha Chopra.

Studimet kanë treguar se 50 për qind e lumturisë sonë përcaktohet nga gjenetika jonë.

“Çuditërisht, vetëm 10 për qind janë kushtet e jetesës, pavarësisht nëse jetoni në një rezidencë të madhe në Beverly Hills apo në lagjet e varfra të Kalkutës dhe 40 përqindja tjetër varet nga faktorë të tillë si qëllimi dhe dhënia e përshkruar më sipër{.

Por edhe 50 për qind gjenetike, ajo që Chopra e quan "pika e caktuar", mund të përmirësohet përmes gjërave të tilla si ushtrimi i rregullt, terapia njohëse e sjelljes, meditimi dhe duke shprehur mirënjohje në baza të rregullta. Ai vë në dukje se Robert Emmons, i njohur për udhëheqjen e lëvizjes së psikologjisë pozitive, thotë se hulumtimet tregojnë se mund të rrisni lumturinë e pikës së caktuar me 25 për qind përmes praktikës së rregullt të shprehjes së mirënjohjes. Kjo mund të jetë arsye e mjaftueshme për t'u përpjekur të ndiheni mirënjohës çdo ditë.

Çuditërisht, mirënjohja madje është treguar se funksionon si një qetësues efektiv kur je i sëmurë. Kjo gjendje shpirtërore magjike mund t'ju ndihmojë në mënyra të panumërta dhe shkenca gjithmonë po zbulon më shumë prej tyre.

Pra, nëse nuk pranoni asnjë nga këshillat e tjera të Chopra, provoni të praktikoni mirënjohjen. Ndryshimet që bën në pikëpamjen dhe humorin tuaj mund t'ju befasojnë dhe padyshim që do t'ju bëjë më të lumtur sesa fitimi i lotarisë, sipas Chopra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë