Muzike

25 vjet Bojken Lako – Koncerti që mbyll një cikël për të hapur një të ri

Suadela Balliu - Të dielën, fill pas asaj nate ku kishte dalë të këndonte për herë të parë në spektaklin televiziv “12 vallëzime pa një të shtunë”, ishte kureshtar nëse, njerëzit në urban do ta njihnin. Ishte dhjetor i vitit 1992. Atëherë kur gjysma e kryeqytetit ishte shpesh pa energji elektrike, e kur thoshte me vete, se nuk do ta kishin parë. Në dhjetor të 2018-ës, ata që kanë ardhur ta shohin, e kanë mbushur plot sallën e Akademisë së Arteve, për të ndjekur koncertin recital, në një karrierë muzikore që i ka mbushur njëzetepesë vite. I shoqëruar nga një kuartet harqesh në violonçel, violë, violinë e parë dhe e dytë, kitarë akustike, bas akustik, bateri, dy piano, Bojken Lako do ta niste mbrëmjen, siç ata që kishin ardhur aty nuk e kishin parë.

I  ulur në karrige, me nota të qeta, por me thellësinë tipike të vokalit, sjell versione krejt të reja të disa prej këngëve të tij më të njohura si “S’ka asgjë të largët”, “Shtëpia e sëmurë”, Wrong Creation”, “Lot, jetë, dashuri” apo “Sytë e shpirtit” . Gjashtë pjesë muzikore që bëjnë edhe pjesën e parë të koncertit, të ripërpunuara nga kompozitori Alban Laro, mik i hershëm i tij, me të cilin ka ndarë fëmijërinë, liceun, por edhe shpërthimet e viteve ’90 e me të cilin bashkëpunoi vitin e kaluar në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. “Jam menduar gjatë kësaj kohe, nëse duhej të dilja me diçka”, rrëfen këngëtari, ndërsa ideja e mikut të tij, Laro, i fokusuar së fundi tek muzika klasike, për t’i riparë disa prej këngëve të Lakos - që nga fillesat me albumin e parë titulluar “King of Beers”, publikuar më 1993-shin me “Fish Hook” – i pëlqeu. Gjashtë këngët e sjella në natën e parë, të koncertit dy ditor, janë vetëm një pjesë e versioneve të riorkestruara.

Kompozitori Laro duket se i ka nxjerrë nga konteksti i epokës, duke i kthyer në të pakoha. Gati për t’u luajtur në të tilla orkestra edhe në skena të huaja, mendon ai. Në rrugë drejt vijë vjeshtën që vjen, zbulon Bojken Lako. “U nisëm për një riorkestrim klasik të këngëve të mia, por i ka ndryshuar totalisht”, thotë ai, “janë si këngë të reja”. Pjesa e dytë e koncertit – për ata që kishin ardhur të kremtonin edhe njëherë lavdinë e një kohe të rrokut – i kushtohej pikërisht tingujve shpërthyes, ku Bojken Lako shoqërohej herë pas here nga bashkudhëtarë të këtyre njëzetepesë viteve, të një karriere që ka pasur vijueshmëri, pa u ndalur tek kujtimet e së shkuarës.

Këngë nga të pestë albumet e publikuara nga Lako, nga viti 1993 e deri më 2009-ën, si “Bullet in your tongue”, “Monitor”, “Qielli dhe Toka” dhe “Rrugë”. “Unë nuk para jam nostalgjik, sepse duket sikur nuk të lë të ecësh përpara, por kur i shoh ato videot, shpesh të çuditshme të fillimeve, them se ka qenë kohë e bukur”.

https://www.facebook.com/bojkenlakoband/videos/478254909248737/

Naive, surreale, shpesh thuajse e pakuptimtë, por me ëndrra për të bërë gjëra të mëdha, si ato që kishin parë në televizor e me të cilët kishin gdhendur dashurinë dhe shijet për muzikën. Kujton se, kur mblidhej me shokët për prova përpara një koncerti, u duhej të improvizonin me instrumentet, që nuk ishin të gjitha. “Tani, shumë instrumente i ke në qarkullim, kitarat i ble në dyqan, atëherë nuk kishte.” Kështu bateristi bënte prova mbi kuti apo karrige, basisti luante vetëm me telat e sipërm të kitarës, që sikur u afroheshin pak atyre të basit, kitara elektrike e koncertit, paraprakisht mundej vetëm të merrej me mend dhe provat kryheshin me akustike, në vend të organos përdorej pianoja…

https://www.facebook.com/bojkenlakoband/videos/907604579627813/

“Ishte më shumë imagjinatë dhe dëshirë e ndoshta niveli teknik mund të mos ketë qenë më i duhuri”, kujton këngëtari, që gjatë koncertit përdor jo vetëm vokalin, por luan gjithashtu në kitarë dhe piano. Aty ku për shkak të kushteve të ato viteve të para të tranzicionit, mundësitë teknike ishin të pakta, pasioni ishte më i madh. Ishin kohët kur të gjithë ishin me sytë tek rroku, tek muzika alternative. “Tani industria e muzikës është e orientuar në tjetër kohë, në tjetër sound. Megjithëse ka njerëz besnikë të sound-it të viteve të kaluara”.Në rrokun e tij, Bojken Lako, ka prezantuar gjithnjë elementë që e kanë bërë të veçantë. Ka përzier ndonjë motiv popullor, një instrumentale, një element industrial apo tastierë. “Kam eksperimentuar disi me rrokun. Tani që i kam lidhur periudhat e mia për këtë koncert, e kuptoj.” Sjell këngën “Love, Love,Love” ku është bazuar në motivet e këngës shkodrane “Për mu’ paska ken’ kismet” apo edhe një tjetër të ngritur mbi një këngë arbëreshe apo një tjetër kompozuar mbi një poezi të Fatos Arapit, të ndarë nga jeta pak kohë më parë, titulluar “Të zakonshëm” apo edhe kënge “Bio”, me vargun e famshëm “Skënderbeu ishte bio…”


Ka pasur edhe vite që e ka menduar, siç këndon Marilyn Menson se “rock is dead”, por me gjithë modën e zhvillimeve të reja muzikore, e megjithëse rroku nuk është më aq i dukshëm sa ishte në vitet ’90, kur ai e nisi rrugëtimin muzikor, “është rrymë që nuk shuhet. Do të ketë forma të ndryshme; pak më industrial, më i thatë, më indie. Por energjia, ndjesia, fuqia dhe kënaqësia, kur e luan dhe e dëgjon, them se është i pazëvendësueshëm.”Në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, ku mbajti edhe të parin koncert të tijin më 1995-ën, Bojken Lako sjell jo vetëm etapat e ndryshme të shprehjes së tij artistike, por edhe disa breza. Janë miqtë e vjetër të tij, të rinj, të cilëve gjen t’u japë hapësirë edhe në këtë recital, emra të muzikës underground.

https://www.facebook.com/bojkenlakoband/videos/458135348044025/

“Më vjen mirë kur shoh brezat e rinj. Më ndaloi në rrugë një djalë, ndonja 17 veç dhe më tha “Mezi po e pres koncertin”. Duke qenë se muzika ime ka qenë pak industriale, pak elektronike, jo vetëm rrok klasik, ka bërë të kem njerëz që e pëlqejnë atë edhe nga brezat më të rinj. Kjo më bën të ndihem mirë”, thotë. Një koncert që zgjat më shumë se dy orë me njëzetepesë këngë. Është mbyllja e një epoke, e cilëson këngëtari dhe çelja e një tjetre.Po përgatitet të vijë me materiale të tjera, jo siç publiku është mësuar ta dëgjojë. Në plane, parësor mbetet albumi akustik, por së shpejti zbulon se do të nxjerrë edhe disa këngë, të rrymës dance. “Do të nxjerr një video së shpejti, një këngë q e kam nxjerrë në radio, titullohet “Dance on the Weekend”, zbulon. “Dua të ketë edhe dy-tre remix, që të transmetohet në clube dhe diskoteka. Është menduar për dike që do të ndiejë të kërcejë, pa u menduar gjatë. Thotë se po punon me artistin konceptual, Genti Shkurti për një video, që, siç e përshkruan këngëtari nuk do të jetë aspak komerciale, por “duam ta bëjmë që të godasë”. Nuk dëshiron t’i zbulojë detajet para janarit, kur shpreson ta publikojë, por është i bindur që me atë që ka në kokë, do të jetë kontroversiale dhe do të hap debat. “Shpresoj që pas koncertit dhe para festivalit, të xhiroj.”


Do të jetë pjesëmarrës në festivalin e fundvitit në RTSh me një këngë, “të thjeshtë, për dashurinë”, e cilëson ai, ndërsa teksti është i poetit Xhevdet Bajraj, i cili jeton në Meksikë dhe shkruan në dy gjuhë; shqip dhe spanjisht. Ashtu siç ka bërë në afro njëzet këngë të repertorit të tij -është mbështetur në poezi të poetëve si Drita Çomo, Fatos Arapi, Teki Dervishi- kësaj here vendosi të bashkëpunojë me poetin me origjinë nga Rahoveci, të cilin e njohu në një festival, atje. Është një përshtatje e disa poezive, për të nxjerrë një tekst për dashurinë. “Ai ka me qindra poezi të thella dhe duhet konceptuar diçka tjetër.” E ka fjalën për një performancë poetike-muzikore, së bashku me Alban Laron, ku muzika do të kompozohet në bazë të teksteve të poetit kosovar.

Këtë periudhë krijimesh të reja, e përkufizon si të çuditshme. “Duket qenë ai brez që kemi marrë në pak vite të gjithë muzikën e tre brezave, mendoj se ai konglomerat rrymash, pavetëdijshëm janë aty dhe gjejnë rrugën për t’u shfaqur.” Ishte koha, vijon më tej, kur prej vitit 1987 e deri më 1995, vitet e formimit, dëgjonte njëherazi edhe Beatles, Queen, Iron Maiden, Doors, muzikën psikedelike të viteve ’70, grunge e deri tek Michael Jackson. “Edhe tani kur ulem të regjistroj ndonjë demo shoh që gjithë ky ushqim del çuditshëm dhe dua tashfrytëzoj.”Thotë se edhe bashkëpunimet me të rinjtë, i ka dhënë diçka mbrapsht po aq sa u ka dhënë ai nga përvoja, por edhe dashamirësia për të promovuar muzikantë e performues të rinj.


Këngët që do të nxjerrë së shpejti, thotë se nuk do të kenë të bëjnë me Bojkenin e shkuar. “I kam hedhur ashtu si më kanë ardhur. Më duket sikur janë kompozuar nga dikush tjetër, por kam vendosur t’i nxjerr. Por pas këngëve dance, ka në mendje edhe një të fortë, të rrymës metal. “Kam ca plane eklektike, të palidhura më njëra- tjetrën.”Ambicia më e madhe mbetet promovimi i albumit të ardhshëm me këngë akustike, të cilën dëshiron ta publikojë edhe jashtë Shqipërisë.

Mbrëmjen e 7 dhjetorit publiku në sallën e Akademisë së Arteve do të ketë mundësinë të marrë shijen klasike të këngëve të riorkestruara me harqe, kitarë e piano, por edhe të këndojë, duke shoqëruar Bojkenin në këngët që bënë njëzetepesë vitet e një epoke,të cilën artisti po e mbyll, për të çelur një cikël të ri, ashtu siç thonë edhe vargjet e një prej këngëve të tij “Në çdo kohë mund të fillosh jetën tënde nga fillimi.” Mjafton të guxosh. Siç guxoi ai, bashkë me një brez të tërë, që në ato vite të varfërisë së skajshme ekonomike dhe të pasigurisë për të ardhmen, të pasuronin shpirtin me muzikë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë