Lajme

28 Nëntori, Meta: Të nderojmë Flamurin duke ndihmuar viktimat e tërmetit

Presidenti Ilir Meta thotë se nderimi më i mirë që mund t’i bëhet flamurit kombëtar në 107-vjetorin e Pavarësisë është angazhimi për të shëruar plagët e familjeve të prekura nga tërmeti i së martës.

“Nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 nëntori dhe të gjitha sakrificave të etërve të pavarësisë tonë, që kaluan sprova shumë më të vështira për të garantuar mbijetesën e kombit dhe ndërtimin e shtetit është që të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e të gjitha atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga ky tërmet dhe të jemi sa më pranë atyre familjeve që kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e tyre më të shtrenjtë në këto ditë për të përballuar këtë dhimbje”, deklaroi Presidenti.

Meta përcolli mesazhe bashkimi edhe për klasën politike.

“Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë për çështjet më të rëndësishme të qytetarëve dhe të shtetit. Sot në këto raste duhet të jetë dhe jam i bindur që do të jetë dhe të jetë edhe në jetën e përditshme për të përmbushur një mision që nuk i jemi afruar në vitet e fundit, siç është anëtarësimi i vendit në BE”, tha ai.

Presidenti vizitoi një familje të prekur nga tërmeti në zonën e Sukthit në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë