Ne rrjet

280 mijë qytetarë do të largohen nga Shqipëria deri në vitin 2050!

Shqiptarët po lënë në heshtje shtëpitë e tyre që nga vitet 1990, por “ikja e trurit” dhe emigrimi i të rinjve në kërkim të vendeve të punës dhe kushteve më të mira duket se do të arrijë nivele alarmante përgjatë viteve të ardhshme.

Deri në vitin 2050, shqiptarët që do të kenë emigruar do të jenë në nivele shumë më të larta se ata që do të zgjedhin të kthehen për të jetuar.

Një studim i kohëve të fundit i Bankës Botërore tregon se për periudhën 2017-2022, emigracioni neto (diferenca midis njerëzve që largohen dhe ata që vijnë) do të jenë -40,000.

Deri në vitin 2047, Banka parashikon që emigrimi të vazhdojë në të njëjtin ritëm, pra çdo 5 vjet të largohen 40,000 njerëz, duke e çuar numrin e shqiptarëve që zgjedhin të emigrojnë në 280.000 njerëz. Sipas studimit, me rritjen natyrale të popullsisë që shkon në zero dhe nivelit të lartë të emigrimit, Shqipëria pritet të tkurret.

Po ashtu, një studim të botuar kohët e fundit nga Gallup për “ikjen e trurit”, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Europë. Studimi, i cili u zhvillua mes viteve 2015 dhe 2017, tregon se në Shqipëri 32% e qytetarë duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë.

Anëtarësimi në BE ka të ngjarë ta përkeqësojë këtë plagë sociale, pasi heqja e barrierave kufitare ndaj Ballkanit, mund të çojë drejt vërshimit të popullsisë drejt vendeve të zhvilluara europiane.

Në një investigim të fundit, Gazeta Si zbuloi se shumica e të rinjve që regjistroheshin në kurset profesionale të hapura nga qeveria, e bënin me shpresën se do të mund të punësoheshin në Gjermani. Madje një pjesë e tyre ishin në pritje të lëshimit të vizave të punës nga ekonomia më e madhe e BE-së. Sikur të mos mjaftonte kjo, lajmi se në të gjithë Gjermaninë do të punësohen 13.000 infermierëve ka bërë që edhe një pjesë e bluzave të bardha tu drejtohen zyrave të ambasadës për punësim në vendin më të rëndësishëm të BE.

Tregu shqiptar duket se është një parajsë e vërtetë për Gjermaninë, pasi rreth 6000 infermierë janë të papunë për shkak të raportit të zhdrejtë prej vitesh ku diplomohen 3 fish më shumë se sa nevojat e tregut. Kjo është arsyeja përse profesionistët e shëndetit po mësojnë gjermanishten.

Në spitalet publike dhe jo publike hapen mesatarisht 550 vende të reja pune për infermierë në një vit, ndërkohë që diplomohen 1200-1500 vetë. Ky raport i zhdrejtë i të diplomuarve dhe të punësuarve sipas Urdhrit të Infermierit, ka krijuar një “stok” prej 6000 profesionistësh të shëndetësisë në treg.

Sabri Skënderi në një eksperiencë prej 12 vitesh në drejtim të Urdhrit të Infermierëve thotë se pamundësia për të pasur një punë, ka detyruar një pjesë të bluzave te bardha të kërkojnë tregje të huaja. “Për vitin që kaloi mund të kenë ikur rreth 700 infermierë. Mendoj se ky vit do ketë lëvizje edhe më të madhe. Deri në fund të vitit mund të lëvizin 300-500 të tjerë”, thotë ai.

Të njëjtin alarm ngre edhe Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve, i cili thekson se Shqipëria nuk ka asnjë shans në një treg të pambrojtur. “Nuk e di ku ta gjej një arkë me para për të ndaluar këtë fenomen. Kushtet e punës jashtë janë arsyeja kryesore pse mjekët duan të braktisin vendin”, thotë ai.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një studim i Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri zbuloi se 78% e mjekëve shqiptarë duan të largohen nga vendi, për shkak të mungesës së seriozitetit në punë, pagave të ulëta dhe kushteve të vështira.

 

Më Shumë